Shkup, 6 dhjetor 2024
Sistemet bankare në rajon e përballuan me sukses krizën dhe rezistenca e tyre u forcua më tej, duke ofruar mbështetje financiare për ekonomitë. Në lidhje me sistemin bankar maqedonas, edhe përkrah krizave, mjaftueshmëria e kapitalit u forcua, kreditë me probleme ranë në nivele të ulëta historikisht, likuiditeti është ende solid dhe i qëndrueshëm dhe kreditimi është në nivel solid. Kjo tregon kryesisht se sistemi bankar ka kapacitet për të ofruar mbështetje për rritjen ekonomike, sidomos për investimet. Megjithatë, qasja në financa duhet të përmirësohet dhe niveli i aktivitetit kreditor duhet të vazhdojë të rritet. Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pesha e kredive në PBB varion nga 45 në 55% të PBB-së, ndërsa në BE mbi 80% të PBB-së. Këtë e bëri të ditur guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoska në panelin e guvernatorëve që u zhvillua në kuadër të Samitit të Bankave, organizuar nga Shoqata e Bankave të Serbisë në Beograd. Në panelin e diskutimit përkrah guvernatores morën pjesë edhe kolegët e saj nga rajoni, guvernatorja e Serbisë Jorgovanka Tabakoviq, guvernatori i Kroacisë, Boris Vujçiq, si dhe viceguvernatori i Malit të Zi, Nikola Fabris dhe viceguvernatori i Bosnjë dhe Hercegovinës, Marko Vidakoviç.
Në panelin e diskutimit u theksua se përkundër krizave të mëvonshme, vazhdon të ketë konvergjencë të vendeve të rajonit drejt BE-së, por më e ngadaltë. Guvernatorja Angellovska-Bezhoska vuri në dukje humbjet e konsiderueshme ekonomike nga krizat e ndodhura në vitet e fundit, me simulimet që tregojnë se nëse nuk do të ndodhnin, konvergjenca do të ishte 5 pikë përqindjeje më e lartë, ndërsa niveli i prodhimit të brendshëm bruto do të ishte më i lartë me 8% në fund të vitit 2024. Në të njëjtën kohë, nëse ekonomia maqedonase vazhdon të rritet me normën mesatare historike të PBB-së për frymë, do të duhen 40 vjet për të arritur nivelet e të ardhurave të BE-së, gjë që vetëm tregon rëndësinë e tejkalimit sa më të shpejtë të pengesave strukturore ekzistuese për rritjen ekonomike, për të cilën do të nevojitet financimi i duhur.
Prandaj, padyshim një nga faktorët për përshpejtimin e konvergjencës, përveç produktivitetit dhe fuqisë punëtore, është gjithashtu edhe qasja deri në financa. Në panelin e diskutimit, guvernatorja Angellovska-Bezhoska vuri në dukje se sipas pyetësorit të OECD-së mbi progresin e konvergjencës, qasja deri në financa është ende sfidë për rajonin, veçanërisht qasja në burime alternative të financimit. Indeksi i FMN-së që mat jo vetëm sasinë, por edhe sofistikimi i ndërmjetësimit financiar, tregon se rajoni është dukshëm prapa BE-së. Prandaj, promovimi i mëtejshëm i avancimit financiar në rajon do të jetë ndër prioritetet për përshpejtimin e konvergjencës edhe në të ardhmen.
Guvernatorja Angellovska-Bezhoska vuri në dukje se përmirësimi i mëtejshëm i ndërmjetësimit financiar në rajon mund të arrihet duke inkurajuar kursimet e brendshme, duke drejtuar pjesë të kursimeve të parave të gatshme në euro në sistemin financiar, rritjen e qasjes në burimet e jashtme të financimit duke tërhequr investime të huaja direkte në sistemin financiar, rritja e konkurrencës, digjitalizimi dhe përfshirja, diversifikimi i burimeve të financimit dhe integrimi i mëtejshëm në sistemet financiare europiane, duke përfshirë edhe anëtarësimin në SEPA, për të cilën tashmë vendi ynë ka dorëzuar kërkesë dhe së shpejti pret përgjigje pozitive nga institucionet përkatëse europiane.