Investimi në kriptomonedha zakonisht konsiderohet me rrezik të lartë. Rreziku i lartë që ndërmarrin personat që investojnë në kriptomonedha, del nga ndryshueshmëria e lartë e çmimit të tyre të tregut, që është konsiderueshëm më e lartë krahasuar me ndryshueshmërinë e aktiveve tjera financiare dhe jo financiare, për shembull kurset e këmbimit të valutave sovrane, kthimet e aksioneve ose çmimet e mallrave që janë objekt tregtimi në tregjet globale (për shembull nafta). Kjo do të thotë se, ndryshime të konsiderueshme në çmimin e tregut të kriptomonedhave janë të mundshme në një periudhë të shkurtër kohe, si për rritje ashtu edhe për ulje të vlerës. Për shembull, çmimi i tregut të Bitkoinit, duke e analizuar historikisht, ka pasur ndryshime ditore që janë mbi ndryshimet normale ditore të tregut të indekseve të bursës ose çmimeve të aksioneve të cilat zakonisht janë një shifrore. Për më tepër, kërkimet e ndryshme tregojnë edhe rrezikun nga formimi i të ashtuquajturës flluskë (ang. bubble) në çmimin e tregut të kriptomonedhave. Për shembull, fotografia në vijim tregon përgjigjet e të anketuarve që janë pjesëmarrës profesionistë në tregjet financiare lidhur me atë se në cilat aktive në fillim të vitit 2021 ekziston rrezik nga paraqitja e të ashtuquajturës flluskë në dinamikën e çmimit të tyre të tregut. Siç mund të shihet nga fotografia, për Bitkoinin si kriptomonedha më e popullarizuar, në një shkallë nga 0 deri 10, ku 10 vlerësohet si „rrezik ekstrem i paraqitjes së flluskës“ është fituar vlerësimi më i lartë mesatar prej 8,7.

Përveç kësaj, tregu global i kriptomonedhave është mjaft heterogjen, gjë që konfirmohet me faktin se ekzistojnë thuajse 7000 kriptomonedha, që ndryshojnë sipas mënyrës së krijimit të tyre dhe qëllimit për të cilin janë emetuar. Por, në të njëjtën kohë, tregu global për kriptomonedhat është mjaft i përqendruar, gjë që konfirmohet nga fakti se kapitalizimi i tregut të kriptomonedhës më të madhe është 68% nga totali i kapitalizimit të të gjithë kriptomonedhave, dhe dhjetë kriptomonedhat më të mëdha sipas kapitalizimit paraqesin rreth 90% nga totali i kapitalizimit të tregut të të gjithë kriptomonedhave (deri në gjysmën e parë të janarit të vitit 2021). Një rrezik i veçantë, si nga aspekti rregullues, ashtu edhe nga ai i investimeve, është mbledhja e fondeve nga publiku i gjerë investues përmes ofertave fillestare publike të kriptomonedhave (ICOs) për financimin e projekteve të caktuara, në mënyrë që të anashkalohen kërkesat rregullatore për realizimin e ofertave fillestare publike (IPOs) për instrumentet financiare.
Prandaj, të gjithë ata që investojnë duhet të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm dhe të informohen mirë për efektet e mundshme nga investimet e tyre. Ata duhet të jenë të vetëdijshëm se vlera e kriptomonedhës mund të jetë zero.
Përveç kësaj, duhet të theksohet se gjatë investimit në kriptomonedha, individët janë të ekspozuar ndaj rreziqeve të shumta operacionale dhe rreziqeve të tjera të humbjes së pronës, veçanërisht në kushte të zhvillimit të një numri të madh të infrastrukturave të decentralizuara publike ose private mbi të cilat bazohet posedimi i kriptomonedhave dhe mos rregullimi në korniza globale. Duke qenë se emetimi, investimi dhe tregtimi me kriptomonedha varet nga sistemet kompjuterike dhe softuerët, në këtë fushë me rëndësi të madhe janë rreziqet lidhur me hapësirën dixhitale (të ashtuquajturit sajber rreziqe) dhe mundësia e të ashtuquajturve sulme hakerësh. Përveç kësaj, niveli i lartë i anonimitetit në posedimin e disa kriptomonedhave, si dhe gjatë realizimit të transaksioneve me kriptomonedha, rrit rrezikun e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Kjo rrit rrezikun që platforma të caktuara të bllokohen përkohësisht ose plotësisht dhe portofolat dixhitale të klientëve mund të ngrihen si rezultat i masave të marra nga autoritetet për të parandaluar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit dhe hetuesit për krim financiar. Institucionet financiare gjithashtu mund të refuzojnë realizimin e transaksioneve të pagesave që lidhen me investime në kriptomonedha, nëse vlerësojnë se transaksionet e këtilla i ekspozojnë ato ose klientët e tyre ndaj një niveli të lartë të rrezikut të pastrimit të parave ose financimit të terrorizmit.
Banka Popullore nxit investitorët e mundshëm që të jenë të kujdesshëm dhe të bëjnë dallimin ndërmjet monedhave dixhitale të cilat mund të emetohen nga bankat qendrore (CBCD) dhe kriptomonedhave të emetuara nga subjektet private, dhe vlera e të cilave është e lidhur me vlerën e një monedhe të caktuar sovrane (stablecoin). Në të ashtuquajturin „stablecoin“, pavarësisht nga fakti që vlera e kriptomonedhës është e mbuluar me një potfolio të caktuar valutash, përsëri ato gjithmonë emetohen nga subjekte private, sipas rregullave të tyre. Për shkak të kësaj, investitorët duhet të jenë të kujdesshëm që të mos mashtrohen dhe krijojnë pritje të rrejshme, duke pasur parasysh ngjashmërinë e emrave dhe/ose karakteristikave të këtyre dy llojeve të aktiveve dixhitale, dhe kështu të ekspozohen ndaj rrezikut të mundshëm të mashtrimit. (prapa | kthehu te pyetjet dhe përgjigjet)