I nderuari Zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës, i nderuari Kryetar i Asociacioni Bankar Maqedonas, të nderuar mësues dhe profesorë, të dashur mysafirë,
Më lejoni fillimisht t’ju përshëndes dhe t’ju dëshiroj mirëseardhje në hapësirat e Bankës Popullore. Ky është takimi i parë i këtij lloji, i cili shpresoj se në të ardhme do të bëhet një praktikë e rregullt, në kuadër të përpjekjeve tona për zhvillim të mëtejshëm të edukimit financiar dhe rritjes së kulturës financiare të popullatës në vendin tonë.
Kriza financiare globale që rezultoi nga rregullimi i pamjaftueshëm i sistemit financiar, por edhe nivelit të ulët të njohurive financiare të popullatës, qartë theksoi nevojën për përpjekje më të mëdha në segmentin e edukimit financiar. Në këtë drejtim, në korniza globale, politikëbërësit në periudhën pas krizës, përfshi këtu edhe bankat qendrore, ndërmarrin aktivitete të shumta, duke e kthyer edukimin financiar në një pjesë përbërëse të veprimtarisë së bankingut qendror.
Duke qenë të vetëdijshëm për rëndësinë e kulturës financiare, si për secilin individ, ashtu edhe për shoqërinë në tërësi, Banka Popullore ndërmerr aktivitete në fushën e edukimit financiar të popullatës më të re për shumë vite me radhë, dhe shumë fëmijë nga shkollat fillore dhe të mesme, kuptohet bashkë me mësuesit, respektivisht profesorët, tanimë kanë vizituar hapësirat tona. Në këtë mënyrë mundësohet fitimi i njohurive më të gjera për veprimtarinë tonë (cilat janë qëllimet dhe detyrat kryesore të bankës qendrore, cili është tërësia e instrumenteve të cilat i përdorim për realizimin e tyre dhe sfidat e realizimit dhe ruajtjen e stabilitetit makroekonomik). Përmes publikimeve tona dhe lojërave interaktive nga fusha e financave, përpiqemi të tërheqim interesin e gjeneratave më të reja për njohjen e termave siç janë kursimi, investimi, inflacioni etj, dhe përmes koleksionit të pasur të monedhave në Muzeun tonë numizmatik të njihen me historinë e parave tona.
Në të ardhmen do të vazhdojmë të pasurojmë spektrin e aktiviteteve në fushën e edukimit financiar, përfshi këtu edhe të moshuarit. Brenda këtyre kornizave, jemi veçanërisht të kënaqur me angazhimin e shprehur nga bankat në fushën e edukimit financiar të të rinjve në vend, si një fushë relativisht e re e veprimtarisë dhe një prej sfidave më të reja në sferën financiare. Përfshirja më aktive e bankave në këtë fushë konfirmon përgjegjësinë e tyre të rritur shoqërore, gjë që është për tu përshëndetur.
Në këtë kontekst, më 17 dhjetor të vitit 2018, me Asociacioni Bankar Maqedonas (ABM) nënshkruam Memorandum për bashkëpunim me fushëveprim më të gjerë në sferën edukimit financiar dhe përfshirjes financiare. Në kuadër të këtij bashkëpunimi, (përveç organizimit të kuizit të parasë) planifikojmë aktivitete të përbashkëta në koordinim me bankat të cilat duhet të sigurojnë informim më të mirë të popullatës dhe qasje më të madhe deri te shërbimet bankare, gjë që do të mundësojë përfshirje më të madhe të popullatës dhe përdorim të përparësive nga shërbimet bankare. Njëkohësisht, planifikojmë edhe aktivitete të cilat duhet të rrisin edhe vetëdijen e popullatës për rreziqet e mundshme në sferën e përdorimit të shërbimeve bankare, si një aspekt shumë i rëndësishëm për klientët e bankave.
Veçanërisht përshëndesim iniciativën për organizimin e Kuizit Evropoan të Parasë për të rinjtë e vendit tonë, i cili këtë vit organizohet për herë të parë dhe shpeshojmë që do të bëhet një traditë. Në këtë mënyrë, besojmë se do të inkurajojmë angazhim më të madh të të rinjve rreth çështjeve të fushës së financave, dhe rrjedhimisht kjo do të kontribuojë në rritjen e nivelit të kulturës së tyre financiare. Në këtë kontekst, do të dëshiroja të theksoj se Banka Popullore mbështet procesin e përgatitjes së nxënësve me materiale të ndryshme edukative, sot edhe me këtë trajnim të stafit mësimdhënës, dhe më vonë edhe me përgatitje të veçantë të fituesve nacional. Është për tu përshëndetur fakti se Kuizi Evropian i Parasë, nisma e Federatës Bankare Evropiane, na bashkoi të gjithë neve, rregullatorët financiar dhe bankat, MASH-in dhe institucionet arsimore në vend drejt një qëllimi shumë të rëndësishëm, që është përmirësimi i aftësive të më të rinjve në fushën e financave, gjë që kontribuon në përmirësimin e njohurive dhe aftësive të tyre për tu përballur me sfidat e punës dhe të jetës në të ardhmen. Kjo në fund të fundit kontribuon për një rini të arsimuar dhe të aftë, me njohuri të gjëra nga koha moderne, e përgatitur të bëhet një fuqi e aftë punëtore, motor i ekonomisë për kohën që vjen.
Ajo që në veçanti më gëzon në rrjedhën e deritanishme të përgatitjes së Kuizit Evropian të Parasë është masiviteti i tij. Është për tu theksuar se numri i klasave gjegjësisht viteve të paraqitura është shumë më i madh nga që pritej. Vlerësimi është se në fazën e testimeve të brendshme do të testohen rreth 3.000 fëmijë të moshës nga 13-15 vjeç. Qasja e këtillë, e testimit të klasave gjegjësisht viteve të tëra, mundëson të gjithë ato fëmijë të njihjen me problematikën e edukimit financiar, me aspektin lidhur me punën e bankës qendrore, bankave, tregjeve për letra me vlerë. Kjo është një përfitim i rëndësishëm dhe sigurisht edhe qëllimi i iniciatorit - fushëveprim masiv, edukim më i gjerë. Kuptohet, disa do të mësojnë më mirë problematikat dhe do të vazhdojnë edhe në fazat pasuese të garës, por përfitimi është i madh sepse të gjithë fëmijët e kyçur do të kenë mundësi të zgjerojnë njohuritë e tyre nga fusha e financave dhe ekonomisë, gjë që është qëllimi jonë i përbashkët.
Në fund, më lejoni që edhe një herë të shpreh gatishmërinë e Bankës Popullore të mbështesë në mënyrë aktive procesin përgatitor, si për garën nacionale, ashtu për atë ndërkombëtare në Bruksel. Ju dëshiroj punë të suksesshme me fëmijët, mentorët e të cilëve jeni ju, shumë fat për të gjithë, dhe kuptohet le të fitojë më i miri!
Faleminderit!