Shkup, 8 tetor 2020
Në Raportin e fundit të Komisionit Evropian për vendin tonë, jepen vlerësime edhe për fushat që janë nën kompetencën e Bankës Popullore. Duke vepruar kështu, vlerësimet tregojnë një harmonizim relativisht të lartë me kërkesat dhe legjislacionin e BE-së.
Në fushën e politikës monetare, sipas Raportit, harmonizimi i kornizës rregullatore të vendit me legjislacionin e BE-së vlerësohet se është në fazë të përparuar. Në këtë kontekst, Komisioni Evropian jep një vlerësim pozitiv për reagimin e bankës qendrore ndaj Kovid krizës, duke vlerësuar se Banka Popullore reagoi shpejt dhe me masa të synuara për mbështetjen e ekonomisë, si përmes instrumenteve të politikës monetare ashtu edhe me ndryshimet në kornizën rregullatore.
Në të njëjtën kohë, Komisioni Evropian konstaton përparim sa i përket rregullativës bankare. Raporti thekson se rregullat për administrimin e rrezikut të likuiditetit dhe limitet e ekspozimit janë përmirësuar, dhe gjithashtu vlerëson pozitivisht kërkesën e re rregullatore ndaj bankave për të vendosur një proces për përcaktimin e likuiditetit të brendshëm dhe ta integrojnë të njëjtin në sistemin e tyre të administrimit me rreziqet. Komisioni vëren se është bërë përparim edhe me ndryshimin e metodologjisë për mjaftueshmërinë e kapitalit, e cila mundëson trajtim më të përshtatshëm të rrezikut të shlyerjes dhe rrezikut të palës tjetër kontraktuese.
Sipas vlerësimeve të Komisionit Evropian të paraqitura në Raport, sistemi bankar mbetet mirë i kapitalizuar dhe likuid, me një normë të mjaftueshmërisë të kapitalit e cila e tejkalon minimumin rregullator. Cilësia e portfolios së kredisë, sipas vlerësimeve të Komisioni Evropian u përmirësua në periudhën e kaluar, me ç’rast u zvogëlua pjesëmarrja e kredive me probleme në totalin e kredive të sistemit bankar. Në këtë kontekst, Raporti thekson se është e rëndësishme që banka qendrore është e angazhuar në zbatimin e Strategjisë për të inkurajuar menaxhimin dhe përmirësimin e menaxhimit të kredive me probleme. Veçmas theksohet rëndësia e Strategjisë për denarizimin, me ç’rast janë veçuar edhe të dhënat deri në fund të vitit 2019 të cilat tregojnë se pjesëmarrja e kredive në monedhë të huaj në totalin e kredive ka rënë në periudhën e kaluar.
Në kapitullin e statistikës, jepet një vlerësim i veçantë për statistikat që janë nën kompetencat e bankës qendrore. Duke bërë këtë, Komisioni Evropian thekson se Banka Popullore është plotësisht e përkushtuar në zbatimin e kodeksit të standardeve statistikore dhe se e përmirëson kapacitetin e saj për zbatimin e tyre të vazhdueshëm në punën e saj.
Vlerësimet e Komisionit Evropian në Raportin e fundit janë një vërtetim për angazhimet dhe arritjet e Bankës Popullore në periudhën e kaluar. Banka Popullore do të vazhdojë të angazhohet çdo ditë në arritjen e angazhimit të saj strategjik për të përshpejtuar rrugën drejt Sistemit Evropian të Bankave Qendrore.