Shkup, 5 shkurt 2025
Normat e interesit për bonot e thesarit u ulën për 0,2 p.p., normat e tjera të interesit janë të pandryshueshme- ruhet natyra e kujdesshme e politikës monetare
Më 4 shkurt 2025, u mbajt mbledhja e rregullt e Këshillit Ekzekutiv për qëndrimin e politikës monetare të Bankës Popullore, në të cilën u shqyrtuan të dhënat dhe informacionet e fundit për ekonominë globale dhe vendase dhe zhvillimet e fundit në tregjet financiare ndërkombëtare dhe vendase në kuadër të qëndrimit të politikës monetare.
Në mbledhje u vlerësua se përkundër trendeve relativisht të favorshme të deritanishme, rreziqet ende ekzistojnë dhe janë më të theksuara. Prandaj, u vendos që të vazhdohet me normalizim të kujdesshëm të qëndrueshmërisë së politikës monetare. Rrjedhimisht, në mbledhje u vendos që norma e interesit të bonove të thesarit të ulet për 0,2 p.p., nga niveli prej 5,35%. Normat e interesit të depozitave njëditore dhe 7 ditore janë të pandryshueshme. E pandryshueshme është edhe oferta e bonove të thesarit në ankandin e rregullt dhe shënon 10 miliardë denarë.
Ky ndryshim në qëndrimin monetar është reflektim i prirjeve të favorshme në inflacion dhe në rezervat valutore, ndërkohë edhe më tej janë prezente dhe më të theksuara rreziqet nga mjedisi i jashtëm. Gjithashtu, ekzistojnë rreziqe nga faktorë të brendshëm që ndikojnë në kërkesën agregate. Për sa i përket rreziqeve të jashtme, shpallja e masave të reja proteksioniste mund të nxisë presione të reja inflacioniste globale. E dukshme është edhe luhatshmëria e tregjeve të produkteve primare, e ndikuar nga konteksti i paqëndrueshëm gjeopolitik dhe faktorët klimatikë. Në raport me politikën e Bankës Qendrore Europiane (BQE-së), faktor që Banka Popullore gjithashtu e ka parasysh, në mbledhjen e fundit të janarit, u soll vendim për ulje të normave të intresit për 0,25 p.p., që është ulja e pestë me rradhë që nga qershori i vitit të kaluar.
Edhe më tej pritet që niveli i normave të interesit, së bashku me ndryshimet e deritanishme të rezervës së detyrueshme dhe masave makroprudenciale të ndërmarra do të sjellin stabilitet të çmimeve në afat mesatar dhe stabilitet të kursit të denarit ndaj euros.
Inflacioni lëviz në korniza të pritshmërive. Norma vjetore e inflacionit në dhjetor të vitit 2024 shënonte 4,4% dhe u ruajt sipas pritshmërisë në nivel të ngjashëm si në nëntor, e ndikuar nga baza e krahasimit në të njëjtën periudhë të një viti më parë, për shkak të masave të marra në atë kohë për të kufizuar përkohësisht rritjen e çmimeve. Dinamika vjetore e çmimeve të ushqimeve dhe e inflacionit bazë mbeten të qëndrueshme, ndërkohë që rënia e çmimeve të energjisë po ngadalësohet mesatarisht. Gjithashtu, norma mesatare e arritur e inflacionit në vitin 2024 është 3,5% dhe është në të njëjtin nivel me normën e parashikuar, sipas ciklit të projeksionit të tetorit. Në anketat e janarit të KE-së për pritshmëritë e konsumatorëve, mbizotërojnë pritjet për ulje çmimesh në periudhën e ardhshme. Për sa i përket pritshmërive për çmimet e produkteve primare në bursë, sipas parashikimeve të fundit për vitin 2025, është bërë një rishikim në rritje për çmimin e naftës dhe një rishikim në rënie për produktet ushqimore bazë. Megjithëse lëvizjet e inflacionit janë në pajtim me pritjet, ekzistojnë rreziqe dhe kërkohet monitorim i kujdesshëm.
Situata në tregun valutor është vazhdimisht e qëndrueshme dhe lëvizjet janë të favorshme. Vitin e kaluar, rezervat valutore u rritën pak më shumë se sa pritej, duke e çuar nivelin e rezervave valutore në 5.019 milionë euro në fund të dhjetorit. Ky është një nivel i përshtatshëm për ruajtjen e stabilitetit të kursit të këmbimit të monedhës vendase. Rritja kryesisht rrjedh nga blerja e devizave në tregun valutor nga Banka Popullore. Për sa i përket të dhënave të fundit të disponueshme nga sektori i jashtëm, deficiti tregtar në periudhën tetor - nëntor 2024 është aktualisht më i ulët krahasuar me pritjet për tremujorin e katërt të ciklit të projeksionit të tetorit. Ecuria e tregut të këmbimit valutor në fund të muajit dhjetor është në linjë me flukset neto të parashikuara nga transferimet private.
Për sa i përket rritjes ekonomike, të dhënat e disponueshme me frekuencë të lartë për periudhën tetor-nëntor tregojnë rritje të mëtejshme në tremujorin e fundit të vitit 2024. Konkretisht, qarkullimi në ndërtim dhe hotelieri po shënon rritje reale të përshpejtuar, dhe zhvillimet në industri në tremujorin e katërt janë të ngjashme, gjë që mbështet pritjet për përshpejtim të lehtë të rritjes ekonomike në tremujorin e fundit të 2024, për dallim nga tregtia ku rritja reale është më e moderuar. Për sa i përket rreziqeve për rritjen në periudhën e ardhshme, ato ende ekzistojnë dhe lidhen kryesisht me zhvillimet në mjedisin e jashtëm, por edhe me intensitetin dhe dinamikën e zbatimit të projekteve të infrastrukturës vendase.
Në sektorin monetar, depozitat dhe kreditë shënuan norma solide të rritjes në muajin dhjetor dhe zhvillimet janë dukshëm më të mira se sa pritej për tremujorin e fundit të vitit, duke treguar një mbështetje më të madhe kreditore për ekonominë sesa pritej.
Në përgjithësi, zhvillimet e fundit te treguesit kryesorë makroekonomikë, si dhe vështrimet mbi rrugën e tyre në të ardhmen, kanë krijuar një mundësi për normalizim të mëtejshëm të kujdesshëm të politikës monetare. Rreziqet nga mjedisi i jashtëm vazhdojnë të ekzistojnë dhe janë më të theksuara, si dhe po monitorohen nga afër rreziqet nga faktorët e brendshëm që mund të ndikojnë në kërkesën dhe çmimet në periudhën në vijim. Prandaj, ndjekja e politikave të kujdesshme makroekonomike do të jetë prioritet edhe në të ardhmen. Banka Popullore mbetet e gatshme të përdorë të gjitha instrumentet e nevojshme dhe të marrë masat e duhura që do të kontribuojnë në ruajtjen e stabilitetit të kursit të këmbimit të denarit ndaj euros dhe stabilitetin e çmimeve në afat të mesëm.