Në mbledhjen e Komitetit, pozicionimi ekzistues monetar u vlerësua si i përshtatshëm për kushtet aktuale të ekonomisë
Më 13 qershor 2017, u zhvillua mbledhja e rregullt e Komitetit për Politikë Operative Monetare të BPRM-së, në të cilën u shqyrtua gjendja ekonomike në vend, zhvillimet në tregjet financiare ndërkombëtare dhe të vendit si dhe treguesit për ekonominë e vendit në kontekst të qëndrimit të politikës monetare.
Në mbledhjen e Komitetit, pozicionimi ekzistues monetar u vlerësua si i përshtatshëm për kushtet aktuale të ekonomisë. Komiteti konstatoi se pjesa më e madhe e treguesve të rëndësishëm për politikën monetare janë të favorshëm dhe nuk devijojnë prej pritjeve, por gjithashtu ekzistojnë pika ku nevojitet kujdes i caktuar. Në këtë aspekt, me rëndësi të veçantë janë lëvizjet në tregun valutor të cilat janë stabile, pa prani të presioneve, ndërsa treguesit për rezervën valutore qëndrojnë në nivel të përshtatshëm.
Në kushte të këtilla, dhe prezencë së pasigurisë dhe rreziqeve, norma e interesit të bonove të bankës qendrore u mbajt në nivel të pandryshueshëm prej 3,25%. Gjithashtu, u vendos që në ankandin që do të mbahet më 14 qershor, oferta e bonove të bankës qendrore të mos ndryshohet dhe ta zë shumën e 30.000 milionë denarëve.
Lidhur me treguesit konkretë ekonomikë, të dhënat e publikuara për PBB-në për tremujorin e parë tregojnë ngecje të aktivitetit ekonomik. Strukturalisht, sektori i eksportit dhe konsumi privat vazhdojnë të rriten, ndërsa përveç kësaj edhe investimet kanë një impuls pozitiv mbi ekonominë në këtë tremujor. Megjithatë, në kushte të shtypjeve më të forta importuese, aktiviteti total ekonomik ngeci, përkundër pritjeve për rritje të ekonomisë në këtë periudhë. Realizimet më të ulëta krijojnë rreziqe teposhtë për projeksionin e PBB-së prej 2,5% për tërë vitin 2017. Numri i treguesve të disponueshëm me frekuencë të lartë për tremujorin e dytë është i kufizuar, dhe gjithashtu treguesit orientojnë në drejtime të ndryshme, me çka është vështirë të formohet vlerësim i saktë për sa i përket gjendjes së ekonomisë për këtë tremujor.
Në maj, të dhënat për inflacionin tregojnë normë vjetore të inflacionit prej 1,2%, përderisa rritja mesatare vjetore e çmimeve për pesë muajt e parë është 0,7%. Këto realizime janë në radhë të parë rezultat i inflacionit bazë, dhe në pjesë më të vogël i çmimeve të energjisë, përkundër kontributit akoma negativ të çmimeve të ushqimit. Realizimet tek inflacioni, kryesisht janë në linjë me projeksionin, ndërsa pritjet për supozimet hyrëse për çmimet importuese të prodhimeve primare janë kryesisht teposhtë, por akoma shumë të ndryshueshme. Në rrethana të këtilla, rreziqet për projeksionin e inflacionit mesatar për vitin 2017 (1,3%) vlerësohen si të balancuara.
Për sa i përket sektorit të jashtëm, të dhënat për rezervat valutore për muajin prill dhe maj tregojnë rënie në raport me fundin e tremujorit të parë, që është brenda zhvillimeve të pritura. Megjithatë, të gjithë treguesit e përshtatshmërisë së rezervave valutore tregojnë se ato vazhdimisht lëvizin në zonë të sigurt. Për sa u përket të dhënave të disponueshme për sektorin e jashtëm, numri i tyre është i vogël, dhe deri më tani tregojnë lëvizje më të favorshme se pritjet. Ky konstatim lidhet me tregun e këmbimit deri në dekadën e dytë në maj, por edhe me të dhënat për tregtinë e jashtme për muajin prill. Kështu që, në prill të vitit 2017, eksporti i mallrave realizoi rritje prej 5,3% gjatë rritjes së importit prej 2,2%, që solli deri në uljen e deficitit tregtar në bazë vjetore dhe shenja për zhvillime më të mira nga të vlerësuarat gjatë tremujorit të dytë. Megjithatë, periudha e shkurtër dhe ritmi i ndryshueshëm sezonal janë faktorë kufizues për sjelljen e konstatimeve më të sigurta për sa u përket pritjeve për treguesit e sektorit të jashtëm për tërë tremujorin.
Për sa i përket sistemit bankar, të dhënat preliminare për muajin maj të vitit 2017 tregojnë rënie mujore të bazës depozituese për pesë muaj me radhë. Megjithatë për dallim nga dy muajt paraprakë, në muajin maj u regjistrua rritje minimale e depozitave të amvisërisë, gjatë rritjes së kursimeve në valutën e vendit. Niveli i depozitave në total aktualisht është nën projeksionet dhe flet për rreziqe të caktuara në këtë segment. Nga ana tjetër, aktiviteti kreditues edhe në muajin maj vazhdoi të rritet me një ritëm solid, në masë të madhe si rezultat i përkrahjes kreditore të amvisërive, por edhe i rritjes së moderurar të kreditimit korporativ. Ritmi i kreditimit është në linjë me zhvillimet e pritura.
Likuiditeti i bankave, pas rënies së muajit prillit, në muajin maj vazhdoi me trendin e rritjes i cili është karakteristik prej fillimit të tremujorit të fundit të vitit 2016 e tutje. Rritja mujore e aseteve likuide në masë të madhe ishte rezultat i efektit të transaksioneve të shtetit lidhur me fillimin e pagesës së subvencioneve bujqësore që ishte pjesërisht e neutralizuar me intervenimet e Bankës Popullore të cilat ishin në drejtim të shitjes së valutave të huaja.
Në muajin maj, në tregun valutor u regjistrua një rënie sezonale e kërkesës për valuta të huaja, para së gjithash nga ana e kompanive, që pjesërisht ishte e kompensuar nga oferta e fortë e valutave të huaja nga ana e këmbimoreve. Më tej, një pjesë të kërkesës për valuta të huaja bankat e kompensuan me asetet e veta, që ndikoi në uljen e aseteve të tyre në valutë, rritjen e kërkesës për valuta të huaja në tregun ndërbankar dhe intervenimet e Bankës Popullore për furnizimin e bankave me likuiditetin e nevojshëm valutor. Gjatë muajit, bankat aktivisht tregtonin edhe në tregjet e parave, dhe për arsye të menaxhimit efikas të likuiditetit, tepricën e aseteve në llogaritë e tyre vazhduan ta drejtojnë kah depozitat e disponueshme te Banka Popullore.
Pjesëmarrësit e tregut në Eurozonë ishin në pritje të mbledhjes së ECB-së dhe zgjedhjeve parlamentare në Mbretërinë e Bashkuar dhe Francë, ku nëpër tregje mbizotëronte prirja për të ndërmarrë rreziqe. Në mbledhjen e ECB-së në fillim të qershorit, u përjashtua mundësia për ulje të mëtejshme të normave të interesit, përderisa projeksionet për inflacionin deri në vitin 2019 u rishikuan teposhtë. Nga ana tjetër, në tregjet ndërkombëtare ekziston siguri e madhe për normalizim të mëtejshëm të politikës monetare të FED-it në mbledhjen e qershorit.
Në këtë mbledhje u konstatua se kushtet aktuale ekonomike dhe financiare, si dhe rreziqet ekzistuese tregojnë se pozicionimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm. Pozita e jashtme e shikuar përmes realizimeve te rezervat valutore është brenda pritjeve për tremujorin e dytë dhe tregon ruajtje të themeleve të shëndosha ekonomike. Edhe të dhënat e flukseve kreditore shpijnë kah një konstatim i këtillë. Nga ana tjetër, të dhënat preliminare për PBB-në tregojnë aktivitet shumë më të dobët ekonomik në tremujorin e parë të vitit, që krijon rreziqe për vlerësimet e rritjes për vitin 2017. Gjithashtu edhe realizimet në kursimet e amvisërive vazhdojnë të jenë "anemike" dhe tregojnë se ka hapësirë për përmirësim të mëtejshëm të pritjeve dhe besimit.
Banka Popullore edhe në periudhën që vijon me kujdes do ti përcjellë të gjithë treguesit ekonomikë dhe ndodhitë në ekonominë e vendit, dhe ndryshimet e ardhshme në politikën monetare në masë të madhe do të kushtëzohen nga zhvillimet në ekonominë e vendit dhe sektorin e jashtëm.