Këshilli i Bankës Popullore mbajti mbledhjen e rregullt në të cilën u shqyrtua dhe miratua Raporti i fundit tremujor i cili përfshin parashikimet e fundit makroekonomike të Bankës Popullore
Shkup, 7 dhjetor 2020
Ndryshe nga parashikimet e prillit, cikli i fundit i parashikimeve makroekonomike supozon efekte të vazhduara afatgjate nga pandemia e Kovid-19 mbi ekonominë globale dhe atë të brendshme. Sipas vlerësimeve aktuale, pasojat e krizës do të ndihen edhe në vitin 2021, ndërsa rimëkëmbja e plotë dhe kompensimi i humbjeve ekonomike pritet të ndodhë në vitin 2022. Skenari makroekonomik dhe rreziqet rreth tij në masë të madhe janë të kushtëzuara nga zhvillimi i krizës shëndetësore në korniza globale, gjegjësisht nga trajtimi i pandemisë dhe pasojave të saj mbi sjelljen dhe pritjet e subjekteve ekonomike. Tani për tani, duke pasur parasysh se goditja e Kovid është e një natyre joekonomike, nuk pritet të ketë efekte të konsiderueshme mbi potencialin afatgjatë të rritjes ekonomike.
Në përputhje me këtë kontekst, me një mjedis të jashtëm më pak të favorshëm, por edhe performancë më të dobët në gjysmën e parë të këtij viti, parashikimet e fundit tregojnë rënie të aktivitetit ekonomik prej 4,9% në vitin 2020 dhe rimëkëmbje graduale me një intensitet prej 3,9% dhe 3,6% në dy vitet e ardhshme. Me këtë, është bërë një rishikim për poshtë i parashikimeve për rritje në raport me prillin, i cili është pasojë e kohëzgjatjes së pandemisë dhe ndikimit të saj mbi të gjithë pikat e ekonomisë. Rimëkëmbja e aktivitetit ekonomik në vitin 2021-2022 pritet të mbështetet nga kërkesa e brendshme, në kushte të stabilizimit të tregut të punës, vazhdimësisë së flukseve të kredisë, rritjes së besimit, si dhe mbështetjes së mëtejshme fiskale të konsumit, dhe në veçanti investimeve. Në të njëjtën kohë, pritet një shtysë për rritje nga segmenti i eksporteve, i cili po rimëkëmbet relativisht shpejt, mbështetur nga riaktivizimi i shpejt i zinxhirëve të prodhimit global dhe në periudhën e ardhshme nga rimëkëmbja e kërkesës së huaj.
Inflacioni mbetet i ulët dhe i qëndrueshëm, megjithëse më i lartë se vlerësimet e prillit për vitin 2020. Në vitin 2020 pritet një inflacion prej mesatarisht 1,1%, gjë që është mbi vlerësimet e prillit prej 0%. Këto devijime në masë të madhe pasqyrojnë efektet mbi furnizimin nga zinxhirët e furnizimit për shkak të pandemisë, por edhe efektet e saj mbi strukturën e kërkesës. Për vitin 2021 dhe 2022, parashikimet aktuale mbeten të pandryshuara dhe tregojnë inflacion prej mesatarisht 1,5% dhe 2% në kushte të rimëkëmbjes graduale të kërkesës dhe rritjes së konsiderueshme të çmimeve të importit. Pasiguria e lartë lidhur me dinamikën e ardhshme të çmimeve të bursës të produkteve parësore mbetet faktori kryesor i rrezikut të parashikimit.
Pavarësisht goditjes së shkaktuar nga pandemia, pozicioni i jashtëm i ekonomisë mbetet i qëndrueshëm. Sa i përket llogarisë korrente, këtë vit pritet një deficite prej 3,7% të PBB-së, që paraqet një zgjerim të lehtë krahasuar me vitin paraprak, i nxitur nga teprica më e vogël në transfertat private. Gjegjësisht, masat për kufizimin e infeksionit viral dhe kufizimet në lëvizjen ndërkombëtare të njerëzve çuan në rënie të dukshme të dërgesave në para, pjesërisht të zbutur nga ridestinimi i flukseve hyrëse të valutave përmes kanaleve zyrtare. Për periudhën e ardhshme pritet një zgjerim i vogël i deficitit në këmbimin e mallrave dhe shërbimeve, me rimëkëmbjen e eksporteve, por edhe presioneve më të mëdha të importit në kushte të një aktiviteti më dinamik ekonomik. Nga ana tjetër, normalizimi i situatës me pandeminë pritet të çojë në rritje graduale të dërgesave të parave. Në rrethana të këtilla, deficiti në llogarinë korrente do të mbetet i moderuar në nivelin e 2,6% të PBB-së në vitin 2021, dhe vlerësohet zvogëlimi i tij prej mesatarisht 1,6% të PBB-së në periudhën e ardhshme. Sa i përket financimit, duke pasur parasysh qasjen e pandërprerë në tregjet financiare ndërkombëtare, pritet një huamarrje shtesë e jashtme si nga sektori publik ashtu edhe privat, si dhe një fluks investimesh të huaja. Në periudhën e parashikimeve, rezervat valutore shënojnë rritje, ndërsa treguesit e mjaftueshmërisë mbeten në zonë të sigurt.
Aktiviteti i kredisë i sistemit bankar në periudhën e krizës vazhdon të jetë një prej faktorëve të rëndësishëm për mbështetje të rritjes ekonomike. Flukset e kredisë në nëntë muajt e parë të këtij viti janë më të larta se pritjet, në kushte të rritjes më dinamike të bazës depozituese në krahasim me pritjet dhe lehtësim i mëtejshëm i kushteve të kredisë. Kontribut në këtë drejtim kishin edhe masat e Bankës Popullore nga fillimi i krizës, të cilat ishin në drejtim të lehtësimit të politikës monetare dhe mundësimin e fleksibilitetit rregullator. Në fund të vitit 2020 pritet që mbështetja kreditore të shënojë një rritje prej 5,3% në bazë vjetore, dhe deri në fund të periudhës së parashikimeve kjo normë vlerësohet të përshpejtojë në 8%. Këto parashikime bazohen në pritjet për rritje të mëtejshme të depozitave, si burim themelor i financimit, në kushte të rritjes më dinamike të ekonomisë dhe flukseve valutore shtesë. Gjithashtu, pritet përmirësim i perceptimeve për rrezik nga bankat, si dhe prirje më të madhe për huamarrje mes normalizimit të pritshëm të flukseve.
Rreziqet rreth parashikimeve vazhdojnë të vlerësohen si dukshëm në rënie dhe janë pothuajse tërësisht të lidhura me pandeminë e Kovid-19. Rreziku kryesor për poshtë lidhet me rivendosjen e mundshme të masave të rrepta kufizuese për parandalimin e zgjerimit të virusit, si përgjigje për valën e dytë tashmë aktuale të pandemisë, si dhe trajtimit më të ngadaltë të virusit sesa pritjet aktuale. Mirëpo, nga ana tjetër, përparimi më i shpejtë në trajtimin e korona virusit, si dhe në zhvillimin e vaksinës janë faktorë optimistë. Nëse kërcënimi nga korona virusi tejkalohet më shpejt se sa pritet, besimi i shtuar mund të rrisë ndjeshëm aktivitetin ekonomik global.
Siç u theksua në mbledhjen e Këshillit, Banka Popullore vazhdimisht monitoron zhvillimin e ngjarjeve, përfshirë edhe rreziqet e mundshme nga mjedisi, dhe nëse është e nevojshme, është e gatshme të rregullojë politikat në mënyrën e duhur dhe në kohë të ndërmarri masa shestë në pajtim me kompetencat e saj.