Shkup, 4 mars 2021
Viceguvernatorja Ana Mitreska në panel diskutimin e „Wood & Company“ për politikën monetare në vitin 2021
Viceguvernatorja e Bankës Popullore, Ana Mitreska, mori pjesë në panel diskutimin me temë „Politika monetare në vitin 2021“, të organizuar nga banka e njohur e investimeve „Wood & Company“. Paneli diskutoi çështje në lidhje me pasojat nga kriza e koronës mbi rritjen ekonomike gjatë vitit të kaluar dhe perspektivat ekonomike për këtë vit, dhe në veçanti u shqyrtuan masat e deritanishme monetare dhe pritjet për pozicionimin monetar në periudhën e ardhshme.
Në fjalën e saj, Mitreska theksoi se duke pasur parasysh forcën dhe natyrën e jashtëzakonshme të krizës së koronës, ekonomia maqedonase po ecën relativisht më mirë në raport me disa vende në rajon.
„Me lehtësimin e masave për të parandaluar përhapjen e virusit dhe riaktivizimin e zinxhirëve të prodhimit global, rënia e ekonomisë në gjysmën e dytë të vitit është ngadalësuar ndjeshëm. Duke pasur parasysh përfshirjen në zinxhirët e prodhimit global dhe pjesëmarrjen gjithnjë e më të vogël të shërbimeve në flukset totale, ekonomia në një periudhë afatshkurtër i rezistoi më lehtë barrës së krizës.“ - tha viceguvernatorja.
Lidhur me perspektivat për këtë vit, në panel diskutim u theksuan pritjet për rimëkëmbje, në mes të pritjeve globale për një situatë më të mirë epidemiologjike, ruajtjen e kushteve të favorshme financiare dhe forcim të mëtejshëm të besimit, gjë që do të ketë efekte pozitive transferimi në ekonominë e vendit.
„Ngjashëm si bankat tjera qendrore, Banka Popullore në vitin 2020 siguroi stimul monetar dhe fleksibilitet rregullator, i cili i dha mbështetje të rëndësishme ekonomisë përmes lehtësimit të kushteve financiare dhe sigurimit të likuiditetit shtesë në sistemin bankar.“ - theksoi Mitreska në lidhje me çështjen e politikës monetare.
Lidhur me pozicionimin e ardhshëm monetar, viceguvernatorja theksoi se politika monetare do të vazhdojë të jetë e relaksuar si mbështetje në procesin e rimëkëmbjes së ekonomisë dhe mirëmbajtjen e ciklit të kredisë në kushte të një niveli të rehatshëm të rezervave valutore. Ajo theksoi se mirëmbajtja e ciklit të kredisë është një reflektim i pozicionit të favorshëm të likuiditetit dhe kapitalit të sistemit bankar, dhe në vijë me forcimin e tij të mëtejshëm është edhe vendimi i bankës Popullore për kufizim të përkohshëm për shpërndarjen dhe pagimin e dividendit tek aksionarët e bankave.