Shkup, 3 dhjetor 2024
Delegacioni i Bankës Popullore, i përbërë nga guvernatorja, Anita Angellovska-Bezhoska dhe drejtoresha e përgjithshme e Sektorit të mbikëqyrjes, Viktorija Gligorova, ndodhet në vizitë pune në Bankën e Greqisë, në kuadër të angazhimeve për nxitjen e bashkëpunimit rajonal me bankat qendrore dhe përcaktimin e prioriteteve të përbashkëta ekonomike dhe financiare. Gjatë vizitës, guvernatorja Angellovska-Bezhoska pati takim me kolegun e saj, Janis Sturnarasin, guvernatorin e bankës qendrore të Greqisë, ndërsa delegacioni u takua edhe me zëvendësguvernatoren, Kristina Papakonstantinu dhe drejtorin e përgjithshëm të mbikëqyrjes dhe ndërhyrjen mbi bankat, Joanis Cikripis.
Gjatë takimit u shtjelluan disa tema me interes të përbashkët të dy bankave qendrore. Ndërkaq, theksi u vëndua në ruajtjen e stabilitetit financiar si parakusht i rritjes ekonomike. U arrit në përfundim se në kushtet e pasigurisë në kuadrin botëror, me rëndësi të madhe është ndërtimi i rezistencës së sistemeve bankare, duke përfshirë sigurimin e shtresave mbrojtëse të kapitalit. Gjithashtu u diskutuan tema që kanë të bëjnë me modernizimin e sistemeve financiare dhe digjitalizimin.

Në takim u theksua përkushtimi i dy bankave qendrore për thellimin e bashkëpunimit përmes nismave për shkëmbimin e njohurive dhe përvojës dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Guvernatorja Angellovska-Bezhoska theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për përcaktimin e sfidave komplekse: “Në ekonominë e sotme botërore të integruar, bashkëpunimi ndërmjet bankave qendrore është thelbësor për sigurimin e stabilitetit financiar, nxitjen e rritjes së qëndrueshme dhe përparimin rajonal. Duke thelluar bashkëpunimin me Bankën e Greqisë, ne mund të punojmë së bashku në dobi të stabilitetit financiar dhe zhvillimit ekonomik të vendeve tona dhe të rajonit”, theksoi Angellovska-Bezhoska.
Guvernatori Janis Sturnaras i mirëpriti në takimin e punës guvernatoren Anita Angellovska-Bezhoskën dhe drejtoreshën e përgjithshme të Sektorit të mbikëqyrjes, Viktorija Gligorovën. “Diskutuam zhvillimet makroekonomike dhe financiare në vendet tona, si dhe mënyrat për të përmirësuar bashkëpunimin në sektorin bankar dhe për të mbrojtur stabilitetin financiar në rajon, theksoi Janis Sturnaras.
Kjo vizitë pune është edhe një dëshmi e përkushtimit të Bankës Popullore për ndërtimin e partneriteteve rajonale, duke kontribuar në stabilitetin në rajonin e Europës Juglindore.