Intervistat për Radion Shtetërore Australiane SBS dhe për revistën elektronike „Antoris“
Shkup, 5 gusht 2020
Dërgesat në valutë nga emigrantët dhe personat që përkohësisht punojnë jashtë vendit janë të rëndësishme për ekonominë maqedonase. Dërgesat, përveç që janë një burim i konsiderueshëm shtesë i të ardhurave për disa amvisëri, të cilat e përmirësojnë standardin e tyre të jetesës, ato kanë një rëndësi më të gjerë makroekonomike, duke rritur potencialin e këmbimit valutor të ekonomisë. Dërgesat janë një burim i rëndësishëm i fondeve në llogarinë rrjedhëse të bilancit të pagesave dhe ndihmojnë në mirëmbajtjen e një deficiti të ulët të llogarisë rrjedhëse.
Kjo u theksua nga guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska, në intervistat për Radion Shtetërore Australiane SBS dhe për revistën elektronike „Antoris“.
Gjatë intervistave, guvernatorja iu referua sasisë së dërgesave të dërguara gjatë viteve të kaluara, duke theksuar se është vështirë të tregohet një shumë e saktë, për shkak të përfaqësimit më të madh të dërgesave në para.
„Sipas vlerësimeve tona që bëhen sipas metodologjisë së harmonizuar me FMN-në, shuma e këtyre dërgesave, nga vitit 2009 e këtej, tejkalon 1 miliard euro në vit, gjegjësisht është mesatarisht rreth 16% e PBB-së.“ - thekson Angelovska-Bezhoska.

Lidhur me pritjet për këtë vit, guvernatorja thekson se duke pasur parasysh specifikën e tronditjes globale të shkaktuar nga pandemia e Kovid-19, një nga kanalet përmes të cilit mund të pritet të transferohet kriza në ekonominë vendase janë pikërisht dërgesat. Ajo gjithashtu iu referuar edhe parashikimeve të Bankës Popullore, sipas të cilave këtë vit pritet zvogëlim i dërgesave, që është në pajtim me pritjet dhe vlerësimet e Bankës Botërore për zvogëlim të transferimeve private në nivel global.
Angelovska-Bezhoska gjithashtu foli edhe për kanalet përmes të cilëve emigrantët dhe personat që përkohësisht punojnë jashtë vendit mund t’i dërgojnë paratë drejt vendit tonë - transferim standard ndërbankar dhe transferim i shpejtë i parave.
„Me modernizimin e rregullores tonë në fushën e shërbimeve të pagesave dhe harmonizimin e saj me direktivat dhe rregulloret evropiane në këtë fushë, atë që presim të ndodhë së shpejti është paraqitja e formave të reja më moderne për kryerjen e transaksioneve të pagesave. Për këtë qëllim, punohet në përfundimin e Ligjit të ri për shërbime të pagesave dhe sisteme të pagesave i cili do të ofrojë kornizë rregullatore stimuluese për paraqitjen e ofruesve të rinj të shërbimeve të pagesave, përfshirë edhe në këtë pjesë. Më konkretisht, pritjet janë që mënyrat elektronike të transferimit të fondeve do të përdoren më shumë, kryesisht në formën e aplikacioneve të pagesave që do t’i ofrojnë institucionet e pagesave dhe të cilat do të mundësojnë lidhje me llogaritë në bankat e paguesve dhe pranuesve të fondeve edhe kur ata gjenden në kontinente të ndryshme. Në fund të fundit, institucione të tilla të pagesave tashmë ekzistojnë në vendet më të zhvilluara evropiane.“ - thekson guvernatorja.
Gjatë intervistave, Angelovska-Bezhoska rikujton se sistemi bankar në vendin tonë është i harmonizuar me standardet e sigurisë për SWIFT.
Intervistën për Radion SBS mund ta gjeni në: lidhje
Intervistën për revistën elektronike „Antoris“ mund ta gjeni në: lidhje
Foto: „Ekonomist“ (“The Economist”)