Intervisë për MIA-n
- Në periudhën e ardhshme, Banka Popullore do të vazhdojë me politikën e lehtësuar monetare, duke ruajtur një nivel të lartë të rezervave valutore dhe duke ruajtur një kurs të qëndrueshëm të këmbimit të denarit.
Kjo u theksua nga viceguvernatori i Bankës Popullore, Fadil Bajrami, në një intervistë për MIA-n, i cili theksoi se pas të gjitha vendimeve të Bankës Popullore qëndron një ekip i tërë profesional.
- Banka Popullore është një institucion profesional me një kapacitet institucional që është ndërtuar dhe po ndërtohet vazhdimisht, gjë që është një parakusht për ekzekutimin e suksesshëm të qëllimeve dhe detyrave ligjore. Pas të gjitha vendimeve të Bankës Popullore qëndron një ekip i tërë me përvojë dhe ekspertizë shumë vjeçare. Kjo konfirmohet përmes vlerësimeve të institucioneve më të rëndësishme ndërkombëtare. Kriza aktuale tregoi se Banka Popullore është e gatshme të funksionojë me sukses dhe me efikasitet në kushte dhe situata më komplekse. Me masa të hartuara në kohë dhe në mënyrë të përshtatshme, brenda kompetencave saj, Banka Popullore siguroi mbështetjen e duhur për ekonominë dhe qytetarët për tejkalim më të lehtë të sfidave që i imponoi pandemia, thotë Bajrami.
Në intervistë flet gjithashtu për rastin e revokimit të lejes për punë të „Eurostandard banka“, për të pavërtetat që plasohen në publik lidhur me punën e bankave komerciale dhe të Bankës Popullore dhe udhëheqësinë e saj, si dhe për efektet negative që ata mund të kenë mbi stabilitetin e sistemit bankar.
Gjatë gjithë periudhë së kaluar, institucionet ndërkombëtare kanë theksuar se ruajtja e stabilitetit financiar gjatë krizës shëndetësore është thelbësore. Cili është kapaciteti i sistemit tonë financiar tani, gati një vit pas fillimit të krizës?
- Të dhënat e fundit, si dhe analizat e Komitetit për Stabilitet Financiar konfirmojnë konstatimin se sistemi financiar e përballoi dhe iu përgjigj në mënyrë adekuate goditjes së krizës në vitin 2020 dhe se ka kapacitet të trajtojë sfidat e mëtejshme dhe gjithashtu paraqet një forcë lëvizëse për rimëkëmbjen e ekonomisë, që do të pasojë pas periudhës së pasigurisë nga pandemia.
Në këtë kontekst, është me rëndësi të veçantë që sistemi bankar, i cili është pjesa më e rëndësishme e sistemit financiar, e vërtetoi rezistencën ndaj goditjeve. Kërkesat rregullatore dhe reformat e zbatuara në këtë fushë në vitet e kaluara gjithashtu kontribuuan për këtë. Prandaj, është mjaft realiste të pritet se pikërisht sistemi bankar, duke ruajtur një normë të qëndrueshme të rritjes së kredisë me rreth 6% në nivel vjetor, do të jetë ai që do të sigurojë mbështetjen kryesore të ekonomisë për kthimin e saj në rrugën e rritjes ekonomike, duke iu përgjigjur në mënyrë të përshtatshme, si deri tani, nevojave të qytetarëve dhe bizneseve. Gjithashtu, është mjaft realiste të pritet që paralelisht me rritjen e aktivitetit të huadhënies, të vazhdojnë të rriten kursimet e qytetarëve dhe kompanive në bankat vendore.
Një bankë në vend u mbyll gjatë vitit të kaluar. Institucionet financiare ndërkombëtare i dhanë mbështetjen e tyre të plotë Bankës Popullore, por ende ka disa reagime nga disa palë të interesuara. Si e shikoni këtë nga një distancë kohore?
- Vendimet e këtilla merren me shumë kujdes, me shumë analiza paraprake dhe pasi shteren të gjithë masat tjera që mund të zbatohen për një situatë specifike në të cilën gjendet ndonjë bankë e caktuar komerciale. Si pjesë e ekipit udhëheqës të Bankës Popullore, unë kategorikisht pohoj se në rastin e „Eurostandard banka“, vepruam në përputhje me kompetencat ligjore të Bankës Popullore, si dhe në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare në këtë fushë.
Të gjitha masat e shqiptuara ndaj „Eurostandard banka“, që dalin nga kontrollet mbikëqyrëse të kryera në periudhën nga viti 2013 deri në vitin 2020, kishin për qëllim t’i mundësojnë Bankës që të funksiononte më mirë dhe të ruante stabilitetin e saj, që në fund të fundit është në interes të të gjithëve - klientëve të saj, kursimtarëve, punonjësve, aksionarëve, partnerëve të biznesit dhe subjekteve të tjera të sistemit bankar dhe financiar të vendit. Sidoqoftë, kur të gjitha mundësitë tjera janë shterur, siç ishte rasti me bankën e përmendur, atëherë Banka Popullore nuk ka ndonjë zgjidhje tjetër, përveç se të marrë vendime të tilla. Është e qartë se këto janë vendime jopopullore dhe më pak të dëshirueshme, por ka situata kur ato janë të pashmangshme dhe janë detyrimi ynë ligjor, sepse ato në thelb parandalojnë dëme më të mëdha. Në fakt, gjatë vitit të kaluar, disa banka janë mbyllur edhe në vendet e Bashkimit Evropian, mirëpo atje nuk iu kujtua askujt të kërkojë përgjegjësinë tek rregullatori, gjegjësisht tek banka qendrore.
Më lejoni të përsëris diçka që kemi theksuar deri më tani. Në rastin konkret të „Eurostandard banka“, vlerësimet e institucioneve financiare me reputacion ndërkombëtar, siç janë Fondi Monetar Ndërkombëtar, tregojnë qartë se Banka Popullore veproi në mënyrë profesionale dhe të përshtatshme. Në të njëjtën kohë, FMN-ja dhe ekspertët janë të bindur se Banka Popullore nuk mund të mbajë përgjegjësi për vendimet dhe rreziqet e marra nga pronarët edhe personat udhëheqës të bankës komerciale, si dhe aktivitete tjera të paligjshme për zbulimin dhe sanksionimin e të cilave banka qendrore nuk ka as ekspertizën e duhur, as kompetenca ligjore të cilat janë në domenin e institucioneve tjera. Në fakt, siç kemi thënë në disa raste, sa herë që Banka Popullore ka pasur dyshime për parregullsi në operacionet që janë nën juridiksionin e institucioneve tjera, ajo ka informuar organet kompetente shtetërore, gjegjësisht institucionet.
Në periudhën e kaluar, në publik u shfaqën spekulime të caktuara lidhur me punën e bankave komerciale, lidhur me stabilitetin e sistemit bankar, si dhe për punën e Bankës Popullore dhe udhëheqësisë së saj. Si i përjetoni këto spekulime dhe cili është efekti i tyre i mundshëm?
- Dihet se spekulimit dhe të pavërtetat që ju i përmendni në pyetjet tuaja mund të dëmtojnë besimin e qytetarëve dhe kompanive në sistemin bankar të një vendi, i cili nga njëra anë ka një ndikim të rëndësishëm në stabilitetin e tij. Përndaj, do të thosha se, për të ruajtur stabilitetin e sistemit bankar dhe sistemit financiar në përgjithësi, është jashtëzakonisht e rëndësishme që të parandalohet përhapja e spekulimeve për situatën në sistemin bankar, si dhe për Bankën Popullore, për të cilët kemi qenë dëshmitarë në periudhën e kaluar.
Për sistemin bankar, gjithmonë duhet të përdoren burime relevante të informacionit. Unë do të theksoja disa tregues specifikë - shkallën e aftësisë paguese prej rreth 17%, aktivë likuide e cila merr pjesë me rreth 30% në totalin e aktivit, pjesëmarrje të ulët të kredive me probleme në totalin e kredive prej 3,4% dhe profitabilitet të qëndrueshëm. Treguesit e këtillë një imazh objektiv për sistemin bankar.
Banka Popullore është një institucion profesional me një kapacitet institucional që është ndërtuar dhe po ndërtohet vazhdimisht, gjë që është një parakusht për ekzekutimin e suksesshëm të qëllimeve dhe detyrave ligjore. Pas të gjitha vendimeve të Bankës Popullore qëndron një ekip i tërë me përvojë dhe ekspertizë shumë vjeçare. Kjo konfirmohet përmes vlerësimeve të institucioneve më të rëndësishme ndërkombëtare. Besoj se të gjithë ne si qytetarë duhet të kemi përgjegjësi publike për gjithçka që është thelbësore për të gjithë ne dhe për vendin në tërësi, siç është stabiliteti i sistemit bankar, dhe në të njëjtën kohë, t’i bazojmë pikëpamjet tona në informacione objektive dhe të verifikuara. Prandaj, në disa raste në periudhën e kaluar, ne kemi mohuar të gjitha të pavërtetat që fatkeqësisht janë thënë për sistemin bankar, për Bankën Popullore dhe udhëheqësinë e saj.
Kovid kriza imponoi shumë sfida dhe nevojën për reagimin e politikëbërësve në kohë, për të ndihmuar ekonomitë të trajtojnë tronditjen. Nga një distancë e caktuar kohore, si i shihni efektet e masave të marra nga Banka Popullore nga fillimi i pandemisë e këndej?
- Efektet konfirmojnë se si një bankë qendrore, brenda kompetencave tona, kemi ofruar mbështetje adekuate për ekonominë dhe qytetarët për të kapërcyer më lehtë tronditjen dhe sfidat e imponuara nga pandemia. Kur e them këtë, kryesisht u referohem masave që kemi zbatuar si bankë qendrore gjatë vitit të kaluar, të tilla si ulja e normës bazë të interesit në nivelin më të ulët ndonjëherë dhe vendosjen e aktiveve likuide shtesë në sistemin bankar, dhe përmes tij në ekonomi, si dhe lehtësimin e rregullores bankare e cila mundësoi shtyrjen e përkohshme të detyrimeve të kredive të qytetarëve dhe kompanie që u prekën më shumë nga kriza. Masat e tilla të Bankës Popullore mundësuan vazhdimin e trendit të rritjes të mbështetjes së kredisë për kompanitë dhe amvisëritë nga vitet e mëparshme, por në të njëjtën kohë çuan në uljen e mëtejshme të normave të interesit të kredive bankare, të cilat pikërisht në këtë periudhë arritën nivelet historikisht më të ulëta.
Me fjalë të tjera, si bankë qendrore i ndihmuam qytetarët dhe kompanitë, si dhe shoqërinë në tërësi, të qëndrojnë „në këmbë“ dhe të jenë mjaft të fortë për rritje dhe zhvillim të mëtejshëm pasit të zhduken sfidat e imponuara nga pandemia. Në fakt, edhe krahasimi me masat e marra nga bankat e tjera qendrore në rajon dhe më gjerë, e konfirmon këtë.

Çfarë prisni për këtë vit - a do të ketë akoma hapësirë që Banka Popullore të mbështesë ekonominë në trajtimin e sfidave të pandemisë?
- Ne po monitorojmë vazhdimisht, me kujdes dhe tërësisht gjendjet dhe nëse është e nevojshme, jemi të gatshëm të bëjmë rregullimin e duhur të pozicionimit monetar. Ajo që natyrisht është e qartë dhe ajo që tregojnë trendet globale, është se politika monetare duhet të mbetet e lehtësuar për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike për sa kohë që zgjat pasiguria rreth fundit të pandemisë, por dhe pas kësaj. Në pajtim me trendet e tilla, ne do të vazhdojmë me një politikë të lehtësuar monetare, duke ruajtur një nivel të mjaftueshëm, të lartë të rezervave valutore dhe duke ruajtur një kurs të qëndrueshëm të këmbimit të denarit. Sigurisht, në çdo moment jemi të gatshëm të aplikojmë masa të tjera të përshtatshme, të cilat janë në kompetencën tonë dhe që do të jepnin rezultatet e duhura.
Parashikimet e Bankës Popullore tregojnë rritje të mëtejshme dhe mjaftueshmëri të rezervave valutore. A nënkupton kjo një denar të qëndrueshëm?
- Sigurisht. Niveli aktual, i lartë i rezervave valutore, si dhe planet dhe parashikimet për lëvizjen e tyre në periudhën e ardhshme, janë një garanci e fortë për stabilitetin e denarit. Kur bëhet fjalë për vlerën e monedhës vendase, nuk duhet të ketë asnjë dyshim se ajo do të mbetet e qëndrueshme.
A do të ketë ndonjë efekt procesi i vaksinimit mbi ekonominë dhe mbi pritjet e BP-së me parashikimet e fundit?
- Dihet tashmë se intensiteti dhe zhvillimet lidhur me krizën shëndetësore kanë ndikim të madh mbi zhvillimet ekonomike. Prandaj, vaksinimi, i cili është një nga strategjitë kryesore për trajtimin e pandemisë së Kovid-19, padyshim që do të ketë një efekt mbi ekonominë globale, dhe në atë kontekst mbi ekonominë vendase e cila varet nga zhvillimet në plan ndërkombëtar. Konkretisht, vaksinimi mund të jetë një sinjal pozitiv që do të nxisë parashikimet optimiste dhe kështu do të kontribuojë për një rimëkëmbje më të shpejtë ekonomike se sa pritej fillimisht. Sidoqoftë, është ende herët për të paragjykuar efektet e tilla derisa të merret një pamje më e qartë për efektet shëndetësore nga vaksinimi mbi intensitetin e pandemisë.
Në sektorin për të cilin jeni përgjegjës në Bankën Popullore është edhe Drejtoria e Teknologjisë së Informacionit. Kushtet e „normalitetit të ri“ imponuan një sërë sfidash për mbështetje adekuate të TI-së për vazhdimësinë e punës së institucioneve. Si iu përgjigjët sfidave nga ky aspekt, për të kontribuar në punën e bankës qendrore në këtë periudhë?
- Kjo krizë tregoi se Banka Popullore është e gatshme të funksionojë me sukses dhe me efikasitet në kushte dhe situata më komplekse. Banka vite më parë ka zhvilluar një plan, zbatimi i të cilit garanton funksionim të pandërprerë, për të cilin në vitet e kaluara është kryer testimi i rregullt i sistemeve nga të cilat varet funksionimi i saj i pandërprerë. Një rrethanë tjetër lehtësuese ishte se shumica e aktiviteteve të Bankës Popullore, veçanërisht në pjesën e komunikimit dhe shkëmbimit të të dhënave me bizneset dhe institucionet tjera që janë pjesë e sistemit financiar ishin dixhitalizuar para fillimit të krizës. Kjo i mundësoi Bankës Popullore të vazhdojë me punë dhe komunikim të pandërprerë dhe pasi u futën kufizimet nga kriza shëndetësore. Shumica e punonjësve të Bankës Popullore kishin mundësinë para kësaj krize të punonin jashtë hapësirave të punës, gjë që natyrisht u bë e mundur shpejt edhe për punonjësit tjerë, menjëherë pas futjes së masave për mbrojtje nga virusi.
Gjithashtu, në kushte të tilla, Banka Popullore vazhdoi të zbatojë pandërprerë të gjitha aktivitetet që garantojnë sigurinë e sistemit të saj të TI-së, gjë që natyrisht ka një ndikim në sigurinë e sistemit të përgjithshëm financiar në vend, si dhe modifikimin e menjëhershëm të aplikacioneve ekzistuese softuerike dhe përshtatjen e tyre me masat për kapërcimin e Kovid krizës, siç ishte masa me të cilën u mundësua shtyrja e pagesës së kësteve të kredive. E gjithë kjo u bë e mundur falë ekspertizës së lartë të ekipit të Drejtorisë të Teknologjisë së Informacionit të Bankës Popullore i cili përbëhet prej më shumë se 15 programerë dhe kuadrit tjetër teknik, të cilët në mënyrë të vazhdueshme zhvillojnë dhe mirëmbajnë një numër të madh të aplikacioneve dhe kujdesen për funksionim të pandërprerë dhe efikas të sistemit të TI-së në bankë.
Analizat thonë se dixhitalizimi i përshpejtuar mund të përdoret edhe për zhvillim të ekonomisë. A prisni që kjo të kontribuojë në zhvillimin e ekonomisë tonë ne periudhën pas krizës?
- Përvoja tregon se çdo krizë, përveç sfidave të mëdha, sjell edhe mundësi të caktuara nga të cilat mund të dalin përfitime të caktuara dhe mund të nxirren disa mësime. Prandaj, nuk dyshoj se dixhitalizimi i shpejtë është një përfitim nga kjo krizë. Dixhitalizimi mund të kontribuojë ndjeshëm në shpejtësinë e rimëkëmbjes ekonomike të ekonomisë sonë në periudhën pas krizës, veçanërisht duke inkurajuar inovacione financiare dhe përfshirje më të lartë financiare, e cila mund të përshpejtojë më tej zhvillimin e përgjithshëm të ekonomisë sonë dhe vendit në tërësi. Për shembull, në pjesën e operacioneve bankare, bankat duhet të vazhdojnë të jenë të përkushtuara në procesin e dixhitalizimit të shërbimeve, veçanërisht nëse merret parasysh fakti se pandemia i ndryshoi ndjeshëm shprehitë e pagesave të qytetarëve në drejtim të përdorimit të rritur të kartave të pagesave dhe pagesave në internet.