
Gjatë ceremonisë me rastin e Ditës Botërore të Kursimit - 31 Tetor, të organizuar nga Asociacioni Bankar Maqedonas, Guvernatorja e Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë, Dr. Anita Angelovska - Bezhoska mbajti fjalimin e saj. Përpara të pranishmëve, ajo foli për rëndësinë e kursimit si nga aspekti i individit ashtu edhe për përparimin e përgjithshëm ekonomik dhe ruajtjen e stabilitetit makrofinanciar dhe vuri në dukje përfitimet e shumta për të gjithë shoqërinë.
“Duke pasur parasysh të gjithë përfitimet nga kursimi, kam kënaqësinë të konstatoj se qytetarët maqedonas kultivojnë kulturën e kursimit në sektorin bankar. Gjatë 10 viteve të fundit, totali i depozitave është rritur me një mesatare prej rreth 8%, në bazë vjetore, gjë që kontribuoi për rritjen të kursimeve me rreth 10 pikë përqindjeje, në nivelin e 55% të PBB-së në vitin 2017. Fakti që rritja e depozitave u realizua në kushte të krizës globale dhe goditjeve të shumta ekonomike dhe politike është konfirmim i besimit të lartë të qytetarëve në sektorin bankar, i cili gjatë gjithë periudhës qëndroi i shëndoshë, stabil, i kapitalizuar dhe likuid, duke treguar aftësi të lartë për trajtim të suksesshme të goditjeve. Veçanërisht pozitive është rritja më e fortë e depozitave në monedhë vendase dhe përshpejtimi i rritjes së kursimit në plan afatgjatë, që e forcon kapacitetin e bankave për vendosje afatgjate dhe mbështetje të projekteve investuese. Rritja e depozitave siguroj bazë solide për rritje të aktivitetit kreditues dhe thellim të ndërmjetësimit financiar për rreth 8 pikë përqindjeje në dhjetë vitet e kaluara, në nivelin e 48% të PBB-së në vitin 2017.” - theksoi, ndër të tjera, Guvernatorja Angelovska-Bezhoska.
Ajo, theksoi se, pavarësish trendeve pozitive, vërehet nevoja për rritje të mëtejshme të totalit të kursimit vendas, e cila në të vërtetë është një karakteristikë e përbashkët e vendeve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore (EQLJ). Përveç kësaj, ajo më hollësisht foli për lidhjen e nivelit të kursimit me nivelin e mbështetjes së investimeve. Ajo gjithashtu vuri në dukje se “duke parë përpara, nuk ka dyshime për nevojën e përshpejtimit të investimeve, që pa dyshim do të thotë nevojë për nxitje të kursimit vendas me qëllim të zvogëlimit të hendekut midis kursimit vendas dhe investimeve.”
Duke pasur parasysh se, pavarësish zhvendosjeve pozitive, norma e kursimit vendas në ekonominë maqedonase vazhdon të jetë relativisht e ulët, Guvernatorja Angelovska-Bezhoska, gjatë fjalës së saj apeloi se nevojitet kontribut aktiv nga të gjithë palët e prekura. “Edhe ne, si Bankë Popullore, në pajtim me kompetencat, edhe në periudhën në vijim do të vazhdojmë me mbështetje të kursimit përmes ruajtjes së mëtejshme të stabilitetit makrofinanciar dhe rregullativës së matur për ruajtje të një sektorit bankar të shëndoshë dhe stabil, duke kontribuar në ruajtjen e besimit në sistemin financiar i cili është parakusht kyç për kursimin vendas.” - theksoi në fund të fjalës së saj.
Gjatë ceremonisë fjalën e tyre e mbajtën edhe Ministri i Financave në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë, D-r Dragan Tevdovski dhe Kryetari i Asociacionit Bankar Maqedonas, z. Kosta Mitrovski.