Të nderuar guvernatorë, ekselenca,
Të nderuar përfaqësues të bankave qendrore,
Zonja dhe Zotërinj
Më lejoni t’ju uroj mirëseardhje në Konferencën e shtatë vjetore hulumtuese e cila këtë vit mbahet në qytetin e bukur të Ohrit. Duke pasur parasysh mjedisin aktual global, konferenca e sivjetme e titulluar “Gati një dekadë pas krizës: Drejt ciklit të ri global dhe normalizimit të politikës monetare” shpien kah një periudhë relativisht të gjatë që nga fillimi i krizës globale dhe nevojave të ballafaqohemi me sfidat e reja. Në këtë moment, pyetjet të cilat duhet ti parashtrojmë dhe të shtjellojmë gjatë Konferencës do të jenë: sa e fortë dhe e qëndrueshme është rimëkëmbja globale, cilat janë arsyet për inflacionin e zvogëluar, si duhet të jetë dinamika e normalizimit të politikës monetare, a janë tani bankat më elastike, a jemi më mirë të përgatitur për ti parandaluar rreziqet? Ndoshta këto janë pyetje të thjeshta, por si në të shumtën e rasteve në jetën reale dhe kornizën e vërtetë ekonomike, nuk ka përgjigje të thjeshta”.
Rimëkëmbja aktuale e përhapur ekonomike zhvillohet në rajonet e ndryshme të botës dhe është e lidhur me treguesit pozitiv për sentimentin ekonomik. Bashkë me normalizimin e politikës monetare, e cila aktualisht është në proces në ekonominë e SHBA-ve, vëmendjen e tërheq edhe pakoja e re fiskale amerikane dhe ndikimet e saj mbi ekonominë. Në BE, siç tanimë ishte shpallur qartë, pritet që politika akomoduese monetare, edhe pse në masë më të vogël të blerjes së aseteve, do të aplikohet më së paku deri në shtator të këtij viti, ndërsa ndryshimet e normave të interesit të zhvillohen edhe më vonë. Mirëpo, perspektiva globale pozitive është akoma e rrethuar me rreziqe të ndryshme, duke përfshirë rezultatin e bisedimeve të Brexit i cili akoma është i panjohur, rreziqet gjeopolitike dhe masat eventuale proteksioniste nga ana e administratës amerikane.
Megjithatë, përveç rikuperimit stabil dhe gjerësisht të përhapur, karakteristikë e rëndësishme e mjedisit global është inflacioni i përgjithëm i ulët, i cili jo gjithmonë është në pajtim me parashikimet e bazuara mbi modelin dhe rezultatet standarde empirike. Në këtë kontekst, nivelimi i Kurbës së Filipit në bazë të të dhënave aktuale ekonomike shpien në ndryshime eventual të lidhjes standarde mes ciklit ekonomik dhe inflacionit, me çka hapet diskutim për një nga rezultatet themelore ekonomike në makroekonomi në komunitetin akademik dhe qendror-bankar. Inflacioni i zvogëluar në këtë periudhë është kryesisht si rezultat i faktorëve global, të cilët janë kryesisht të lidhur me flaktuimet e çmimeve të produkteve primare, por edhe ndikimit të globalizimit të prodhimtarisë dhe digjitalizimit të tregtisë në tërë botën, që ka ndikim edhe mbi konkurrencën dhe mbi çmimet në çdo ekonomi. Në kushte të inflacionit më të ulët i cili është prezent një periudhë më të gjatë, duhet të merret parasysh vlerësimi eventual i vonesës kohore në ndikimin mbi inflacionin, si dhe matjen e inflacionit, perspektivat për pritjet e inflacionit dhe destabilizimi i tyre eventual.
Zhvillimet dhe perspektivat aktual ekonomike tregojnë një cikël të ri global dhe nevojë për normalizim gradual të politikës monetare. Nevojitet një qasje graduale për të shmangur të ashtuquajturat episode të “reagimit të beftë të tregjeve” (ang. taper tantrum), të cilat tregjet financiare tanimë i përjetuan gjatë lehtësimit monetar amerikan. Informimi i përforcuar dhe i qartë i publikut për politikën monetare duhet të kontribuojë për përgatitjen e subjekteve tregtare për ndryshimet e ardhshme në politikën monetare edhe për pranimin më të lehtë të tyre kur do të ndodhin.
Normalizimi i politikës monetare në ekonomitë e përparuara mund të ketë ndikime të ndryshme mbi ekonomitë në zhvillim dhe politikën e tyre monetare. Flukset eventuale dalëse të kapitalit para së gjithash do të varen nga vëllimi dhe struktura e detyrimeve financiare, veçanërisht sa i përket ekzistencës së flukseve kapitale të ndjeshme ndaj normave të interesit, gjë që jo gjithmonë ndodh në ekonomitë në zhvillim me nivel më të ulët të integrimit financiar, ku më të zakonshme janë investimet direkte, kreditë tregtare dhe flukset kapitale drejt sektorit bankar. Në anën tjetër, kushtet më të shtrënguara financiare në ekonomitë përparimtare, në afat të mesëm, në fund mund të shpijnë në kërkesë më të ulët të jashtme te ekonomitë në zhvillim. Ndikimet mbi politikën fiskale janë më serioze, që nënkupton kushte më të rrepta për financimin e jashtëm të buxhetit, që do të shipente në nevojën për fillimin e konsolidimit fiskal ose vazhdimin e saj në ato ekonomi në zhvillim ku tanimë ka filluar. Duke pasur parasysh veçoritë e vendeve, normalizimi i politikës monetare në ekonomitë në zhvillim mund të vi me vonesë të ndryshme.
Duke folur për ekonominë maqedonase dhe vendet nga regjioni i Ballkanit Perëndimor, sa i përket ballafaqimit me ciklin e ri global, duhet të përmenden disa anë të forta dhe disa defekte që akoma ekzistojnë. Në përgjithësi, në disa vitet e fundit, sistemet stabile dhe të sigurta bankare janë forcuar më tej me kërkesat kapitale, si dhe me përpjekjet më të mëdha sa i përket administrimit të kredive me probleme dhe trajtimin e tyre. Deficiti i llogarisë rrjedhëse është i zvogëluar në tërë rajonin, si rezultat i ndikimit më të favorshëm të çmimeve në pajtim me ngadalësimin e çmimeve të produkteve primare edhe, në rastin e Maqedonisë, si rezultat i kontributit të kompanive të reja me kapital të huaj, gjë që ndryshoi ndjeshëm strukturën tonë të eksportit të prodhimeve me vlerë më të lartë. Ka rezultate pozitive në trajtimin e papunësisë, si një nga problemet kryesore në rajon, me zvogëlimin e konsiderueshëm të saj në Maqedoni, si rezultat i hapjes së vendeve të reja të punës, masave për parandalim të ekonomisë joformale dhe masat aktive në tregun e punës.
Megjithatë, vendet e rajonit duhet të vazhdojnë të punojnë për forcimin e rritjes potenciale vetjake, produktivitet dhe konkurrencë. Rritja e produktivitetit total të faktorëve të prodhimtarisë në ekonomitë në zhvillim u ngadalësua gjatë krizës, kryesisht si rezultat i rritjes më të ngadalshme dhe përparimit teknologjik të ekonomive të zhvilluara. Megjithatë, ekonomitë në zhvillim doemos të zmadhojnë aktivitetet e tyre për efikasitet më të madh në të gjitha nivelet e punës, ndërtimit të kapacitetit institucional dhe implementim të mëtejshëm të reformave strukturore të cilat bashkërisht duhet të përmirësojnë produktivitetin total të faktorëve të prodhimtarisë dhe të përshpejtojnë konvergjencën e përgjithshme kah ekonomitë përparimtare. Borxhi publik dhe konsolidimi fiskal janë akoma fushat për të cilat nevojitet vigjilencë shtesë tek politikbërësit në ekonomitë në zhvillim, veçanërisht në kushte të ndryshimit të pritur të kushteve financiare në periudhën që pason.
Gati një dekadë pas krizës globale, në nivel global, bankat janë në një gjendje shumë më të mirë. Megjithatë reformat dhe kushtet e Bazelit duhet të implementohen plotësisht me qëllim që bankat të bëhen më rezistente. Digjitalizimi është një fenomen interesant i jetës së sotme dhe element i pashmangshëm i mjedisit aktual global. “FinTech” në industrinë bankare siguron qasje të re revolucionare në ofertën e shërbimeve bankare, si përgjigje e bankave për nevojat e ndryshme të klientëve të tyre. Me këtë krijohen mundësi të reja, por edhe rreziqe për të cilat autoritetet rregullatore doemos të jenë të vetëdijshme. Për këtë arsye, globalizimi dhe inovacionet në sektorin financiar kërkojnë thellim të bashkëpunimit ndërkombëtar mes autoriteteve në fusha të ndryshme të punës.
Kjo konferencë është vetëm një prej formave të mundshme të bashkëpunimit ndërkombëtarë. Sot do të shtjellojmë rezultatet empirike të punimeve shkencore të pranuara gjatë ftesës tonë për pjesëmarrje në Konferencë, për çështje të ndryshme dhe shumë të rëndësishme nga fusha e veprimtarisë së bankave qendrore, ndërsa nesër do të kemi panel-diskutime për çështje e lidhura me politikat me përfaqësues të lartë të bankave qendrore dhe institucioneve ndërkombëtare. Besoj se të gjithë së bashku do të kontribuojmë me dhënien e përgjigjeve për çështjet ekonomike të cilat i përmenda paraprakisht dhe do të këmbejmë eksperienca të cilat do na mundësojnë të ballafaqohemi me sfidat e ardhshme.
Ju dëshiroj një konferencë interesante, diskutim frytdhënës dhe qëndrim të këndshëm në Ohër!
Ju faleminderit.