Shkup, 4 qershor 2021
„Kjo punëtori, e cila është pjesë e serisë të punëtorive elektronike të Bankës Popullore, është në funksion të përpjekjeve tona të vazhdueshme për transparencë dhe llogaridhënie. Pikërisht kjo është arsyeja pse banka jonë qendrore, së bashku me pesë banka tjera qendrore, është e përfshirë në projektin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili adreson pajtueshmërinë me standardet më të reja dhe më të larta ndërkombëtare dhe me praktikat më të mira për transparencë të bankave qendrore - Kodeksin për transparencës të bankave qendrore, të miratuar vitin e kaluar. Në Planin e hartuar Strategjik të Bankës Popullore për periudhën e ardhshme trevjeçare, transparenca dhe llogaridhënia veçohen si synimi kryesor strategjik i institucionit tonë, i cili përfshin një sërë aktivitetesh të mëtejshme. Duke pasur parasysh interesin e publikut dhe mediave për funksionin mbikëqyrës të institucionit tonë, punëtoria e sotme i dedikohet pikërisht kësaj teme, ndërsa në periudhën e ardhshme do të pasojnë edhe punëtori tjera.“
Kjo u theksua nga guvernatorja, Anita Angelovska-Bezhoska, në fjalën e saj me të cilën e hapi Punëtorinë për funksionin mbikëqyrës të Bankës Popullore, e cila u mbajt dje në kuadër të serisë së punëtorive elektronike për gazetarë në organizim të Bankës Popullore.
Në punëtori, drejtori i Drejtorisë për Mbikëqyrje dhe Licencim, Ilija Andovski mbajti një prezantim interaktiv për mandatin e Bankës Popullore lidhur me mbikëqyrjen e bankave dhe shtëpive të kursimit, duke iu referuar më shumë çështjeve - cilat janë, dhe cilat nuk janë detyrat e mbikëqyrjes, çfarë përmban mbikëqyrja nga jashtë dhe ajo në terren, si përcaktohet mostra për analizën e rrezikut të kredisë, si zhvillohen kontrollet e proceseve mbikëqyrjes, si shqiptohen masat mbikëqyrëse etj.
„Banka Popullore e kryen funksionin mbikëqyrës përmes një monitorimi të vazhdueshëm nga jashtë të punës së bankave me mbledhjen dhe analizën e raporteve dhe të dhënave që i parashtrojnë bankat dhe me kontroll të drejtpërdrejtë në terren në vetë bankë. Gjithashtu, gjatë procesit mbikëqyrës zhvillohen kontakte me anëtarët e organeve të bankës dhe bashkëpunohet dhe shkëmbehen të dhëna dhe informacione me organe tjera mbikëqyrëse.“ - theksoi Andovski.
Ai iu referua çështjes së detyrës së mbikëqyrësve, me ç’rast, ndër të tjera, theksoi se ata nuk i përcaktojnë politikat afariste dhe kriteret për miratimin e kredive - rezultatet financiare, arritjet, pranueshmërinë e kolateralit, nivelin e ekspozimit, si dhe se nuk marrin vendime për miratimin e kredive, por se në pajtim me ligjin, kjo është detyrë e bordeve të kredisë, bordit të drejtorëve ose bordit mbikëqyrës së bankës komerciale.
Duke shpjeguar proceset e mbikëqyrjes nga jashtë dhe në terren, ai gjithashtu u përqendrua në sqarimin e rëndësisë së mostrës së rrezikut të kredisë, duke pasur parasysh se në masë të madhe mbikëqyrja në terren bazohet tek ajo.
„Në pajtim me praktikat dhe standardet më të mira ndërkombëtare, mostra e pasqyron punën e një banke. Nëse banka u jep hua më së shumti personave juridikë, atëherë pjesa më e madhe e mostrës mbulon personat juridikë, dhe nëse u jep hua individëve, mostra mbulon disa produkte që banka ka krijuar për segmentin „amvisëri“. - theksoi Andovski.
Duke i shtjelluar hollësisht masat mbikëqyrëse, drejtori i Drejtorisë për Mbikëqyrje nga Jashtë dhe Licencim theksoi se në pajtim me ligjin, detyrimi për të vepruar sipas masave bie mbi bordi mbikëqyrës dhe bordi i drejtorëve të bankës.
Në bisedën që pasoi pas prezantimit, në të cilën gazetarët-pjesëmarrës bënë pyetje shtesë, mori pjesë edhe drejtoresha gjenerale e Sektorit për Mbikëqyrje, Viktoria Gligorova dhe në punëtori gjithashtu mori pjesë edhe drejtori i Drejtorisë për Mbikëqyrje në Terren, Erenst Vejseli.
Në fund të punëtorisë, drejtoresha Gligorova informoi se në periudhën e ardhshme në internet faqen e Bankës Popullore, si dhe përmes kanaleve zyrtare në rrjetet shoqërore, së shpejti do të fillohet edhe me publikimin e materialeve edukative për mbikëqyrjen, të cilët ekipi i Bankës Popullore do të përpiqet t’i bëjë sa më të kuptueshme për publikun.