Strategjia e parë nacionale për edukim financiar dhe përfshirje financiare, e miratuar kohët e fundit, parashikon disa aktivitete për të lehtësuar qasjen e qytetarëve në financa, por edhe për mbrojtjen e tyre më të madhe, të cilat do të ndërmerren nga Banka Popullore dhe rregullatorët e tjerë financiarë, në bashkëpunim me institucionet financiare dhe sektorin e shoqërisë civile.
"Këto aktivitete dhe masa kanë për qëllim: miratimin e rregullores gjithëpërfshirëse për mbrojtjen e konsumatorëve në fushën e financave, në përputhje me praktikat e mira të BE-së; forcimin e komunikimit me konsumatorët për të kuptuar më mirë nevojat e tyre dhe për t’iu përgjigur ankesave të tyre; edukim financiar për konsumatorët për të kuptuar më mirë të drejtat të tyre; "rishikimi i mundësive ligjore për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, si dhe analiza e mundësive për vendosjen e ombudsmanit financiar," tha guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska, në një intervistë për veb-portalin "Pari".

Një nga aktivitetet për komunikim më të mirë dhe transparencë më të lartë është prezantimi i pjesës së re të faqes së internetit të Bankës Popullore, ku qytetarët do të mund të gjejnë informacione më të detajuara mbi produktet bankare, por edhe për mbrojtjen e konsumatorëve. Në të ardhmen, kjo pjesë e faqes së internetit do të përditësohet, paralelisht me aktivitetet që do të ndërmiren.
Në faqen e internetit, ndër të tjera, do të publikohen produktet bankare më përfaqësuese të bankave dhe shtëpive të kursimit, në përputhje me Udhëzimet e miratuara nga Banka Popullore dhe Shoqata e Bankave të Maqedonisë (SHBM) në fund të muajit të kaluar. Ky është hapi i parë dhe shumë i rëndësishëm në zbatimin e Strategjisë për Edukim Financiar dhe Përfshirje Financiare, një dokument i përgatitur nga Trupi Koordinues i Rregullatorëve Financiarë për Edukim Financiar dhe Përfshirje Financiare, nën udhëheqjen e Bankës Popullore.
“Nga e hëna, të gjithë qytetarët do të kenë qasje të unifikuar, në një vend, në informacionet më të rëndësishme mbi kreditë konsumatore dhe të strehimit të të gjithë sistemit bankar. Shumica e bankave dhe shtëpive të kursimit deri më tani kanë publikuar një pjesë të madhe të informacioneve, por jo të unifikuar, jo në të njëjtën mënyrë, jo në të njëjtën tabelë. Nga e hëna, për çdo qytetar, këto informacione do të jenë të disponueshme në të njëjtën mënyrë, në çdo bankë dhe në çdo shtëpi kursimi. Është e rëndësishme të theksohet se SHBM dhe bankat kanë treguar mirëkuptim të madh dhe kanë mbështetur plotësisht këtë veprimtari, me të cilën ne përpiqemi që çdo bankë dhe çdo shtëpi kursimi të publikojë një grup të zgjedhur informacionesh që janë me rëndësi për të formuar një pasqyrë të plotë të produktit të ofruar, e cila duhet ti mundësojë më tej klientit një vendim të shëndoshë për produktin. Me këtë, ne në të vërtetë i drejtojmë klientët drejt aspekteve më të rëndësishme që ata duhet të kenë parasysh gjatë shqyrtimit të kredive dhe depozitave të caktuara, në mënyrë që të zgjedhin një produkt të përshtatshëm, në të njëjtën kohë duke marrë parasysh rreziqet e mundshme ", thekson Angelovska- Bezhoska
Të dhënat e standardizuara do të jenë të disponueshme në faqen e internetit të Bankës Popullore si dhe veçmas, në një vend të spikatur qartë në faqet e internetit të të gjitha bankave dhe kursimeve. Njoftimi do të mbulojë llojet më përfaqësuese të kredive konsumatore dhe të strehimit për familjet, si dhe llojet më përfaqësuese të depozitave për popullatën pranë bankave dhe shtëpive të kursimit. Përveç informacionit bazë për produktet bankare, të tilla si maturimi, monedha dhe norma e interesit, njoftimet pritet të përfshijnë informacion shtesë të detajuar, siç është shuma e kostos totale të kredive konsumatore dhe kostot që nuk përfshihen në këtë normë, lloji të kolateralit dhe raportit minimal të kolateralit / kredisë për kreditë për strehim, mundësia për shlyerjen e hershme të depozitave dhe të tjera.
Intervistën e plotë në gjuhën maqedonase e gjeni në linkun në vazhdim. https://pari.com.mk/intervju-angelovska-bezoska-od-poned/