Shkup, 24 gusht 2020
BQE mori një vendim të rëndësishëm - për herë të parë, i mundësoi Bankës Popullore qasje në likuiditet në valutë të huaj në euro Si arriti në këtë vendim të rëndësishëm?
Në vetë fillimin e Kovid krizës, ne si bankë qendrore filluam një nismë që u mbështet nga të gjithë bankat qendrore nga Ballkani Perëndimor, për sigurimin e qasjes në likuiditet në valutë të huaj në euro nga BQE-ja. Ne jemi të gjithë vende që, megjithëse nuk jemi akoma anëtarë të Bashkimit Evropian dhe pjesë e eurosistemit, kemi një shkallë të lartë të lidhjes ekonomike me ekonominë evropiane, dhe euro si monedhë luan një rol të rëndësishëm në flukset ekonomike. Nismën e prezantuam edhe para institucioneve financiare ndërkombëtare, të cilat na dhanë mbështetje, dhe më pas pasuan kërkesa të ndara dypalëshe, të cilat u vlerësuan nga BQE-ja.
Përgjigja pozitive pasoi pas vlerësimit pozitiv të BQE-së për themelet e ekonomisë dhe kapacitetin e bankës qendrore që në mënyrë të përshtatshme dhe në kohë të reagojë dhe me sukses të ruaj stabilitetin makrofinanciar. Duke pasur parasysh që na u mundësua një qasje e shpejtë dhe e thjeshtë në likuiditetin në valutë të huaj në euro nga ana e BQE-së, është e qartë se vlerësimi dhe perceptimi i tyre për ne është i favorshëm.
Për çfarë do të përdoren këto fonde? Cilat janë përfitimet për ekonominë?
Mbështetja që BQE na ka dhënë përmes përgjigjes pozitive ndaj kërkesës tonë është shumë e rëndësishme. Në thelb do të thotë qasje e shpejtë në likuiditet në valutë të huaj në euro, nëse kemi nevojë për të.
Duke pasur parasysh që pandemia vazhdon, e cila në korniza globale e zmadhon konsiderueshëm pasigurinë dhe ndikon mbi arritjet ekonomike dhe mbi kushtet në tregjet financiare, politikëbërësit duhet të kenë në dispozicion instrumente për reagim, në rast të materializimit të rreziqeve më të mëdha.
Ne, në fillim të krizës dhe tani, si ekonomi posedojmë likuiditet në denarë dhe valutë të huaj, i cili është në nivel të lartë dhe të mjaftueshëm. Në periudhën nga shpërthimi i krizës, Banka Popullore ndërmori masa përmes të cilave u sigurua likuiditet shtesë në denarë në sistemin bankar, dhe gjithashtu forcoi më tej rezervat valutore. Gjithashtu janë siguruar fonde edhe përmes institucioneve financiare ndërkombëtare, por edhe në tregun financiar ndërkombëtar. Megjithatë, kjo krizë karakterizohet nga pasiguria dhe prandaj nuk përjashtohet mundësia për shtrëngim të kushteve financiare, gjegjësisht rritje të kostove për financim ose zvogëlim të likuiditetit. Pikërisht nëse ndodh një skenar i këtillë, ky instrument i BQE-së, neve na mundëson qasje të shpejtë në likuiditet në euro, me kushte të favorshme, që sigurisht do të thotë edhe hapësirë më e madhe për veprim të shpejtë dhe efikas.
Shuma totale e likuiditetit në valutë të huaj që Banka Popullore mund ta sigurojë nga BQE-ja është 400 milionë euro, ndërsa përdorimi i këtyre fondeve mund të jetë graduale, deri në arritjen e kësaj shume maksimale për periudhën deri në gjysmën e vitit të ardhshëm ose deri sa të jetë e nevojshme. Përmes Bankës Popullore, këto fonde do të mund t’i përdorin bankat komerciale, nëse kanë nevojë për likuiditet në valutë të huaj, gjë që garanton më tej stabilitetin e sistemit bankar i cili është një shtyllë e rëndësishme për ekonominë. Nëse është e nevojshme, likuiditeti i repo-linjës së BQE-së do të jetë një mbështetje e rëndësishme për stabilitetin e sistemit, gjë që lidhet me rezistencën e tij ndaj goditjeve, konfirmuar edhe nga stres testet e fundit.
A do të ketë Banka Popullore shpenzime të mëdha ndaj BQE-së për këtë repo-linjë?
Me mundësinë e përdorimit të fondeve nga repo-linja mundësohet që Banka Popullore të sigurojë likuiditet në valutë të huaj në euro në bazë të përkohshme, me maturitet deri në tre muaj, bazuar në vendosjen e letrave me vlerë në BQE. Norma e interesit të repo-linjës është në nivelin e normës bazë për refinancim të BQE-së dhe aktualisht është 0%. Kjo do të thotë qasje e shpejtë në likuiditet, pa pasur nevojë që Banka Popullore të shesë letrat me vlerë të cilat i ka në dispozicion dhe të sjelli kthime të caktuara, ose t’i ruaj fondet në dispozicion në çdo kohë në një llogari në bankat e huaja me normë negative të interesit në kushtet aktuale. Kështu, çmimi i repo-linjës është i dimensionuar në mënyrë që e bënë atë të jetë më tërheqës dhe më të favorshëm krahasuar me kushte më të pafavorshme në tregjet financiare globale, veçanërisht nëse vjen në një intensifikim të ardhshëm të pandemisë së Kovid-19.
A është repo-linja e BQE-së një mbështetje shtesë për stabilitetin e denarit?
Sigurisht. Vetë fakti që ne si bankë qendrore, pavarësisht kushteve në tregjet financiare ndërkombëtare kemi një qasje të garantuar të shpejtë në likuiditet në euro nga BQE-ja, qartë tregon se kjo është një mbështetje e rëndësishme shtesë për stabilitetin e kursit të këmbimit të denarit. Them shtesë, sepse niveli i rezervave valutore është i lartë dhe sipas të gjitha treguesve të mjaftueshmërisë, rezervat janë në zonë të rehatshme.
Por, tema kryesore deri para disa ditësh ishte fakti që „Eurostandard Banka“ falimentoi. A ishte e domosdoshme?
Fillimisht, dua të theksoj se nuk ekziston bankë qendrore që dëshiron të marrë ose merr lehtë vendim për revokimin e lejes për themelim dhe punë të një banke. Ky është një vendim i vështirë, që pason pas vlerësimeve dhe analizave të hollësishme mbikëqyrëse dhe pasi të gjithë zgjidhjet alternative që nënkuptojnë një rezultat më të mirë janë shterur.
Siç sqaruam në konferencën për shtyp, për shkak të nevojës për të rezervuar një pjesë të madhe të vendosjeve të kredisë, pronarët e Bankës kishin ndërmarrë një detyrim për rikapitalizim të Bankës në gjysmën e parë të këtij vitit, mbi pagesën e 11 milionë eurove gjatë vitit 2019 me të cilën treguan një përgjegjësi të caktuar duke rritur kapitalin e Bankës, gjë që ishte thelbësore për përmbushjen e kërkesave minimale ligjore.
Duke e pasur parasysh situatën në Bankë, vetëm rikapitalizimi ishte një zgjidhje e mundshme. U treguam qartë pronarëve për seriozitetin e situatës në të cilën gjendej banka dhe këmbëngulëm për rikapitalizim të menjëhershëm, duke theksua se nëse rikapitalizimi nuk ndodh, Banka Popullore nuk do të ketë zgjidhje tjetër përveç shqiptimit të masës më të rreptë - revokimin e lejes për themelim dhe punë të bankës. Për fat të keq, pronarët nuk e siguruan kapitalin e nevojshëm për gjysmën e parë të këtij viti, as nuk ofruan zgjidhje të shëndoshë dhe reale për transferimin e pronësisë tek ndonjë investitor. Mos përmbushja e detyrimit për rikapitalizim bashkë me humbjet më të mëdha çuan në falimentimin e bankës.
Them zgjidhje të shëndoshë dhe reale, sepse duke pasur parasysh gjendjen financiare të Bankës, një zgjidhje e shëndoshë do të thotë edhe një investitor që do të kryente rikapitalizim në vëllim dhe ritëm me të cilin do të mundësohej qëndrueshmëria e saj. Dhe sigurisht, që dikush të jetë pronar i një banke duhet të kalojë nëpër një proces të dokumentuar plotësisht për të vlerësuar përshtatshmërinë për një aksionar, në pajtim me kriteret e përcaktuar me Ligjin për Bankat.
I tërë ekipi dhe unë bëmë përpjekje maksimale, në pajtim me dispozitat ligjore, që të gjendet një zgjidhje e favorshme, përfshirë edhe përmes komunikimit intensiv me pronarët, por edhe komunikim me investitorin e mundshëm të referuar prej tyre. Në fund, një hap i tillë duhej të ndërmerrej, siç kërkon Ligji për Bankat. Në fakt, është një detyrim ligjor, respektimi i të cilit e mbron sistemin bankar, por më kryesorja - mbrohen edhe depozituesit dhe kreditorët e bankës konkrete.
Partitë politike u paraqitën me reagimet e tyre. Cila është përgjigja Juaj për këto reagime?
Siç tashmë kemi theksuar - Banka Popullore është një institucion me pavarësi dhe autonomi të garantuar me kushtetutë dhe me ligj, e cila gjatë realizimit të qëllimeve dhe detyrave të saj të përcaktuara me ligj udhëzohet ekskluzivisht nga ligjet, duke mbrojtur interesin e qytetarëve. Pikërisht për shkak të profesionalitetit dhe pavarësisë së bankës qendrore, vite me radhë ruhet stabiliteti makroekonomik, gjë që vihet re në raportet e të gjithë institucioneve relevante financiare ndërkombëtare, si dhe në raportet e institucioneve evropiane. Prandaj, përsëri bëjmë thirrje që të respektohet autonomia dhe pavarësia e Bankës Popullore, të mos përfshihet në diskutime politike, dhe të mos vendosim vendimet e saj në një kontekst politik.
A keni bërë gjithçka për të mbrojtur qytetarët që kanë përdorur shërbimet e kësaj banke?
Banka Popullore bëri maksimumin - të gjithë masat që i ndërmori drejt „Eurostandard Banka“ janë për mbrojtje të qytetarëve që ishin depozituesit e saj. Në fakt, edhe në përgjithësi, çdo masë mbikëqyrëse që ndërmerret drejt një banke është në atë drejtim. Si shembull konkret do të kisha përmendur masën për të kufizuar huadhënjen e „Eurostandard Banka“ - me këtë u mbrojtën depozituesit. Nëse nuk ndodhte kjo, „Eurostandard Banka“, do të kishte mundësi që depozitat e qytetarëve dhe kompanive t’i vendosë në kredi, pa pasur kapital të mjaftueshëm vetjak mbi barrën e të cilit do të binin humbjet e mundshme. Banka Popullore ishte e detyruar që edhe në këtë mënyrë t’i mbrojë qytetarët dhe kompanitë që ishin depozitues në „Eurostandard Banka“ dhe e bëri këtë.
Duke mbrojtur interesin e depozituesve dhe kreditorëve, në mënyrë aktive i realizonim edhe të gjithë aktivitetet që ishin kompetencë e Bankës Popullore pas revokimit për themelim dhe punë të bankës, në periudhën nga fillimi i procedurës së falimentimit. Është mbrojtur prona e „Eurostandard Banka“, me çka u sigurua një pjesë e parakushteve për zbatimin e një procedure të shpejtë falimentimi brenda së cilës duhet të paguhen pretendimet e kreditorëve dhe një pjese të depozituesve. Ndryshe, kompetenca e Bankës Popullore përfundon me fillimin e procedurës së falimentimit, kur administrimin e pronës në tërësi e ndërmerr administratori i falimentimit. Nëse procedura e falimentimit kryhet me sukses, mund të pritet një pagesë e shpejtë dhe efikase e pretendimeve të kreditorëve të „Eurostandard Banka“. Ditëve të fundit, ekipi ynë ishte maksimalisht i përkushtuar për të ndihmuar që sa më shpejtë të kryhen procedurat administrative lidhur me pagesën e dëmshpërblimit të depozitave të qytetarëve nga Fondi për Sigurimin e Depozitave dhe shpresojmë se pagesa do të fillojë në kohë.
Po, pati njoftime se po punohet që sa më shpejtë të kryhen procedurat administrative lidhur me pagesën e dëmshpërblimit nga ana e Fondit për Sigurimin e Depozitave. Ku kanë arritur aktivitetet, çfarë mund të presin qytetarët?
Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me Fondin, të përkushtuar që procesi të zhvillohet me sukses. Fondi tashmë njoftoi për bankat përmes të cilit po kryhet pagesa - „Stopanska Banka“ AD Shkup, „NLB Banka“ AD Shkup, „Halkbank AD“ Shkup dhe „Komercijalna Banka“ AD Shkup. Është e rëndësishme të dini se depozituesit e „Eurostandard Banka“ nuk duhet që pretendimet e tyre në bazë të depozitave t’i paraqesin tek administratori i falimentimit. Ndryshe, nga Fondi, do të dëmshpërblehen edhe depozitat e tregtarëve individual edhe personave fizikë të cilët në pajtim me Ligjin për Kompani Tregtare nuk konsiderohen si tregtarë. Punohet për të thjeshtësuar proceduar administrative për dhënien e certifikatave për depozitat e siguruara, duke pasur parasysh rrethanat me pandeminë e Kovid-19 dhe domosdoshmërinë për të mbrojtur shëndetin, bëhet edhe një shpërndarje e përshtatshme e kreditorëve në grupe. Nga Fondi jemi të informuar se po ndërmerren aktivitete edhe për çështjet tjera, me qëllim plotësimin e nevojave të depozituesve që procesi të zhvillohet në mënyrë më efikase. Qytetarët që nuk janë në vend gjatë kësaj periudhe, duhet të jenë të qetë, sepse pagesa e dëmshpërblimit të depozitës së tyre do të zhvillohet më vonë, kur ata të jenë këtu. E njëjta vlen edhe për trashëgimtarët e depozitave që janë subjekt i trashëgimisë dhe procedurës trashëgimore - pagesa e tyre do të kryhet në çdo kohë pas përfundimit të procedurës trashëgimore. Besoj që, posa të specifikohen të gjithë hollësitë, Fondi do t’i njoftojë depozituesit, me ç’rast do të njoftohet edhe data kur do të fillojë zhdëmtimi, në kuadër të afateve ligjore.

Çfarë do të ndodhë me huamarrësit?
Mënyrën e shlyerjes së detyrimeve bazuar në kredi, qytetarët dhe kompanitë që kanë qenë klientë të „Eurostandard Banka“ do të duhet ta rregullojnë me administratorin e falimentimit, që pritet në kohë të ndajë informacionet me ta. Në kuadër të këtij procesi, është thelbësore që bankat të mbështesin qytetarët dhe kompanitë dhe është një sinjal i shkëlqyeshëm që, përmes Asociacionit Bankar Maqedonas tashmë njoftuan se janë të gatshëm të plotësojnë nevojat e klientëve.
A u garantoni qytetarëve se bankat tjera janë të sigurta?
Të gjithë bankat tjera janë të sigurta dhe të qëndrueshme, gjegjësisht i tërë sistemi bankar është i sigurt dhe i qëndrueshëm, në aktivin total të të cilit „Eurostandard Banka“ kishte një pjesëmarrje prej 1,3%. Siç kamë theksuar edhe më herët, „Eurostandard Banka“ është një rast i izoluar, që nuk do të ndikojë mbi bankat tjera.
Të dhënat e fundit në dispozicion tregojnë se bankat, pavarësisht pasigurisë së rritur në ekonominë globale dhe vendore, arritën rezultate solide, që janë më të mira krahasuar me të dhënat nga fundi i marsit kur kriza e Kovid akoma nuk ishte shumë e pranishme në ekonominë maqedonase. Kapitali i bankave u forcua edhe më tej, si rezultat i ruajtjes së pjesës më të madhe të fitimeve të tyre për të rritur kapitalin e tyre, gjë që është edhe rezultat i rekomandimit që dërguam në fillim të krizës së Kovid. Për më tepër, pak më shumë se gjysma e kapitalit të bankave paraqet një tepricë mbi minimumin ligjor, që është jashtëzakonisht e rëndësishme për mbrojtje të sistemit bankar nga goditjet, siç është pandemia e Kovid-19. Cilësia e fondeve vetjake është jashtëzakonisht e lartë dhe pjesa dominuese e tyre rreth 90% përbëhen nga kapitali i rregullt themelor, si një shtresë më cilësore e fondeve vetjake të sistemit bankar.
Garanci për stabilitetin e sistemit bankar është edhe fakti që likuiditeti që bankat e kanë në dispozicion është në nivel të lartë, pavarësisht fakti që ata përkohësisht i shtynë pagesat e një pjese të konsiderueshme të kredive.
A kanë bankat tjera nivel të mjaftueshëm të kapitalit?
Matja më e mirë për këtë është norma e mjaftueshmërisë së kapitalit të sistemit bankar, e cila në fund të gjysmëvjetorit të parë shënoi rritje të mëtejshme dhe është brenda minimumit historik - me përjashtimin e „Eurostandard Banka“ është 17,2%, gjegjësisht është dyfish më shumë se minimumi ligjor prej 8%. Tek të gjithë bankat, norma e mjaftueshmërisë së kapitali është në një shtrirje prej rreth 14% deri 22%, gjegjësisht në pjesën më të madhe është dyfish më e lartë se kërkesa më e ulët ligjore, që është me rëndësi thelbësore për stabilitetin e bankave dhe sistemin bankar në tërësi.
A kanë besim qytetarët - çka ndodh me depozitat pas falimentimit të „Eurostandard Banka“?
Në depozitat e popullatës nuk janë të pranishme lëvizje të pazakonta për këtë periudhë të muajit. Kjo vërtetohet edhe përmes informacioneve që i marrim nga bankat në baza ditore. Ky është një sinjal i rëndësishëm se qytetarët kanë besim në sistemin bankar. Dhe kështu duhet të jetë, sepse siç kemi theksuar më shumë se një herë, sistemi bankar është një nga shtyllat më të forta të ekonomisë maqedonase.

Qytetarët po interesohen - shtyrja e pagesës së kredive në banka është deri në fund të shtatorit. A pritet një shtyrje e re?
Vazhdimisht e përcjellim zhvillimin e ngjarjeve dhe kështu, sigurisht, jemi të gatshëm që në mënyrën e duhur t’i përshtatim politikat dhe të reagojmë në kohë në pajtim me kompetencat tona. Aktualisht po zhvillohen analiza, në bazë të të cilave së shpejti do të merret një qëndrim për këtë çështje, duke marrë parasysh nevojat e qytetarëve dhe stabilitetin e sistemit bankar.
Intervistën mund ta gjeni këtu.