Shkup, 15 prill 2021
Informacionet e pasakta dhe spekulimet për bankat individuale dhe sektorin bankar në tërësi, të cilat javëve të fundit janë shfaqur në publik, nuk kanë pasur efekte materiale mbi sistemin bankar. Kjo është gjithashtu e dukshme përmes të dhënave mbi bazën e depozitave të cilat tregojnë një trend pozitiv të vazhdueshëm.
Këtë e deklaroi drejtoresha e përgjithshme e Sektorit të Mbikëqyrjes së Bankës Popullore, Viktorija Gligorova, në edicionin e mbrëmshëm të emisionit „Magazina Ekonomike“ në televizionin Alsat-M.
„Mendoj se përfundimet dhe vendimet duhet të bazohen në tregues zyrtarë, konkretë. Sistemi bankar është stabil. Pikëpamja se pavarësisht krizës shëndetësore, ai është në gjendje të qëndrueshme, bazohet në tregues konkretë dhe ndërkombëtarisht të krahasueshëm dhe të pranuar. Në thelb, ato janë pozicioni i tij i kapitalit dhe likuiditeti stabil dhe i qëndrueshëm. Pozicioni i kapitalit të sistemi bankar parë përmes normës së mjatueshmërisë së kapitalit është 16,7%, që është më shumë se dy herë më i lartë se minimumi ligjor prej 8%. Aktivet likuide janë rreth një e treta e totalit të aktiveve të bankave dhe mbulojnë afër dy të tretat të depozitave totale të familjeve në banka.“ - tha Gligorova.
Gligorova shpjegoi pse pozicioni i kapitalit të sektorit bankar është kaq i rëndësishëm, duke theksuar se kapitali është mekanizmi kryesor për mbulimin e efekteve të mundshme negative nga operacionet e bankave dhe ruajtjen e stabilitetit të tyre. Kapitali më i lartë, pra pozicioni i përmirësuar i kapitalit, siç tha ajo, nënkupton kapacitet të përmirësuar të sistemit bankar për mbulimin e humbjeve të papritura.
Drejtoresha e përgjithshme e Sektorit të Mbikëqyrjes iu referua edhe mënyrës në të cilën zbatohet mbikëqyrja, e cila siguron një nivel të lartë të efikasitetit dhe cilësisë së aktiviteteve.
„Aktivitetet kryhen në përputhje me procedurat dhe praktikat e përshkruara të mbikëqyrjes, të cilat janë të harmonizuara me standardet më të mira ndërkombëtare, në mënyrë që Banka Popullore, gjatë kryerjes së funksionit mbikëqyrës të zbatojë një qasje të qëndrueshme që është e barabartë ndaj të gjithë bankave. Asnjë aktivitet nuk mund dhe nuk duhet të kryhet nga një person. Përkundrazi, mbikëqyrja do të thotë punë në ekip. Ajo siguron një nivel të lartë ekspertize në fusha të ndryshme, por gjithashtu kontroll mbi arsyetimin, qëndrueshmërinë dhe përshtatshmërinë e vendimeve mbikëqyrëse. Të gjitha vendimet kalojnë nëpër disa nivele të analizës, kontrollit dhe vendimmarrjes, duke filluar nga ekipet në shërbimet profesionale, përmes menaxhmentit në drejtoritë përkatëse, organit ekspert mbikëqyrës - Komitetit Mbikëqyrës, organit ndihmës të përbërë nga viceguvernatorët e Bankës Popullore, deri teк guvernatori.“ - shpjegoi Gligorova.
Ajo theksoi se rregullativa bankare dhe mënyra e kryerjes së mbikëqyrjes në vendin tonë ishin objekt i një kontrolli të hollësishëm nga ana e FMN-së dhe Bankës Botërore.
„Kontrolli përfshiu jo vetëm një analizë të procedurave të mbikëqyrjes në letër, por edhe një kontroll dhe vlerësim të zbatimit të tyre në praktikë. FMN dhe Banka Botërore kanë hulumtuar në detaje mënyrën e mbikëqyrjes, duke analizuar aktivitetet dhe vendimet specifike mbikëqyrëse. Unë jam e kënaqur të theksoj se si rezultat i kontrollit, FMN dhe Banka Botërore konfirmuan vlerësimin e lartë për rregullativën bankare dhe efikasitetin e mbikëqyrjes bankare dhe pajtueshmërinë e saj të konsiderueshme me Parimet e Bazelit për Mbikëqyrje Bankare Efikase, si një standard ndërkombëtar në këtë zonë.“ - tha Gligorova.
Në emision gjithashtu u diskutua edhe për procesin e miratimit të kredive nga bankat dhe për kolateralin, gjegjësisht - kolateralin për kredi. Duke bërë këtë, u theksua se askund në botë nuk është i ndaluar miratimi i kredive me më pak kolateral, por në vetvete kjo mbart një rrezik më të madh dhe kërkon më shumë kapital, i cili sigurohet nga aksionarët.
Të gjithë pjesëmarrësit në emision ndanë pikëpamjen se të gjitha të dhënat tregojnë se sistemi bankar është stabil dhe se është shtylla kryesore e ekonomisë dhe dënuan përpjekjet për të përhapur informacione të pasakta dhe spekulime të pasakta në të kaluarën.
VIDEO