Si çdo kontratë, edhe kontrata për kredi konsumatore përmban dispozita për të drejtat dhe detyrimet e palëve kontraktuese - banka dhe debitori Për t’i kushtuar më shumë vëmendje detyrimeve kontraktuese të të dy palëve kontraktuese, ligjvënësi ose rregullatori varësisht nga llojit të nënshkrimit ligjor, zakonisht përshkruan një listë të detyrueshme me informacione parakontraktuese të cilat banka është e obliguar t’i sigurojë debitorit përpara lidhjes së kontratës. Këto informacione parakontraktuese duhet të mundësojnë kuptim më të mirë të obligimeve në të ardhmen dhe pasqyrë për të gjithë çështjet e rëndësishme për kredinë. Nëpërmjet përpunimit të një formularit të veçantë me informacione parakontraktuese dhe dorëzimi i tij deri tek klienti mundësohet informim më i mirë gjatë marrjes së vendimit për lidhjen e marrëveshjes për kredi, që është një nga praktikat më të përdorura në botë në fushën e edukimit financiar.
Në kornizën rregullatore të vendit tonë në këtë fushë, informacionet parakontraktuese parashihen vetëm për kreditë konsumtoare. Bëhet fjalë për disa grupe informacionesh kyçe, duke filluar nga të dhënat dhe informacionet për produktin kreditor, që përmbajnë kushte për përdorimin e kredisë, shumën dhe valutën në të cilën është shprehur kredia (nëse është e mundur në kredinë devizore edhe kursi i këmbimit i cili do të zbatohet për pagesën e mjeteve dhe pagesën e kësteve të kredisë). Afati përfundimtar i shlyerjes dhe lloji i kolateralit për kredinë (nëse kërkohet), janë gjithashtu pjesë e detyrueshme e këtij grupi informacionesh. Për klientin edhe shlyerjen e ardhshme të detyrimeve të kredisë është e dobishme llogaritja e shlyerjeve (plani i amortizimit) dhe dinamika e kësteve për shlyerje, në të cilën janë dhënë kryegjëja dhe interesi. Në këtë mënyrë, klienti paraprakisht do të ketë qasje në detyrimet e tij dhe rrjedhimisht duhet të organizohet për shlyerjen e tyre në kohë, nëpërmjet planifikimit të përshtatshëm të shpenzimit të të hyrave në të ardhmen.
Një segment i veçantë i informacioneve parakontraktuese dedikohet për shpenzimet për kredi. Në këtë pjesë, duhet të shënohen lloji dhe lartësie e normës së interesit e cila do të aplikohet (e shprehur në % në bazë vjetore), gjegjësisht të gjithë normat e interesit, nëse aplikohen më shumë norma të interesit në periudha të ndryshme të kohëzgjatjes së marrëveshjes për kredi, si dhe shpenzimet tjera të cilat paguhen për miratimin e kredisë dhe dalin nga marrëveshja për kredi. Klienti duhet t’i kushtojë vëmendje të veçantë llojit të normës së interesit që do të aplikohet, e cila mund të jetë fikse ose e ndryshueshme (variabile). Norma e ndryshueshme e interesit përbëhet prej një indeksi të pavarur të tregut ose normës referente dhe margjinës së interesit. Norma e ndryshueshme e interesit mund të ndryshojë varësisht zhvillimeve në indeksin e tregut ose normën referente të interesit, të cilat duhet të vendosen nga ana e bankës, bashkë me periudhat, kushtet dhe procedurën për ndryshim. Në vendin tonë, bankat si bazë për përcaktimin e lartësisë së normave të kontraktuara të interesit për kredi në valutë vendase zakonisht e përdorin normën e interesit nga instrumenti themelor i operacioneve në tregun e hapur (ankandet e bonove të bankës qendrore) të Bankës Popullore (normë referente) ose të ashtuquajturës norma kombëtare e interesit që paraqet normë të interesit të depozitave në denarë pa klauzolë valutore, të cilave më vonë u shtohet margjina e interesit. Margjina e interesit ndryshon nga banka në bankë dhe mund të jetë e ndryshme për klientë të ndryshëm në pajtim me bonitetin e tyre. Për kreditë e përcaktuar dhe shprehur në valutë të huaj, bankat shpesh si normë referente të interesit aplikojnë normën disamujore të EURIBOR (shpesh EURIBOR-in 6-mujorë - normë të interesit ndërbankar të tregut në eurozonë). Gjatë ndryshimeve në normat e dhëna të interesit, bankat, në mënyrë të përshtatshme, në kuadër të intervaleve paraprakisht të përcaktuara do të ndryshojnë normën e ndryshueshme të interesit të kredisë. Ndryshimi i normës së interesit është sigurisht një informacion i rëndësishëm që klienti duhet ta dijë paraprakisht (lëvizja e normës referente të interesit mund të kushtëzojë rritje ose ulje të normë së interesit të kredisë), me ç’rast duhet të theksohet nëse banka do ta informojë klientin për ndryshimin e normë së interesit ose ndryshimet do të bëhen automatikisht, në pajtim me lëvizjen e normave referente të interesit. Nëse ekziston qasje tjetër gjatë përcaktimit të normës së ndryshueshme të interesit, banka gjithashtu është detyruar të tregojë. Kjo posaçërisht duhet të bëhet në raste të aplikimit të të ashtuquajturës normë të rregullueshme të interesit ku bankat në mënyrë të njëanshme vendosin për ndryshimin e normës së interesit, edhe pse bankat gradualisht e ulin përdorimin e kësaj qasjeje, me rekomandim të Bankës Popullore.
Në kuadër të informacioneve parakontraktuese , banka është e obliguar ta informojë klientin edhe për totalin e shpenzimeve për kredinë, që do të thotë jo vetëm kryegjëja dhe interesi, por edhe për shpenzimet shtesë gjatë miratimit të kredisë, që janë pjesë e normës së totalit të shpenzimeve (NTSH). NTSH paraqet normën e skontimit të shprehur në bazë vjetore si raport të totalit të shpenzimeve për kredi dhe totalit të kredisë (të shprehur me dy decimale). Nëse janë përshkruar në kontratë për kredi konsumatore, në këtë normë mund të përfshihen edhe shpenzimet si vijojnë: provizion për përpunimin e kërkesës për kredi, provizion për miratimin e kredisë dhe administrimin e kredisë, provizion për ruajtjen e instrumentit për kolateral, provizione dhe kompensime lidhur me shërbimet e detyrueshme shtesë lidhur me kredinë konsumatore etj. Në llogaritjen e NTSH nuk përfshihen shpenzime lidhur me mosplotësimin dhe vonesën e përmbushjes së detyrimeve nga kontrata për kredi konsumatore, shpenzimet për kolateral ose garanci të kredisë që paraqesin shërbime të detyrueshme shtesë (nga këto nuk varet miratimi i kredisë), shpenzime noteriale etj. Nëse ka shpenzime shtesë që nuk dihen nga banka, ajo prapë është e obliguar të njoftojë klientin për llojin e shpenzimeve, pa shënuar shumën.
Norma e totalit të shpenzimeve për kredi konsumatore të cilën e miratojnë bankat në praktikë është disa pikë përqindjeje mbi normën e kontraktuar të interesit të përcaktuar në marrëveshjen për kredi. Duhet pasur parasysh se përveç bankave dhe kompanitë financiare të themeluara në pajtim me një ligj të veçantë mund të miratojnë kredi konsumatore. NTSH për kredi konsumatore nga bankat dhe kompanitë financiare nuk mund të tejkalojë pesëfishin e shumës të dënimit ligjor të vendosur në pajtim me Ligjin për marrëdhëniet e detyrimeve për kontratat në të cilat së paku një person nuk është tregtarë.
Në fund, banka është e obliguar të njoftojë klinetin për obligimin e pagesës në kohë të detyrimeve, si parakusht të mos hyrjes në borxhe, bashkë me informacion shtesë për normën e interesit që do ta paguaj gjatë vonesës së mundshme të shlyerjeve.
Pse janë të rëndësishme informacionet parakontraktuese gjatë miratimit të kredisë?
Informacionet parakontraktuese duhet të sigurojnë pasqyrë në detyrimet kontraktuese të cilat i takojnë klientit me lidhjen e marrëveshjes për kredi. Gjithashtu, ato mundësojnë që klienti të ketë një pasqyrë të plotë të borxhit në të ardhmen, me të gjithë elementet e tij përbërëse. Pas shqyrtimit të të gjithë këtyre informacioneve, klienti është në gjendje të marrë një vendim përfundimtar, të shëndoshë lidhur me borxhin e kredisë, Nëpërmjet shqyrtimit me kujdes të informacioneve parakontraktuese , klienti është në gjendje të kuptojë më mirë llogaritjen e plotë, të mësojë totalin e detyrimeve në bazë të kredisë dhe rrjedhimisht t’i përfshi në planin e tij financiar me qëllim shlyerjen e tyre në kohë.