Shkup, 6 prill 2023
“Stabiliteti i kursit të denarit edhe gjatë krizës së fundit u tregua si spirancë e stabilitetit në ekonominë vendase. Strategjia e kursit fiks të këmbimit parandaloi presione më të mëdha inflacioniste, si dhe kontribuon në ruajtjen e stabilitetit financiar duke marrë parasysh euroizimin relativisht të lartë në portofolin e kredisë së sistemit bankar.” Këto ishin disa nga mesazhet e guvernatores së Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoska, në tryezën e rrumbullakët të guvernatorëve, në kuadër të Takimit Rajonal të Guvernatorëve, i cili mbahet në Opatija të Kroacisë.
Në tryezën e rrumbullakët të guvernatorëve me temë "Të kapur në shakullinë: politikat monetare dhe ekonomitë e vogla të hapura në kushtet e inflacionit të lartë 2.0", përveç guvernatores së Bankës Popullore, morën pjesë Boris Vujçiq, guvernator i Bankës Qendrore të Kroacisë, Boshtjan Vasle, guvernator i Bankës Qendrore të Sllovenisë, Senad Softiq, guvernator i Bankës Qendrore të BH-së, Radoje Zhugiq, guvernator i Bankës Qendrore të Malit të Zi, si dhe profesori universitar Sasha Drezgiq, dekan i Fakultetit Ekonomik në Rijekë. Guvernatorët bazuar në përvojat e tyre folën për politikat monetare në kushtet e rritjes inflacioniste, si dhe për hapësirën e veprimit të bankave qendrore të ekonomive më të vogla të hapura në kushtet e goditjeve inflacioniste globale. Pas fjalimeve në panelin e diskutimit, guvernatorët iu përgjigjën edhe pyetjeve të studentëve të pranishëm në këtë eveniment.
Në kontekst të ruajtjes së kursit fiks të këmbimit të denarit, me këtë edhe të stabilitetit makroekonomik dhe financiar në vend, guvernatorja theksoi nivelin e duhur të rezervave valutore, të cilat sipas të dhënave të fundit arrijnë në 4,2 miliardë euro. Ky është nivel historikisht i lartë dhe është tregues kyç i kapacitetit për të zbatuar me sukses strategjinë monetare. Ajo gjithashtu theksoi se që nga fillimi i krizës energjetike, për shkak të presioneve të larta të importit, për të ruajtur stabilitetin, Banka Popullore ka ndërhyrë në tregun valutor, gjë që ka bërë të mundur përmbushjen e kërkesës më të lartë për likuiditet valutor. Që nga korriku i vitit të kaluar, tregu i këmbimit valutor është stabilizuar ndjeshëm dhe Banka Popullore ka ndërhyrë në blerjen e valutave, e cila së bashku me financimin e jashtëm ka ofruar mbështetje shtesë për rezervat valutore.
Këtë vit pritet ulje e deficitit tregtar me stabilizimin gradual të çmimeve të bursës (veçanërisht të energentëve), që do të kontribuojë në presione më të vogla ndaj importit, por edhe me konjukturë më të favorshme për pjesë të sektorit të eksporteve. Kjo, së bashku me rrjedhat shtesë përmes llogarisë financiare, do të forconte më tej rezervat valutore si bazë për ruajtjen e stabilitetit të kursit të këmbimit.