Më 26 shtator 2018, në Bankën Popullore të Republikës së Maqedonisë u mbajt sesioni i 30-të i Klubit të Hulumtuesve, në të cilin, pas fjalës përshëndetëse të Guvernatores së BPRM-së, D-r Anita Angelovska-Bezhoska, u prezantuan punimet hulumtuese: “Financimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme përmes sektorit bankar në Republikën e Maqedonisë - rezultate të hulumtimit anketues” - autorë Tanja Jakimova dhe Neda Popvska-Kamnar dhe “Mekanizmi i transmetimit të politikës monetare në Maqedoni nëpërmjet kanalit të ndërmarrjes së rreziqeve: gjetje nga të dhënat e Regjistrit kreditor” autorë Mite Mitevski, Ana Mitreska dhe Mihajlo Vaskov.

Punimi i parë, të cilin në emër të të dy autoreve, në sesion e prezantoi Tanja Jakimova, përmban analizë të rezultateve nga hulumtimi anketues për financim të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme përmes sistemit bankar në Republikën e Maqedonisë, i zbatuar nga ana e BPRM-së. Qëllimi i hulumtimit është gjetja e faktorëve të cilët ndikojnë në qasjen në financim të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Republikën e Maqedonisë, nga aspekti i ofertës së kredive nga bankat, si dhe sfidat me të cilat ballafaqohen bankat vendase në procesin e kreditimit të këtij sektori. Rezultatet e hulumtimit anketues i kryer tek bankat, tregojnë se tregu i kreditimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme është i madh, konkurrues, jo shumë i ngopur dhe me shumë perspektiva pozitive.

Në kuadër të prezantimit të punimit u theksua se shtytësi për përfshirje më të madhe të bankave në ofertën e kredive për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme është profitabliteti dhe perspektiva e mirë e këtij sektori. Njëkohësisht, ishte dhënë edhe një pasqyrë më e detajuar e rezultateve të hulumtimit të cilat tregojnë prezencën e faktorëve të caktuar lidhur me ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, siç janë kualiteti i dobët i raporteve financiare dhe mungesa e sigurimit adekuat, të cilët e rëndojnë procesin e kreditimit të tyre përmes sektorit bankar në Republikën e Maqedonisë.
Para pjesëmarrësve në sesion u shpalos edhe përfundimi i përgjithshëm i analizës se qasja në financim të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme përmes bankave duhet edhe më tej të përmirësohet, gjë që do të rrisë kontributin e tyre në mbështetje të rritjes së ekonomisë.
Në prezantimin e dytë u paraqiten gjetjet dhe përfundimet nga ekzaminimi empirik i transmetimit monetar në Republikën e Maqedonisë përmes kanalit të ndërmarrjes së rreziqeve. Ky ekzaminim është gjithashtu përpjekja e parë të vlerësohet funksionimi i kanalit për ndërmarrje të rreziqeve në vendin tonë, me përdorimin e të dhënave makroekonomike për kreditim të sektorit të korporatave të marra nga Regjistri kreditor i BPRM-së.

Duke e prezantuar punimin, në emër të tre autorëve, Miteski theksoi se rezultatet e përfituara nga ekzaminimi empirik tregojnë se ekziston një lidhje e anasjelltë mes normës së interesit të BPRM-së dhe rejtingut kreditor të cilin bankat ex ante e ndajnë për çdo kredi të re të miratuar. Lidhja e këtillë tregon prezencën e kanalit të ndërmarrjes së rreziqeve gjatë zbatimit të politikës monetare. Megjithatë, përkundër rëndësisë statistikore, rëndësia ekonomike e kësaj lidhjeje është relativisht e vogël, gjë që është në vijë me gjetjet e hulumtimeve për vendet tjera ku gjithashtu është konfirmuar ekzistenca e saj.
Në kuadër të punimit është hulumtuar edhe çështja nëse efekti i normës së interesit ndaj rreziqeve të cilat i ndërmarrin bankat varet nga niveli i kapitalizmit, dhe përfundimi është se bankat më pak të kapitalizuara ndërmarrin rreziqe më të mëdha në kushte të lehtësimit të politikës monetare, edhe pse dallimi sa u përket rreziqeve të cilat i ndërmarrin bankat më të kapitalizuara është minimal.
Në fund të prezantimit u theksua se rezultatet hulumtuese të sintetizuara në këtë punim janë relevante për politikëbërësit dhe kontribuojnë për kuptim më të mirë të funksionimit të mekanizmit të transmetimit të politikës monetare në Republikën e Maqedonisë.
Në fund të sesionit, të frymëzuar nga gjetjet dhe përfundimet, pjesëmarrësit në sesion diskutuan për më shumë çështje dhe aspekte të temave të të dy punimeve të prezantuara.
Sesioni i ardhshëm i Klubit të Hulumtuesve do të mbahet në muajin dhjetor të këtij viti.
|
Галерија - 30. сесија на Клубот на истражувачи |