Publikohet një studim fizibiliteti me rezultatet nga Anketa për zhvillim të sektorit fintech në vend e kryer nga Banka Popullore, në kuadër të një projekti të mbështetur nga Fondi Evropian për Evropën Juglindore (EFSE)
Sektori për shërbime financiare në Republikën e Maqedonisë së Veriut është i gatshëm për fintech tranformim. Nevoja për zhvillimin e fintech sektorit është e justifikuar, për shkak të përfitimeve dhe mundësive të shumta. Transformimi dixhital është fokus i të gjithë palëve të përfshira në ekosistem dhe bashkëpunimi i bankave dhe institucioneve financiare jobankë me kompanitë që ofrojnë shërbime për mbështetje të fintech sektorit është në fazën fillestare. Në të njëjtën kohë, ekziston një vetëdije për rreziqet që dalin nga procesi i transformimit dixhital. Në këtë mënyrë, nevojiten ndryshime të mëtejshme në rregullore për të mbështetur zhvillimin e sektorit fintech.
Këto janë disa nga përfundimet më të rëndësishme të Anketës për zhvillim të sektorit fintech në vend, të cilën Banka Popullore e kreu në tetor të vitit të kaluar, përmes rrugës elektronike, në kuadër të projektit për zhvillim të sektorit fintech, me mbështetje të Fondit Evropian për Evropën Juglindore (EFSE). Studimi i fizibilitetit i cili përmban informacione më të hollësishme për rezultatet nga Anketa, sot, është publikuar në internet faqen e Bankës Popullore, pasi paraprakisht janë shqyrtuar rezultatet në takimin virtual të ekspertëve të Bankës Popullore.
Përgjigja ndaj anketës ishte solide duke iu përgjigjur gjithsej 220 të anketuar. Në anketë morën pjesë: banka (përfshirë dhe Asociacioni Bankar Maqedonas), institucione jobankë (kompani sigurimi, shoqëri brokerimi dhe institucionet tjera jobankë), kompani për financim alternativ, akceleratorë, inkubatorë dhe partnerë tjerë për mbështetje të zhvillimit të bizneseve të vogla, rregullatorë dhe institucione të caktuara qeveritare. Shumica e të anketuarve ishin përfaqësues të institucioneve financiare tradicionale (banka dhe institucione jobankë), ndërsa numri i pjesëmarrësve të të tjerë në ekosistem ishte më i vogël, i cili në të vërtetë përkon me strukturën aktuale të sistemit financiar në vend dhe rezultatet fillestare të hartëzimit të ekosistemit.
Lidhur me mundësitë dhe përfitimet nga zhvillimi i sektorit fintech në vendin tonë, shumica e të anketuarve mendojnë se: Sektori fintach mund të sigurojë një numër më të madh të mundësive dhe shërbime të mira, para së gjithash për konsumatorët, por edhe për bizneset e vogla. Një të njëjtën kohë, ata ndajnë mendimin se sektori fintech ka potencial të rrisë përfshirjen financiare, si dhe të ndihmojë për harmonizimin e sistemit financiar me përvojat më të mira ndërkombëtare. Gjithashtu, një pjesë më e vogël e të anketuarve mendojnë se zhvillimi i sektorit fintech do të forcojë sistemin financiar dhe se zhvillimi i sektorit fintech do të ndihmojë në integrimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian.
Sa u përket rreziqeve dhe sfidave nga zhvillimi i sektorit fintech, rezultatet nga Anketa tregojnë se sfida kryesore nga zhvillimi i sektorit fintech janë rreziqet për sigurinë, për shkak të sulmeve kibernetike, krimit financiar dhe pastrimit të parave. Këto janë rreziqet më shpesh të përmendura në nivel global kur bëhet fjalë për rreziqet dhe sfidat lidhur me sektorin fintech.
Kuadri rregullator që mbështet zgjidhje inovative, duke marrë parasysh rreziqet e mundshme, është në themelin e zhvillimit të sektorit fintech, transformimit dixhital dhe modernizimit të sistemit financiar. Të gjithë grupet e të anketuarve i referohen rregullimit të sistemit të pagesave si një nga pengesat më të mëdha për zhvillim të sektorit fintech. Kjo pengesë do të kapërcehet me zbatimin e Ligjit të ri për sistemet e pagesave dhe shërbimet e pagesave, i cili do të miratohet këtë vit. Me atë do të krijohen kushte për hyrje të institucioneve të reja në treg. Me rregulloren e re në fushën e shërbimeve të pagesave do të rritet konkurrenca, do të përmirësohen shërbimet për qytetarët dhe kompanitë dhe në atë mënyrë do të sigurohet mbështetje për zhvillimin e sektorit fintech.
Nga teknologjitë që mundësisht do të kishin ndikim më të madh në periudhën e ardhshme 3 deri 5 vjeçare, shumica e të anketuarve veçojnë: inovacionet në pagesa, analizat për përdorimin e bazave të mëdha të të dhënave (Big data analytics), programet kompjuterike që nxisin bisedë me njerëz (Chatbots).
Studimi i fizibilitetit, i cili përmban informacione më të hollësishme për rezultatet e Anketës, do të shërbejë si një bazë për diskutime më të hollësishme me institucionet financiare, rregullatorët dhe palët tjera të interesuara për ndërmarrjen e aktiviteteve të mëtejshme për mbështetje të zhvillimit të fintech. Një nga aktivitetet kyçe për këtë qëllim do të jetë përpilimi i një strategjie nacionale për mbështetje të zhvillimit të sektorit fintech që planifikohet të përgatitet gjatë këtij viti.
Studimin e fizibilitetit dhe prezantimin e përmbledhjes së rezultateve nga Anketa mund ta gjeni përmes lidhjes në vijim: Porta e Inovacionit > Dokumente