Shkup, 4 prill 2023
Sipërmarrja e grave luan rol kryesor në krijimin e vendeve të punës dhe nxitjen e rritjes ekonomike. Rrjedhimisht, ofrimi i qasjes në financa për këto kompani të vogla dhe të mesme është jashtëzakonisht i rëndësishëm për ekonominë në tërësi. Mbështetja për qasje më të madhe të grave sipërmarrëse në financa, pasurimi i bazës së të dhënave për kreditë e kompanive me të dhëna për përkatësinë gjinore, si dhe rritja e ndërgjegjësimit për rëndësinë e barazisë gjinore në dhënien e kredive, ishte temë diskutimi në takimin e guvernatores së Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoska dhe pjesë e ekipit nga banka qendrore, si dhe zëvendësdrejtoresha e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), e cila është përgjegjëse për financat gjithëpërfshirëse, përfshirjen gjinore dhe ekonomike, Oksana Pak, përfaqësuesja e BERZh-it në vend, Andi Aranitasi, dhe pjesë e ekipit nga BERZh-i.
Në takim u ra dakord që Banka Popullore të jetë pjesë e zbatimit të pilot projektit të BERZh-it në vend, i cili do të përfshijë disa aspekte, duke përfshirë pasurimin e bazave të të dhënave të kredive me të dhëna gjinore, si dhe trajnime për të nxitur ndërgjegjësimin më të madh për nevojat e grave sipërmarrëse gjatë kreditimit. Ndryshe, mbështetja e BERZh-it për përfaqësim më të madh të grave në biznes, përmes programit me të njëjtin emër që e zbatojnë, është në disa nivele, nga qasja në financa, deri te këshillimi i biznesit, zhvillimi i aftësive, njohurive dhe qasja në burime për zhvillim të sipërmarrjes.
Promovimi i përfshirjes financiare, si dhe edukimi financiar si bazë për përfshirje më të madhe, janë synimet strategjike të Bankës Popullore. Barazia gjinore, si aspekt i përfshirjes financiare, është gjithashtu pjesë e prioriteteve. Përmes edukimit për mundësitë dhe detyrimet e huadhënësve dhe përdoruesve të kredive, është e mundur të kontribuohet në përmirësimin e qasjes të grave sipërmarrëse në financa në vend.
Sipas të dhënave të paraqitura në Strategjinë e Barazisë Gjinore të BERZh-it 2021 - 2025, nga njëqind sipërmarrës në botë, vetëm 37 janë gra, ndërsa 63 janë burra dhe vetëm 55% e popullsisë femërore të aftë për punë është e punësuar. Ndryshimi i këtyre raporteve do të kontribuojë në forcimin e kohezionit dhe do të mbështesë funksionimin e ekonomisë së tregut, ekonomitë do të bëhen më elastike, do të inkurajohet inovacioni dhe do të mbështetet rritja ekonomike.