Shkup, 7 dhjetor 2023
Tranzicioni i gjelbër kërkon investime të konsiderueshme, ndërsa për të siguruar burime të mjaftueshme financiare për rezultatet e synuara, nevojitet qasje gjithëpërfshirëse, përmes përfshirjes së qeverive, sektorit privat dhe mbështetjes së fortë nga institucionet ndërkombëtare. Në vendet në zhvillim, nevojitet një përfshirje shumë më e madhe e sektorit privat në investimet e gjelbra, të cilat, sipas analizave të FMN-së, deri në vitin 2030 duhet të rriten nga 40% deri në 90%. Në vendin tonë, pjesëmarrja e kredive të gjelbra në totalin e kredive të sistemit bankar vendas është dyfishuar në katër vitet e fundit, ndërsa bilancet e sektorit të korporatave tregojnë se ka më shumë hapësirë për mbështetjen e tranzicionit të gjelbër, theksoi viceguvernatorja e Bankës Popullore, Ana Mitreska, në panelin e diskutimit në Konferencën e dytë rajonale të liderëve ekologjik dhe të biznesit, që u mbajt në Serbi.
Viceguvernatorja Mitreska theksoi se në gjithë botën, hendeku për nevojat e financimit të tranzicionit të gjelbër është mbi 50%, ndërsa në vendet në zhvillim është edhe më i theksuar. Përpjekjet e qeverive për të reduktuar emetimet e karbonit janë thelbësore, por hapësira fiskale është e kufizuar. Prandaj, është e nevojshme që sistemet financiare të përfshihen më shumë në mobilizimin e fondeve për investime në trajtimin e ndryshimeve klimatike dhe tranzicionin e gjelbër. Gjithashtu, ajo vuri në pah obligacionet e gjelbra, si instrumente financiare për mobilizimin e fondeve nga sektori privat për financimin e tranzicionit të gjelbër, si dhe rolin e bankave qendrore duke “gjelbëruar” portofolin e tyre të investimeve.
Si hallkë shumë e rëndësishme në procesin e sigurimit të financave për tranzicionin e gjelbër, viceguvernatorja Mitreska theksoi organizatat ndërkombëtare që financojnë dhe inkurajojnë financimin e gjelbër në vendin tonë. Viceguvernatorja tregoi gjithashtu Planin e ri për rritjen e Ballkanit Perëndimor, në të cilin ekziston kriter sipas të cilit 37% e granteve që do të jepen nga Bashkimi Europian për mbeshtetjen e projekteve investuese përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) duhet të jenë të destinuara për projekte që merren me ndryshimet klimatike.
Konferenca rajonale e liderëve mjedisorë dhe të biznesit është ngjarje e profilit të lartë që mbledh së bashku politikëbërës, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, ekspertë dhe përfaqësues të sektorit privat nga rajoni dhe më gjerë, në debatin mbi zbatimin e politikave të qëndrueshme, me theks tek ekologjia dhe energjetika.