Angelovska-Bezhoska: Sistemi bankar është i qëndrueshëm ndaj goditjeve të mundshme
Bilancet e sistemit bankar tregojnë baza të shëndosha. Në vitin 2008, kur ekonomia globale ishte në krizë, mjaftueshmëria e kapitalit të bankave tona ishte më e ulët se sa është tani - atëherë ishte rreth 16%, ndërsa tani është 17%, që paraqet hapësirë për të trajtuar goditjet e mundshme. Likuiditeti, tani është më i lartë se sa në periudhën para krizës në vitin 2008, dhe është shumë e rëndësishme që edhe profitabiliteti i sistemit bankar është në nivel solid, sepse nëse ka nevojë për kapitalizim shtesë për mbështetjen e aktivitetit kreditues, bankat kanë potencial të brendshëm për ta siguruar atë. Këtë e deklaroi guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska, në edicionin e djeshëm të emisionit „Magazina Ekonomike“ në televizionin Alsat-M, në të cilën theksi u vendos mbi efektet e mundshme nga përhapja e virusit kovid-19 mbi ekonominë.
Angelovska-Bezhoska tha se, tani, cilësia e aktivit të sistemit bankar është shumë më e mirë se sa në periudhën para krizës së fundit ekonomike globale, që qartë vërehet përmes pjesëmarrjes më të ulët të kredive me probleme në totalin e kredive. Siç tha ajo, pjesëmarrja është rreth 4,8%, që në nivel rajonal, krahasuar me ekonomitë tjera është njëra nga pjesëmarrjet më të ulëta të kredive me probleme në totalin e kredive.
Gjithë kjo, siç tha guvernatorja, është një tregues ilustrues se sistemi bankar në vendin tonë është i qëndrueshëm ndaj goditjeve të mundshme, ndër të cilët janë edhe efektet e mundshme mbi ekonominë nga përhapja e virusit kovid-19 në nivel global.
Angelovska-Bezhoska më hollësish iu referua efekteve të mundshme nga përhapja e virusit mbi ekonominë globale, para së gjithash për shkak të rëndësisë që ka ekonomia kineze për zhvillimet ekonomike globale.
Në emision ishin të ftuara edhe ministrja e Financave, Nina Angelovska dhe Angelika Peeva-Laurençiq nga sektori i biznesit.