Shkup, 28 prill 2022

I nderuari President i Republikës së Maqedonisë së Veriut,
i nderuari Kryetar i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut,
I nderuar Ministër i Financave,
Të nderuar anëtarë të Qeverisë
Të nderuar të pranishëm,
Prej kohësh është thënë se historia është dëshmitare e së shkuarës, shembull dhe porosi e së tashmes, por edhe mësim e paralajmërim për të ardhmen. Prandaj, kremtimi i tridhjetëvjetorit të një ngjarjeje të rëndësishme historike, siç është pavarësia monetare e shtetit modern maqedonas, nuk është vetëm nder dhe rast për të festuar. Është gjithashtu detyrim, të qëndrosh drejt para brezave të ithtarëve që kanë investuar në atë çka është sot historia jonë bashkëkohore monetare, por edhe para brezave të cilëve u detyrohemi të ardhmen.
Siç ka thënë i madhi Goran Stefanovski: “Identiteti është tregim për atë që jemi, pse jemi dhe çfarë duam”. Pavarësia monetare dhe njësia jonë monetare–denari, janë kapitulli kryesor në historinë tonë-element thelbësor i identitetit tonë. Në vitin 1991 u bë realitet ëndrra për shtetin bashkëkohor maqedonas të mëvetësishëm, sovran dhe të pavarur, megjithatë pa pavarësinë monetare e cila ndodhi rreth këtyre ditëve në vitin 1992, pa bankë qendrore të pavarur dhe pa valutë kombëtare, historia jonë nuk do të ishte e plotë.
Këtë nuk guxojmë ta harrojmë as tani dhe në asnjë moment në të ardhmen, jo vetëm për të vlerësuar siç duhet të kaluarën, por edhe për të qenë në gjendje që sot, të japim kontributin e nevojshëm për të ardhmen e tregimit tonë autentike.
Gjithashtu nuk duhet harruar se ne jemi të detyruar ta vazhdojmë tregimin në këtë kapitull, sepse siç tha Stefanovski “identiteti është edhe punë edhe përgjegjësi”. Pikërisht puna dhe përgjegjësia janë një nga postulatet thelbësore të Bankës Popullore në tridhjetë vitet e fundit. Shumë punë, me përkushtim të plotë, pavarësi dhe profesionalizëm në tejkalimin e sfidave dhe arritjen e synimeve në rrethana të ndryshme, jo gjithmonë të lehta, në momente trazirash dhe momente historike.
Jo vetëm sipërfaqësisht, por në thelb duhet të kemi parasysh se prej ku kemi filluar tridhjetë vjet më parë. Në fillim të këtij kapitulli të rëndësishëm monetar të historisë sonë, filluam me rezerva valutore pothuajse zero, hiperinflacion i cili në vitin 1992 arriti afër 1700%, recesion, zhvlerësim të vazhdueshëm të valutës vendase dhe paqëndrueshmëri të përgjithshme makroekonomike. Efektin e gjithë kësaj e ndjenë qytetarët dhe të gjithë bartësit e ekonomisë, e cila ishte në rënie deri në vitin 1996.
Nuk guxojmë të harrojmë, sepse kur humbet kujtesa e ngjarjeve të historisë, humbet edhe potenciali për vëzhgim kritik dhe marrjen e vendimeve të duhura në realitetin vijues.
Por, ne kujtojmë! Kujtojmë gjithashtu një sërë hapash të guximshëm dhe vendimtarë të ndërmarrë nga politikëbërësit e atëhershëm për stabilizimin makroekonomik, të cilat u mbështetën edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare, veçanërisht përmes marrëveshjeve të para me FMN-në dhe Bankën Botërore në vitin 1993. Rezultati i gjithë kësaj ishte i dukshëm nëpërmjet reduktimit gradual të inflacionit në normë njëshifrore, forcimit të rezervave valutore, kontrollit mbi agregatët monetarë dhe konsolidimit të sektorit fiskal. Më e rëndësishmja, në vitin 1995 u zyrtarizua strategjia monetare e kursit të qëndrueshëm të denarit- strategji kjo që edhe sot paraqet spirancën e stabilitetit të ekonomisë maqedonase.
Në të njëjtin vit, pas miratimit të kornizës rregullatore bazë të sistemit dhe mbikëqyrjes bankare, u krye edhe rikuperimi i sistemit bankar, gjë që mundësoi transformimin e tij në baza tregu. Gjashtë vite më vonë, filloi zbatimi i reformës së sistemit pagesor dhe në të njëjtën kohë, vazhdimisht u forcuan funksionet e tjera të bankës qendrore, duke përfshirë fushën e statistikave, operacionet e tregut financiar, operacionet e thesarit dhe natyrisht, hulumtimi shkencor si mbështetje e rëndësishme në procesin e vendimmarrjes monetare.
E gjithë kjo formoi parakushte që kapitulli monetar i tregimit tonë të shkruhet për 25 vjet me stabilitet makroekonomik dhe zbatim të standardeve të larta ndërkombëtare dhe europiane. Prej shumë vitesh, edhe Komisioni Europian, në raportet e tij vjetore për progresin në segmentin e politikës monetare, konstaton nivel të lartë të pajtueshmërisë me legjislacionin evropian.
Por, edhe në vitet e kaluara, krahas përmirësimit të vazhdueshëm të punës, jemi përballur dhe jemi përgjigjur në mënyrë të duhur një sërë sfidave, disa prej të cilave kanë ardhur nga mjedisi i brendshëm, e disa kanë karakter global. Sa për të kujtuar episodet e krizës së viteve 2001, 2008 dhe 2016-të, në të cilat si bankë qendrore, ndër të tjera, na u desh të përballeshim me krizën e besimit të shkaktuar, fatkeqësisht, nga spekulime të shumta. Në të gjitha këto episode u përballëm me presione mbi rezervat valutore dhe kursin këmbimit, ku për shembull gjatë krizës globale financiare të viteve 2008/9-të humbëm deri një të tretën e tyre.
Gjithashtu, këto ishin periudha kur popullsia tërhiqte depozitat nga sistemi bankar, të cilat në krizën e vitit 2001 u ulën me 8% në periudhë shumë të shkurtër kohore.
Për fat të keq, edhe në periudhën e fundit nuk kemi qënë të kursyer nga sfidat serioze. Paraqitja e pandemiësë shkaktoi humbje ekonomike, që kërkoi sërish reagim përmes rezervave valutore për ruajtjen e stabilitetit të valutës vendase, si dhe politikave financiare për të mbështetur ekonominë dhe ruajtjen e stabilitetit të sistemit bankar. Kjo krizë pandemike për arsye të ndryshme, përsëri ka rigjallëruar çështjen e inflacionit, duke e vënë atë në fokusin e bankave qendrore.
Në periudhën e pandemisë akoma të pashpalosur, pason një tjetër tronditje e madhe: lufta në Ukrainë, e cila, përveçse është tragjedi njerëzore, sjell edhe çmim ekonomik në formën e presionit shtesë të inflacionit dhe ngadalësimit të ekonomive.
Në të gjitha këto episode krize, u rikujtuam se stabiliteti i denarit është e mirë publike dhe se është vendimtare për stabilitetin e përgjithshëm të ekonomisë. Kjo tregon se sa përgjegjësi të madhe të kemi si institucion që ka mandat të kujdeset për stabilitetin e tij. Por të gjithë bartësit e tjerë në shoqëri kanë përgjegjësinë për të kontribuar, sepse përfitimet e stabilitetit makroekonomik i gëzojmë të gjithë. Fatkeqësisht, e dimë se në këto kohë trazirash, kanë ndodhur më shumë se një herë spekulime që nuk mund të bënin gjë tjetër veçse t’ju dëmtonin ju, ne, e mbarë ekonominë.
Në këtë ditë solemne, kur festojmë jubile i cili nuk është i rëndësishëm vetëm për Bankën Popullore, por për atdheun dhe kombin në tërësi, duke qëndruar përballë jush, theksoj edhe një herë se stabiliteti i denarit është i garantuar!
Të nderuar,
Për arritjet e tridhjetë viteve të fundit, duhet të kemi gjithmonë mirënjohje dhe respekt dhe të vlerësojmë siç duhet kontributin e të gjithë atyre që ishin dhe janë pjesë e bankës qendrore dhe arritën të ndërtojnë dhe të mbajnë institucion të pavarur, transparent, shumë profesional dhe të respektuar në komunitetin ndërkombëtare. Por falënderoj edhe të gjithë bartësit e realitetit tonë shoqëror që kanë treguar dhe vazhdojnë të tregojnë ndërgjegjësim se banka qendrore e pavarur është parakusht për të ardhmen e tregimit tonë.
Në emër të Bankës Popullore, më duhet veçanërisht të shpreh mirënjohje të pamatë edhe për institucionet financiare ndërkombëtare, të cilat i dhanë dorë bankës sonë qendrore pas pavarësisë monetare dhe në vazhdimësi deri më sot,vazhdimisht na japin mbështetje që në kuadër të mandatit tonë të arrijmë maksimumin për ekonominë maqedonase dhe qytetarët. Sa për ilustrim dhe për shembull, dua t'ju kujtoj se në fillim të vitit 2019,
si vendi i tetëmbëdhjetë në botë, arritëm standardin më të lartë statistikor ndërkombëtar të FMN-së, ndërkaq, vitin e kaluar Komisioni Evropian vendosi që rregullimi dhe mbikëqyrja bankare nga Banka Popullore është e barabartë me atë evropiane. Me këtë, jemi të përfshirë në listën e vetëm 26 vendeve në botë të cilat i plotësojnë këto standarde.
Por, pavarësisht angazhimit dhe standardeve të larta që zbatohen, pa besimin dhe investimin e qytetarëve, asnjë bankë qendrore nuk mund t'i arrijë plotësisht objektivat e saj. Për këtë arsye, jemi të përkushtuar ndaj transparencës, si për ta, edhe për të gjitha subjektet ekonomike, duke pasur parasysh se transparenca është në fakt ndër synimet tona strategjike. Banka Popullore është banka e dytë qendrore në botë, për të cilën FMN-ja ka bërë vlerësim në bazë të Kodeksit të fundit dhe jemi të kënaqur që është konstatuar shkallë e lartë e transparencës.
Të nderuar,
Çdo jubile i rëndësishëm historik, deri diku na vë në udhëkryq, duke iu referuar asaj që është arritur tashmë, duhet të marrim vendim ose të konfirmojmë se në cilën rrugë do të vazhdojmë. Prandaj, më duhet të theksoj se pavarësisht ecurisë së procesit të integrimit europian të vendit, standardet europiane do të vazhdojnë të jenë udhërrëfyesi ynë drejt familjes europiane të bankave qendrore.
Dhe atëherë, kur kapitulli europian i historisë sonë të përfundojë dhe denari të mbetet simboli ynë historik i stabilitetit, besoj se do të vërtetohet edhe një herë se si bankë qendrore kemi ecur në rrugën e duhur.
Pas krizës globale ekonomike të 2008/9 e këtej, duke përfshirë përvojat e krizës së kovidit, në një kohë të ndryshimeve të përshpejtuara në skenën globale si rezultat i globalizimit, digjitalizimit dhe inovacionit financiar, mandati i bankave qendrore po ndryshon dhe plotësohet vazhdimisht me funksione të reja. Të gjitha funksionet dhe aktivitetet vijuese dhe të reja të bankave bashkëkohore qendrore që mbrojnë interesin publik, tashmë janë pjesë e vizionit tonë, por jo si aktivitet të cilin e projektojmë për të ardhmen e largët, por si diçka për të cilën tashmë jemi duke punuar.
Ndër të tjera, i kushtojmë vëmendje të veçantë edukimit financiar dhe gjithëpërfshirjes duke pasur parasysh rëndësinë e rritjes së njohurive për shërbimet financiare, veçanërisht në kohë të rritjes së shpejtë të sektorit fintek, i cili përfundimisht do të ofronte qasje më të lehtë deri te financat për qytetarët dhe kompanitë. Për të mbështetur zhvillimin e sektorit të fintekut, tashmë është zhvilluar versioni i parë i strategjisë kombëtare për të kontribuar që tregimi jonë të jetë lider rajonal edhe në këtë fushë.
Duke ndjekur shembullin e Bankës Qendrore Europiane, pikërisht këtë vit, kur kremtojmë tridhjetë vjet prej kur denari është njësia monetare e jonë, filluam me aktivitetet e para për të shqyrtuar mundësinë dhe nevojën për futjen e denarit digjital. Nëse analizat tregojnë se është e nevojshme dhe e duhur futja e denarit digjital, gjatë shënimit të ditës së pavarësisë monetare të ardhëshme, shpresoj se do të flasim për denarin digjital si mjet zyrtar pagese në vend.
Të nderuar,
I madhi Goran Stefanovski, me fjalët e të cilit e nisa fjalimin e sotëm, ndër të tjera, na kujtoi se tregimet janë thelbi i jetës sonë dhe se ato nuk janë thjesht diçka të pikturuara, por diçka që krijohet dhe fitohet çdo ditë-njejt si liria. Kështu, Banka Popullore do të vazhdojë të shkruajë dhe plotësojë kapitullin monetar të tregimit tonë, duke punuar me profesionalizëm dhe përgjegjësi për të mirën e qytetarëve, duke u udhëhequr nga parimet e bankave qendrore europiane.
Urime jubileun dhe të festojmë qëndrueshmërinë e denarit që është diçka që na takon të gjithë neve, qytetarëve, brezave të tanishëm dhe të ardhshëm!
