Shkup, 8 mај 2025
“Ekonomia po rimëkëmbet gradualisht nga tronditjet dhe niveli i të ardhurave është rreth 42% e mesatares evropiane. Për një konvergjencë më të shpejtë të të ardhurave dhe për të zvogëluar këtë boshllëk, reformat strukturore janë të rëndësishme që të rrisin potencialin e rritjes, i cili është pothuajse përgjysmuar në dy dekadat e fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë ekonominë tonë. Dhe potenciali i rritjes mund të rritet vetëm duke investuar në kapitalin njerëzor, ku emigrimi është një sfidë e rëndësishme, duke investuar në kapitalin fizik, i cili aktualisht arrin në rreth 30% të mesatares evropiane, dhe duke rritur produktivitetin, i cili është rreth 50% e mesatares evropiane.” Këtë e theksoi guvernatorja Anita Angellovska-Bezhoska në Konferencën e organizuar nga Zyra e Bankës Botërore, në të cilën u prezantua studimi “Drejt arritjeve më të larta: Rruga drejt të ardhurave më të larta në Europë dhe Azinë Qendrore”.
"Sa i përket kapitalit fizik, me qëllim rritjen e nivelit të kapitalit privat dhe publik, është e rëndësishme të forcohen investimet vendase dhe akoma më shumë ato të huaja, të cilat do të sigurojnë jo vetëm kapital të ri, por edhe njohuri të reja, aftësi menaxhimi dhe teknologji të përparuar. Në këtë kontekst, është mirë që cikli i infrastrukturës publike po forcohet dhe që investimet e huaja direkte po përshpejtohen ndjeshëm, të cilat vitin e kaluar arritën një nga nivelet më të larta historike (7.1% e PBB-së) pavarësisht tensioneve të rritura gjeopolitike dhe barrierave tregtare”, theksoi guvernatorja.
Për të rritur produktivitetin, është veçanërisht e rëndësishme të përqendrohemi në inovacion dhe zhvillim teknologjik. Në këtë kontekst dhe në përputhje me kompetencat e saj, Banka Popullore po ndërmerr vazhdimisht hapa drejt inovacionit në sektorin financiar. "Në periudhën e kaluar, ne kemi krijuar një Qendër Inovacioni që mbështet kompanitë e gatshme të investojnë në aktivitete financiare inovative. U miratua Strategjia e Parë Kombëtare e Fintech dhe u përgatit korniza rregullatore për ekzekutimin e pagesave, duke hapur rrugën për anëtarësimin tonë në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA). Kjo do të mundësojë një sërë përfitimesh për ekonominë tonë, duke përfshirë modele më inovative biznesi dhe konkurrencë në industrinë financiare”, tha Guvernatorja Angelovska-Bezhoska, duke theksuar se zbatimi i teknologjive digjitale ka potencialin për të rritur produktivitetin dhe për të lehtësuar disa nga pengesat strukturore ndaj rritjes ekonomike.
Në Konferencë folën edhe drejtori i Zyrës së Bankës Botërore në vend, Massimiliano Paolucci, dhe Michalis Rokas, ambasadori i BE-së në vend, kryeekonomisti i Bankës Botërore për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, Ivajlo Izvorski, ndërsa në panelin e diskutimit në të cilin mori pjesë guvernatorja Angellovska - Bezhoska folën edhe Gordana Dimitrieska - Koçoska, ministre e Financave, Stefan Andonovski, ministër i Transformimit Digjital, si dhe Viktor Mizo, president i Këshillit të Investitorëve të Huaj.