Shkup, 3 dhjetor 2021
Ndryshimet klimatike mund të ndikojnë në stabilitetin e çmimeve dhe stabilitetin financiar, pra, në qëllimet e bankave qendrore. Prandaj, bankat qendrore, veçanërisht ato të ekonomive më të zhvilluara, në periudhën e kaluar i kanë kushtuar më shumë vëmendje financave të gjelbërta. Banka Popullore deri më tani ka ndërmarrë disa hapa për këtë qëllim, duke përfshirë vendosjen e financave të gjelbërta si qëllim strategjik dhe antarësim në Rrjetin Ndërkombëtar të Financave të Gjelbërta. Këtë e theksoi guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska, në Konferencën Vjetore të Kombeve të Bashkuara: "Si të sigurojmë financim të zhvillimit të qëndrueshëm", në panel diskutimin "Çka mund të bëjnë bankat dhe kompanitë për zhvillimin e qëndrueshëm?"
"Vlerësohet se dëmi ekonomik nga ndryshimet klimatike është rreth 25% e PBB-së globale. FMN vlerëson se katastrofat natyrore si pasojë e ndryshimeve klimatike po zvogëlojnë rritjen mesatarisht me 0.4 pikë përqindje, dhe në ekonomitë më pak të zhvilluara deri në 0.7 pikë përqindje. Vlerësohet se efekti negativ në periudhën e ardhshme do të jetë edhe më i madh, veçanërisht në ekonomitë më pak të zhvilluara, duke theksuar nevojën për të forcuar aktivitetet e bartësve të politikave, por edhe bashkësinë ndërkombëtare" tha guvernatorja Angelovska-Bezhoska.
Bankat qendrore theksin më të madh e vendosin në zgjedhjen e instrumenteve të tyre monetare dhe menaxhimin e rezervave valutore, pikërisht në zbulimin e rreziqeve nga ndryshimet klimatike. Transparenca në këtë fushë po rritet, bëhet fjalë për përcaktimin e ekosistemit, zhvillimin e sistemeve të të dhënave statistikore etj.
"Banka Popullore gjithashtu ka një rol proaktiv në këtë fushë. Në vitin 2021, u krye një studim ndërmjet bankave komerciale rreth zbatimin aktual të konceptit të "financave të gjelbërta". Sipas sondazhit, rreth 70% e bankave aprovojnë kredi për projekte që kanë ndikim pozitiv në mjedis, ndërsa rreth 43% e bankave kanë krijuar sistem formal për identifikimin e projekteve të gjelbërta. Kreditë jeshile arrijnë rreth 150 milionë euro, ose vetëm 2.5% të kredive totale. Sidoqoftë, interesi po rritet, vitin e kaluar pati rritje prej 23%, dhe që nga shtatori, u shënua rritje e mëtejshme prej rreth 6% ", theksoi guvernatorja.
"Në përgjithësi, gjetjet e Anketës, të cilat nuk ndryshojnë shumë nga sondazhet e BE-së, tregojnë se pjesa aktuale e financave të gjelbërta është relativisht më e vogël, por që bankat u japin një avantazh më të madh kredive jeshile, të cilat janë potencial domethënës për financimin e projekteve mjedisore dhe në përgjithësi, për rritje të qëndrueshme", tha Angelovska-Bezhoska.
Për sa u përket aktiviteteve të ardhshme të Bankës Popullore në lidhje me financat e gjelbërta, guvernatorja theksoi se banka do të përqendrohet në grumbullimin e të dhënave më të hollësishme, analiza të rreziqeve nga ndryshimet klimatike për sistemin bankar dhe përgaditjen e udhëzimeve për bankat për financat e gjelbërta, si dhe është planifikuar testimi i stresit të qëndrueshmërisë së sistemit bankar ndaj ndryshimeve klimatike.