Sot, Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë (BPRM), Ministria për Financa dhe Agjencia për Mbikëqyrje të Sigurimeve (ASO) shpallën konkursin për nxënësit e shkollës fillore dhe të mesme, i cili disa vite me radhë është aktivitet i përbashkët me rastin e Ditës Botërore të Kursimit - 31 tetor dhe Ditës Botërore të Sigurimit - 1 Nëntor. Tre institucionet, të cilët bashkërisht marrin pjesë në Trupin Koordinues të Institucioneve Rregullatore për Edukim Financiar në Maqedoni, me këtë konkurs, synojnë të stimulojnë kreativitetin, imagjinatën si dhe mendimin kritik të nxënësve gjatë krijimit të punimeve në temat për kursim dhe sigurim. Në këtë mënyrë, këto institucione do të kontribuojnë për interesim dhe edukim të mëtejshëm të popullatës së re për këto dy segmente kyçe në sferën financiare.
Në konkurs janë përcaktuar dy tema për të cilat nxënësit e shkollave fillore mund të paraqiten me dërgimin e një punimi letrar - poezi dhe/ose punimi të artit - vizatim: “Edhe unë di të kursej” dhe “Çka nënkuptoj me sigurimin e shtëpisë dhe familjes”. Pas përfundimit të konkursit do të përzgjidhen nga tre punime më të mira letrare dhe të artit në të dyja temat. Autorëve (pjesëmarrësve) të punimeve të përzgjedhura do ju ndahen shpërblime në para.
Këtë vit, për herë të parë në konkurs, nxënësit e shkollave të mesme mund të dërgojnë punim letrar - esej, edhe atë në temë “Kursej - mendoj për të ardhmen time”. Sipas udhëzimeve të dhëna në konkurs, eseja duhet të përmbajë pikëpamje personal ndaj kursimit, duke iu referuar disa çështjeve të rëndësishme: arsyeja dhe nevoja për kursim, rëndësia e kursimit për të ardhmen, qëndrimi i të rinjve ndaj kursimit në krahasim me më të moshuarit, shprehitë familjare dhe kursimi, njohuritë e të rinjve për kursimin në institucionet financiare dhe aspekte të ndryshme.
Nxënësit e arsimit të mesëm mund të konkurrojnë edhe me punim letrar - tregim i shkurtër me temë: “Çka nënkuptoj me sigurimin e shtëpisë dhe familjes”. Autorëve (pjesëmarrësve) të tre esejave dhe tregimeve të shkrutëra më të mira do ju ndahet shpërblim në para.
Kushtet për pjesëmarrje mund ti gjeni në konkursin e shpallur në internet faqen e BPRM-së, Ministrisë së Financave dhe ASO-së.
Afati përfundimtar i dorëzimit të punimeve është 15 tetor 2018.
Punimet e arritura do t’i shqyrtojnë dhe vlerësojnë komisione të formuara nga përfaqësuesit e të tre institucioneve të cilat e shpallin konkursin. Lista e nxënësve fitues, data dhe lokacioni i ndarjes së çmimeve do të shpallet më së voni deri më 31 tetor 2018, në internet faqet e të tre institucioneve.
BPRM, Ministria e Financave dhe ASO shpresojnë se edhe këtë vit, konkursi do të ngjalli interes të madh mes nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme të Republikës së Maqedonisë dhe se do të stimulojë mësimin dhe zhvillimin e shprehive për kursim, dhe njëkohësisht do të kontribuojë në informim më të mirë rreth mundësive të cilat i ofron sigurimi. Tre institucionet do të vazhdojnë me aktivitetet përmes të cilave do të përpiqen të kontribuojnë për edukim adekuat financiar të gjeneratave të reja, gjë që do të mundësojë rritjen e edukimit financiar të popullatës në Republikën e Maqedonisë në të ardhmen.