Paris-Shkup, 3 nëntor 2021
Në fillim të këtij viti, Banka Popullore u bë anëtare e rrjetit ndërkombëtar për sistem financiar të gjelbër, i cili aktualisht numëron 100 anëtarë dhe 16 mbikëqyrës nga bankat qendrore dhe institucionet mbikëqyrëse në mbarë botën. Me këtë banka qendrore bën pjesë në grupin e bankave të cilat kanë synime të qarta dhe të forta brenda kompetencave të tyre për të kontribuar në zhvillimin e menaxhimit të rreziqeve në sektorin financiar që rrjedhin nga ndryshimet klimatike.
Sot, Rrjeti për sistem financiar të gjelbër, me pjesëmarrjen e bankës sonë qendrore, publikoi deklaratë të përbashkët për financat e gjelbra - Deklarata e Glasgout. Deklarata është në dispozicion në lidhjen e mëposhtme: https://www.ngfs.net/sites/default/files/medias/documents/ngfsglasgowdeclaration.pdf
"Me rastin e Konferencës së Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike në vitin 2021, përsërisim gatishmërinë tonë për të kontribuar në përgjigjen globale të nevojshme për të përmbushur objektivat e Marrëveshjes së Parisit, dhe për këtë qëllim do të zgjerojmë dhe forcojmë përpjekjet tona kolektive për të gjelbëruar sistemin financiar.”- u theksua gjatë publikimit të Deklaratës së Glasgout, mbështetur edhe nga Banka Popullore.
Në Deklaratë theksohet se sipas raportit të tij për "thirrje për veprim", Rrjeti po zhvillon një gamë të gjerë mjetesh analitike dhe praktike të shkëmbimit, veçanërisht në fushat e mbikëqyrjes së kujdesshme, analizës së skenarëve klimatikë, investimeve të përgjegjshme dhe më shumë.
Banka Popullore, si anëtare e rrjetit, ka planin e saj të veprimit, me aktivitete specifike në kuadër të kompetencave të saj. Këto angazhime tashmë janë të përcaktuara në Planin Strategjik të Bankës Popullore për periudhën 2022-2024, ku për herë të parë si qëllim i veçantë strategjik është vendosur edhe rritja e ndërgjegjësimit për ndryshimet klimatike dhe kontributi për një ekonomi të gjelbër të qëndrueshme.
Ndër të tjera:
- Do të kryhen hulumtime mbi ndryshimet klimatike dhe rreziqet që lidhen me të, për të kuptuar ndikimin e tyre në ekonominë vendase.
- Do të shqyrtohet mundësia e vlerësimit të efekteve të ndryshimeve klimatike në sektorin bankar duke kryer analiza të skenarëve klimatikë dhe kryerjen e testeve të stresit të sektorit bankar.
- Do të kryhet një anketë midis bankave për të marrë të dhëna dhe informacione që do të mundësojnë analizën e dobësive të mundshme në sektorin bankar që rrjedhin nga rreziqet e ndryshimeve klimatike.
- Banka Popullore do të shqyrtojë dhe vlerësojë perspektivat për ndërtimin e një portofoli të bonove të gjelbra, duke investuar në instrumente financiare që mbështesin projekte me ndikim pozitiv në mjedis, dhe në të njejtën kohë duke siguruar kthime financiare konkurruese.
Qëllimi kryesor i Rrjetit të sistemit financiar të gjelbër është që anëtarët të shkëmbejnë përvojat dhe të ndajnë praktikat më të mira mbi baza vullnetare. Banka Popullore tashmë është e përfshirë në mënyrë aktive në aktivitetet e Rrjetit.