Shkup, 7 dhjetor 2023
Bankat e Maqedonisë së Veriut, të mirëkapitalizuara dhe likuide, në periudhën e kaluar u përballën me disa kriza. Rezistenca e tyre ndaj krizës ishte për shkak të forcimit të bilanceve të tyre prej para periudhës së pandemisë. Banka Popullore vazhdoi edhe më tutje me përforcimin e rezistencës së sistemit bankar edhe në periudhën pas krizës së pandemisë, duke vendosur kështu masa makroprudenciale. Edhe përkundër kujdesit të madh dhe shtrëngimit monetar, sektori bankar edhe në periudhën e kaluar ka ofruar mbështetje solide kreditore si për kompanitë ashtu edhe për amvisëritë, me rritje prej rreth 10% vitin e kaluar dhe 6% këtë vit, theksoi guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoska në diskutimin e saj në Samitin Bankar të Shoqatës së Bankave në Serbi, i cili u mbajt në Beograd.

Në panelin e diskutimit kushtuar aktualitetit dhe sfidave të sektorit bankar nga këndvështrimi i rregullatorëve, guvernatorja Angellovska-Bezhoska theksoi se nëse shtrëngimi i politikës monetare është i shpejtë, agresiv dhe pason pas një periudhë të gjatë të politikës monetare të lehtësuar dhe nëse rregullativat makroprudenciale dhe mbikëqyrëse janë më të dobëta, kjo mund të ketë ndikim domethënës në stabilitetin e sektorit bankar. Prandaj, pavarësisht se sektori bankar vendas hyri fuqishëm në periudhën e krizës, Banka Popullore është ende e kujdesshme dhe forcon rezistencën e sistemit përmes masave makroprudenciale. Guvernatorja vuri theksin tek vendosja e shtresës mbrojtëse kundërciklike të kapitalit, si dhe masat për cilësinë e huamarrësve. Duke folur për treguesit e sektorit bankar, Angellovska-Bezhoska theksoi se viteve të fundit është rritur përshtatshmëria e kapitalit, cilësia e kapitalit ka arritur nivelin më të lartë historikisht, ndërsa likuiditeti është tradicionalisht i lartë, ndërsa baza e depozitave tregon rritje në depozitat afatgjata dhe depozitat në denarë, ndërsa cilësia e aktivës është më e mirë në krahasim me periudhën para pandemisë.

Duke folur për sfidat afatmesme dhe afatgjata në sektorin bankar, guvernatorja Anegllovska-Bezhoska theksoi se përveç fragmentimit gjeoekonomik, rrezik i konsiderueshëm janë edhe ndryshimet klimatike. Kur bëhet fjalë për sektorin bankar të vendit, më shumë se gjysma e ekspozimit të përgjithshëm kreditor të bankave ndaj kompanive është ndaj sektorëve që janë të ndjeshëm ndaj politikave klimatike. Nga këtu, banka qendrore ka ndërmarrë disa aktivitete për trajtimin e rreziqeve të ndryshimeve klimatike, ndër të cilat është miratimi i planit afatmesëm të aktiviteteve, si dhe miratimi i udhëzimeve për bankat për përfshirjen e rreziqeve klimatike në kornizat e tyre të menaxhimit me rreziqet. Përndryshe, kreditë e gjelbra, në katër vitet e fundit janë rritur me më shumë se dy herë në totalin e portofolit të kredisë së bankave.
Në panelin e diskutimit në të cilin foli guvernatorja Angellovska-Bezhoska, morën pjesë edhe guvernatorja e Bankës Popullore të Serbisë, guvernatori i Bankës Popullore të Kroacisë, viceguvernatori i Bankës Qendrore të Bosnje dhe Hercegovinës, kryetari i Komisionit të Letrave me Vlerë të Serbisë, si dhe drejtori i Mbikëqyrjes së bankës qendrore të Malit të Zi.