Shkup, 6 dhjetor 2021
Projeksionet e Bankës Popullore, të cilat janë shumë afër parashikimeve të institucioneve financiare ndërkombëtare, tregojnë për një rimëkëmbje të mëtejshme graduale të ekonomisë maqedonase - për vitin e ardhshëm pritet rritje prej 3,9%, me çka do të arrihet dhe do tejkalohet niveli i rritjes ekonomike para krizës. Megjithatë, ka rreziqe që lidhen para së gjithash me zhvillimin e mëtejshëm të pandemisë me shfaqjen e llojeve të reja, që kërkon monitorim të kujdesshëm të gjendjes ekonomike dhe reagimit në kohë nga politikëbërësit, në rast nevoje. Edhe në periudhën e përballjes me pandeminë, zbatimi i reformave strukturore është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse ato janë parakusht për rritje të qëndrueshme dhe më të lartë ekonomike.
Këto janë disa nga konkluzionet që u prezantuan në takimin e rregullt të punës mes presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski dhe guvernatores së Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska. Në takim, ku morën pjesë zëvendësguvernatorët e Bankës Popullore dhe përfaqësues të ekipit të ekspertëve të Presidentit, u diskutua për të arriturat ekonomike të këtij viti dhe për pritjet dhe vlerësimet e Bankës Popullore për periudhën e ardhshme, sipas parashikimeve të fundit.
Guvernatorja iu referua edhe strukturës së pritshme të rritjes ekonomike, duke theksuar se ende vlerësohet se do të rrjedhë nga kërkesa e brendshme.
“Edhe në këtë periudhë të përballjes me pandeminë, nuk duhen harruar reformat strukturore, të cilat janë vendimtare për ekonominë. Zbatimi i mëtejshëm i reformave strukturore është veçanërisht i rëndësishëm për të rritur potencialin afatgjatë të ekonomisë maqedonase, për të zvogëluar cenueshmërinë dhe, rrjedhimisht, për të rritur hapësirën e politikave për t'u përballur më mirë me goditjet e ardhshme. Në kushte kur hapësira për reagim ndaj politikave makroekonomike është zvogëluar, duhet fokusuar në politika dhe masa të synuara që do të mbështesin transformimin e ekonomisë pas krizës.”- theksoi ndër të tjera Angelovska-Bezhoska.
Në takim u theksua se është shumë e rëndësishme që Banka Popullore të monitorojë vazhdimisht zhvillimet dhe rreziqet, dhe si institucion i pavarur dhe profesional, është gjithmonë i gatshëm, nëse është e nevojshme, të reagojë në mënyrë të duhur në kuadër të kompetencave të saj, për të arritur stabilitet makroekonomik dhe të mbështesë ekonominë maqedonase, duke arritur me sukses qëllimet dhe objektivat e saj ligjore.
Në bisedë u theksua se gjatë gjithë krizës, stabiliteti i sistemit bankar është jashtëzakonisht i rëndësishëm, i cili i dha mbështetje ekonomisë dhe pritet të mbështesë rritjen ekonomike në periudhën e ardhshme, duke pasur parasysh qëndrueshmërinë ndaj goditjeve, të treguar në testimet e fundit të stresit. Në veçanti, mbështetja e kredisë për ekonominë mbetet solide, me një rritje prej rreth 7% këtë vit dhe duke u përshpejtuar gradualisht në rreth 8% në periudhën afatmesme. Pritshmëritë për lëvizjen e depozitave janë të ngjashme.
Në të njëjtën kohë, në takim u hapën pyetje edhe për aktivitetet që Banka Popullore planifikon për periudhën e ardhshme, mbrojtjen e konsumatorëve shfrytëzuesve të shërbimeve financiare dhe edukimin financiar dhe efektet e pritshme nga miratimi i Ligjit të ri për shërbimet e pagesave dhe sistemet e pagesave.