Shkup, 4 nëntor 2022
Duhet kohë për efektet e duhura të shtrëngimit të politikës monetare, veçanërisht nëse kjo ndodh gradualisht, në mungesë të presioneve të theksuara nga ana e kërkesës dhe në drejtim të ruajtjes së stabilitetit. Megjithatë, në muajt e fundit, vërehet lëvizje në rritje e normës së interesit e depozitave në denarë, thotë në intervistën për Bankarstvo.mk, viceguvernatorja e Bankës Popullore, Emilija Nacevska.
Ajo thekson se për të ruajtur stabilitetin afatmesëm të çmimeve, që në fakt është edhe synimi, bankat qendrore të pothuajse të gjitha ekonomive të botës po punojnë për stabilizimin e pritjeve inflacioniste të shkaktuara nga kriza aktuale globale, nëpërmjet shtrëngimit të politikës monetare, respektivisht duke rritur normën bazë të interesit, duke ndikuar kështu në presionet nga ana e kërkesës. Sigurimi i stabilitetit të çmimeve është çelësi i ruajtjes së stabilitetit makroekonomik dhe mbështetjes së rritjes ekonomike.
“Qëllimi i këtyre politikave është mbi të gjitha ankorimi i pritjeve inflacioniste. I gjithë procesi zhvillohet gradualisht, duke analizuar në detaje të gjitha të dhënat dhe zhvillimet në botë dhe në vend dhe duke pasur si prioritet stabilitetin makroekonomik dhe financiar. Sektori bankar është stabil, i kapitalizuar në mënyrë adekuate dhe i ofron mbështetje adekuate sektorit privat”, thekson Nacevska.
Në intervistë, Nacevska thekson se rritja e normës bazë të interesit plotësohet me masat për ndryshime në sistemin e rezervës së detyrueshme, për të nxitur denarizimin, gjegjësisht kursimet në denarë, përmes hapësirës që u është lënë bankave në mënyrë që ato të ofrojnë kushte të interesit më të favorshëm për depozitat në denarë. Viceguvernatorja në intervistë e thekson sigurinë që ofron për subjektet ekonomike dhe popullatën strategjia e përdorur prej kohësh e kursit të qëndrueshëm nominal të denarit ndaj euros, për të cilën Banka Popullore do të vazhdojë të avokojë.
“Masat për korrigjimin e rezervës së detyrueshme për shkak të denarizimit më të madh dhe normave më të larta të interesit për depozitat në denarë do të kontribuonin në rritjen e kursimeve në denarë. Pritet që prirja e rritjes së depozitave të vazhdojë edhe në periudhën afatmesme”, thotë viceguvernatorja dhe thekson se rritja e depozitave në muajin shtator është 3,4% në nivel vjetor, kryesisht si rezultat i rritjes së depozitave në sektorin e amvisërive prej 5,3%.