Këshilli i Bankës Popullore sot mbajti mbledhjen e tij të rregullt në të cilën u shqyrtua dhe miratua Raporti i fundit tremujor, nëntor 2019.
Raporti gjithashtu përfshin edhe parashikimet e fundit makroekonomike të Bankës Popullore që parashohin një ambient të brendshëm stabil, prurje të mëtutjeshme të investimeve të huaja, vazhdim të ciklit të infrastrukturës publike, si dhe rritje të kërkesës së huaj edhe pse më të moderuar krahasuar me parashikimet e prillit. Brenda këtyre parashikimeve u ruajtën vlerësimet për rritje të ekonomisë së brendshme, e cila këtë vit do të arrijë 3,5%, dhe gradualisht do të përshpejtojë në 3,8% në vitin 2020 dhe 4% në vitin 2021 dhe 2022, me rreziqe më të theksuara për poshtë. Një dinamikë e tillë e rritjes pritej në ciklin e parashikimeve të prillit dhe nuk u bënë ndryshime të mëdha në burimet e pritura të rritjes. Shtysë pozitive për rritjen edhe më tej pritet të jetë kërkesa e brendshme, me rritje të mëtejshme të konsumit privat dhe rikuperimin e aktivitetit investues, ndërsa kontributi i eksporteve ne të vlerësohet si negativ.

Sa i përket trajektores së ardhshme të zhvillimeve të çmimeve në ekonominë vendase, parashikimet e fundit tregojnë ruajtje të ambientit të çmimeve stabile dhe mungesë të presioneve më të rëndësishme të inflacionit. Performancat e ulëta dhe pritjet për presione më të dobëta nga çmimet e importit rezultuan me rishikim në rënie të parashikimeve të inflacionit në 1% për këtë vit dhe 1,5% për vitin e ardhshëm, përkundër pritjeve paraprake 1,5% dhe 2%, përkatësisht sipas parashikimit të prillit. Dhe sipas perceptimeve të fundit, si në ciklin e mëparshëm të parashikimeve, dinamika e rritjes së çmimeve vendase në vitet 2020 dhe 2021 pritet të jenë rreth 2%.
Sa i përket sektorit të jashtëm, vlerësimet e fundit për pozicionin e bilancit të pagesave tregojnë një pozicion të jashtëm të favorshëm me mungesë të çekuilibrimeve në ekonomi. Deficiti i llogarisë korrente në periudhën 2019-2022 pritet të jetë i moderuar dhe të arrijë mesatarisht 1,5% të PBB-së, ngjashëm si në parashikimet e prillit dhe të financohet nëpërmjet rrjedhave jo-borxh dhe të borxhit. Treguesit për mjaftueshmërinë e rezervave valutore tregojnë se ato gjenden në zonë të sigurt gjatë gjithë periudhës së parashikimeve.
Aktiviteti kreditues i sektorit bankar vazhdon të vlerësohet si faktor i rëndësishëm për mbështetje të rritjes ekonomike. Duke pasur parasysh mbështetjen e rritur kredituese në tre tremujorët e parë, si dhe pritjet që e njëjta të vazhdojë deri në fund të vitit, për tërë vitin 2019 pritet që rritja kreditore të arrijë 5,4% gjegjësisht rreth 7% nëse izolohen ndryshimet rregullaore. Njëjtë si në parashikimet e prillit, për vitin e ardhshëm 2020 pritet rritje vjetore e aktivitetit kreditues prej rreth 8%, ndërsa dinamika e këtillë e rritjes mesatarisht do të mbahet edhe në periudhën e viteve 2021-2022. Këtë vit, pritet që totali i depozitave në sistemin financiar të shënojë rritje në 9,6% ndërsa për periudhën 2020-2022 rritja mesatare do të arrijë 8,5% njëjtë si në parashikimet e prillit.
Rreziqet rreth skenarit makroekonomik kryesisht vlerësohen për poshtë. Vlerësimet e këtilla kanë të bëjnë kryesisht me rreziqet e jashtme, në kushte të një ambienti global më pak të favorshëm dhe pasigurisë së rritur globale, të shkaktuar nga tensionet tregtare në rritje, pasigurinë rreth procesit të Bregzit, rreziqet gjeopolitike, ndryshueshmëria e kushteve në tregjet financiare. Sa i përket ambientit të brendshëm, krahasuar me muajin prill, një pasiguri më e shprehur është e pranishme, mirëpo përsëri vlerësohet se efektet e mundshme do të jenë të përkohshme.
Siç u theksua në mbledhjen e Këshillit, Banka Popullore edhe në periudhën e ardhme do të monitorojë nga afër zhvillimet, si dhe ndryshimet në mjedisin vendas dhe të jashtëm, në kontekst të zbatimit të politikës monetare.