Me iniciativë të Bankës Popullore do të përgatitet Strategji kombëtare për mbështetje të zhvillimit të fintech sektorit në vendin tonë. Me qëllim zbatimin e saj të suksesshëm do të ndërmerren edhe një sërë aktivitetesh të reja dhe të përbashkëta të rregulluesve financiar për të siguruar mbështetje për ofruesit e shërbimeve financiare, në mënyrë që ata të mund në mënyrë të përshtatshme dhe pa rreziqe të fusin dhe aplikojnë inovacione në sistemin tonë financiar. Në këtë drejtim, tashmë janë ndërmarrë hapa më konkrete, njëra prej të cilave është Porta e Inovacionit e cila është hapur kohëve të fundit. Përmes saj, disa ndërmarrje tashmë kanë kontaktuar Bankën Popullore në lidhje me zhvillimin dhe aplikimin e inovacioneve në fushën e shërbimeve dhe produkteve financiare. Kjo u tha në fillim të Punëtorisë dedikuar teknologjive financiare, e cila sot u organizua nga Banka Popullore, me mbështetje të Fondit Evropian për Evropën Juglindore (EFSE).

Me fjalën e saj përshëndetëse, punëtorinë e hapi guvernatorja Anita Angelovska-Bezhoska. „Mundësitë e shumta të ofruara nga teknologjitë financiare mund të ulin ndjeshëm kostot e përdoruesve të shërbimeve financiare, si dhe rrisin efikasitetin dhe konkurrencën e ofruesve të këtyre shërbimeve. Me rëndësi të veçantë është se ato do të mundësojnë një spektër më të madh të shërbimeve financiare në vendin tonë dhe do të lehtësojnë qasjen e qytetarëve dhe sektorit të korporatave në shërbime. Përfitimet për ekonominë tonë do të ishin shumë domethënëse, edhe pse përdorimi i plotë i përfitimeve nga inovacionet financiare nuk është një proces afatshkurtër.“ - theksoi ajo.
Guvernatorja theksoi se aplikimi i inovacioneve dhe përfitimi nga avancimi teknologjik në fushën financiare mund të kontribuojë në arritjen e një dinamike më të fortë të rritjes ekonomike dhe gjithëpërfshirjen e tij më të gjerë, duke përshpejtuar kështu procesin e konvergjencës reale të ekonomisë sonë me atë evropiane.
„Për ekonomitë e vogla, siç është e jona, inovacionet financiare mund të luajnë një rol të rëndësishëm në lehtësimin e integrimit tregtar. Instrumente më të përshtatshme dhe më të lira të pagesave digjitale mund të jenë bazë për lehtësimin e procesit për tregti ndërkufitare, përfshirë edhe zhvillim më të shpejtë të tregtisë elektronike. Ekziston një konsensus i gjerë se ekonomitë e vogla nuk mund të jenë më të pasura pa rritur eksportet e tyre dhe pa thelluar integrimin e tyre në flukset ekonomike ndërkombëtare. Me aktivitetet që mbështesin zhvillimin e fintech sektorit, në vendin tonë do të gjithashtu do të mbështetet edhe përshpejtimi i eksporteve tona dhe integrimin tonë më të madh në ekonominë ndërkombëtare.“ - theksoi Angelovska-Bezhoska, me ç’rast iu drejtua sfidave që inovacionet financiar u sjellin rregullatorëve financiarë.

Punëtorinë e udhëheq eksperti ndërkombëtarë i kësaj fushe, Xhej Tikam. Në punëtori marrin pjesë përfaqësues të të gjithë rregulluesve të sistemit tonë financiar. Parashihet që përmes punës ndërvepruese në grupe, sot ata të analizojnë më shumë çështje të rëndësishme që duhet të mbulohen nga Strategjia kombëtare. Ndër të tjera, në punëtori, theksi do të vendoset mbi zbatimin e përvojave më të mira ndërkombëtare në këtë fushë, përfshirë edhe në pjesën e legjislacionit dhe mbikëqyrjes. Njëkohësisht, rëndësi e veçantë do t’i kushtohet edhe përcaktimit të aktiviteteve për forcim të mëtejshëm të kapaciteteve në vendin tonë, me qëllim monitorim të vazhdueshëm të tendencave në fushën e inovacioneve financiare dhe gatishmërisë për trajtim të sfidave, si dhe përdorimin e përfitimeve në ekonomi.
Kjo punëtori është pjesë e aktiviteteve të cilat Banka Popullore i zbaton në këtë periudhë në pajtim me përgatitjen e rregullores së re ligjore për shërbimet e pagesave e cila do të krijojë kushte për konkurrencë më të lartë dhe shërbime më të mira për qytetarët dhe sektorin e korporatave në pjesën e shërbimeve të pagesave. Pas ngjarjes së sotme, EFSE do të mbështesë Bankën Popullore në aktivitetet e mëtejshme për përgatitjen e Strategjisë kombëtare për mbështetje të zhvillimit të fintech sektorit.
Në periudhën e kaluar, ky Fond i rëndësishëm ka mbështetur edhe një sërë projektesh tjera në veprimtarinë e bankës qendrore në vendin tonë.
