Shkup, 6 nëntor 2020
Politika monetare e Bankës Qendrore Evropiane (BQE) ka efekte pozitive të transmetimit mbi ekonominë maqedonase dhe mbi ekonomitë e rajonit tonë në përgjithësi. Kjo u mundëson sektorëve publikë dhe privatë të kenë qasje të papenguar në financim përmes tregjeve financiare ndërkombëtare. Kontribuon gjithashtu për më shumë hapësirë për zbatimin e një politike të relaksuar monetare nga banka jonë qendrore, dhe kështu për kushte më të favorshme të financimit të brendshëm. Nëse masat e BQE-së japin rezultatin e pritur në mbështetje të një rimëkëmbje më të fortë të ekonomisë së Bashkimit Evropian (BE), duke pasur parasysh se ajo është partneri ynë kryesor tregtar, përmes kanalit tregtar, kjo gjithashtu do të ketë efekte pozitive për ekonominë maqedonase.
Këtë, ndër të tjera, e deklaroi guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska, në Konferencën për Integrimin Ekonomik Evropian, e cila tradicionalisht organizohet nga Banka Qendrore Austriake, dhe këtë vit mbahet me video konferencë, në bashkëpunim me think-tank-un (trup ekspertësh) evropian të specializuar në ekonomi „Brojgel“. Edicioni i sivjetshëm i Konferencës titullohej "Evropa Qendrore, Lindore dhe Juglindore në Krizën e Kovidit - roli i BE-së dhe përhapjet globale", dhe Angelovska-Bezhoska ishte folëse në një panel diskutimi mbi efektet e politikës monetare dhe pikëpamjet e bankave qendrore mbi krizën aktuale, në të cilin morën pjesë disa guvernatorë të BE-së.
Guvernatorja në fjalën e saj, ndër të tjera, theksoi se gjatë kësaj krize, megjithëse me një ritëm më të ngadaltë, flukset e hyrëse të kapitalit vazhduan, dhe në të njëjtën kohë normat e interesit në eurozonë dhe likuiditeti i lartë në tregjet financiare ndërkombëtare ndikuan në mënyrë të favorshme në koston e sigurimit të mbështetjes financiare për të gjitha ekonomitë në rajon.
„Në fillim të krizës, tregjet financiare ndërkombëtare shpejt forcuan kushtet e tyre, veçanërisht për ekonomitë në zhvillim, por pas reagimit të intensifikuar të BQE-së dhe bankave qendrore të më shumë ekonomive më të përparuara, besimi i investitorëve u rrit, tregjet u stabilizuan dhe normat e interesit ranë. Krahasuar me krizën financiare globale, duke pasur parasysh reagimet aktuale më të shpejta dhe të guximshme të bankave qendrore, shtrëngimi i kushteve në tregjet financiare ishte më i vogël dhe stabilizimi i kushteve financiare ishte më i shpejtë. Kjo ishte veçanërisht e rëndësishme për ne dhe për vendet e tjera të rajonit. Kjo është arsyeja pse ne nuk u përballëm me një dalje të kapitalit, megjithëse ka prurje më të vogla.“ - theksoi Angelovska-Bezhoska.
Gjatë panel diskutimit, ajo adresoi çështje të tjera të rëndësishme - për instrumentet ekonomike të BE-së, masat makroprudenciale dhe pritjet për inflacionin në periudhën e ardhshme.
Angelovska-Bezhoska gjithashtu shfrytëzoi pjesëmarrjen e saj në Konferencë për të shkëmbyer mendime me homologët e saj të BE-së mbi perceptimet e sfidave të mëtejshme të politikës monetare.
Përndryshe, Konferenca për Integrimin Ekonomik Evropian konsiderohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme në komunitetin e bankingut qendror, i cili tradicionalisht diskuton çështje kyçe për ekonominë evropiane.