7 maj 2022
Kërcënimet e reja dhe të paprecedenta që solli kriza e kovidit, kanë dëshmuar se sektori bankar në rajon dhe në vendin tonë është rezistent ndaj goditjeve dhe ka kapacitet për t'iu përgjigjur sfidave të cilat mund të lindin nga konflikti ruso-ukrainas. Me qëllim të mbrojtjes së ekonomive dhe sistemeve financiare nga cenueshmëria, është e rëndësishme që politika monetare të kthehet gradualisht në normalitet. Këtë e theksoi guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoska, e cila mori pjesë në Takimin e Dhjetë Vjetor Rajonal të Guvernatorëve dhe Bankierëve, i cili po mbahet në Rovinj të Kroacisë.
Në bisedën për sektorin bankar të vendit tonë, guvernatorja Angellovska-Bezhoska theksoi se bankat e kanë ruajtur ciklin e kreditimit në kushtet komplekse të pandemisë, ndërsa kreditimi është forcuar edhe më shumë që nga fillimi i vitit.
“Kreditimi është rritur për 10% në muajin mars, përmes së cilës, rritja e kreditimit për sektorin e korporatave ka tejkaluar rritjen tek amvisëritë. Kreditë me probleme mbetën të ulëta në nivel prej 3,1% në mars, që paraqet një nga normat më të ulëta midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë, si dhe më e mirë në krahasim me nivelet para pandemisë. Bankat kanë në dispozicion kapital të mjaftueshëm, i cili është një avantazh i rëndësishëm në përvetësimin e rreziqeve. Ekspozimi financiar i vendit tonë ndaj Rusisë dhe Ukrainës është mjaft i ulët, ndërkohë që nuk kemi prezencë të bankave ruse dhe ukrainase. “Stres-testet e rregullta tregojnë gjithashtu se sistemi bankar në tërësi është rezistent ndaj goditjeve të mundshme”, tha Angellovska-Bezhoska.
Ajo shtoi se sfidat me të cilat përballet sektori bankar në vendin tonë erdhën kryesisht nga spekulimet për stabilitetin e kursit të këmbimit, të cilat ishin mjaft të theksuara që nga fillimi i krizës ruso-ukrainase. Megjithatë, falë niveleve tradicionalisht të larta të likuiditetit të bankave vendase, si dhe reagimit vendimtar të Bankës Popullore, situata po stabilizohet me shpejtësi.
“Niveli i rezervave valutore mbetet solid dhe i përshtatshëm për të garantuar stabilitetin e kursit të këmbimit. Përveç kësaj, qasja deri te repo-linja e veçantë, e siguruar nga Banka Qendrore Europiane, është mekanizëm shtesë mbrojtës i cili e mbështet stabilitetin e kursit të këmbimit" vuri në dukje guvernatorja.
Ajo theksoi se edhe pse pritshmëritë për rritje ekonomike si në Europë ashtu edhe në rajon kanë rënë, gjithsesi projeksionet për këtë vit janë akoma pozitive. Kreditimi është i moderuar dhe i matur. Raporti i borxhit ndaj të ardhurave është rreth 40%, që konsiderohet në nivel të kujdesshëm dhe në pajtim me limitet europiane. Kjo do të thotë se përdoruesit e kredive janë më pak të cenuar nga zhvillimet, përfshirë efektet e shtrëngimit të mundshëm të politikës monetare. Me rëndësi të veçantë është se nëse politika monetare kthehet në normalitet, kjo duhet bërë gradualisht për të shmangur cenueshmëritë e mundshme”, tha guvernatorja.
Në manifestimin në të cilin mori pjesë Angellovska-Bezhoska foli edhe Klaus Regling, kreu i Mekanizmit Europian të Stabilizimit, si dhe guvernatorët e bankave qendrore në rajon, gjegjësisht ai i Kroacisë - Boris Vujçiq, i Sllovenisë - Boshtjan Vasle, i Bosnjë dhe Hercegovinës - Senad Softiq dhe i Malit të Zi - Radoje Zhugiq. Takimi vjetor është i synuar për guvernatorët e bankave qendrore, monetaristët, kryetarët e bankave tregtare rajonale dhe anëtarët e bordeve, si dhe përfaqësuesit e institucioneve financiare ndërkombëtare, me qëllim për të diskutuar temat dhe politikat aktuale. Temat e diskutimit në Takimin e këtij viti janë rimëkëmbja ekonomike në kuadrin e fillimit të konfliktit në Ukrainë dhe sanksioneve ndaj Rusisë, pasiguria dhe sektori financiar, inflacioni dhe politika monetare.