Një nga tiparet kryesore të ekonomisë sonë është ruajtja e inflacionit të ulët dhe të qëndrueshëm, me një inflacion mesatar prej rreth 1% në vitet e fundit. Arritjet e vitit të kaluar dhe në dy muajt e parë të këtij viti janë pothuajse plotësisht në përputhje me parashikimet e Bankës Popullore. Ngjashëm me pritjet për lëvizjen e çmimeve në BE - inflacioni në ekonominë maqedonase mbetet i moderuar. Të dhënat dhe pritjet e fundit gjithashtu vërtetojnë ruajtjen e stabilitetit të çmimeve.
Këtë e deklaroi guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska, në emisionin „Magazina Ekonomike“ në televizionin Alsat-M.
Duke iu referuar lëvizjes së çmimeve, guvernatorja theksoi se në korniza globale, çmimet e produkteve parësore janë të ndryshueshme si në rritje asht edhe në rënie, dhe se aktualisht, edhe pse të dhënat dhe analizat tregojnë zhvendosje në rritje, nuk është ndonjë rritje e nivelit të lartë.
„Për ne, duke pasur parasysh se BE-ja është partneri më i rëndësishëm i ekonomisë tonë, është e rëndësishme se çfarë do të ndodhë me lëvizjen e çmimeve në BE, ku nuk pritet ndryshime të konsiderueshme, për shkak se BQE-ja vazhdon me politikën e lehtësuar monetare. Zhvendosja në rritje e parashikimeve të BQE-së është e moderuar dhe arsyet janë kryesisht të vendosura në çmimet e lëndëve djegëse dhe faktorëve tjerë që aktualisht konsiderohen të përkohshëm.“ - theksoi Angelovska-Bezhoska.
Guvernatorja theksoi së është me rëndësi të veçantë që bankat qendrore të ekonomive të mëdha, tani për tani, të planifikojnë të vazhdojnë me politikën e lehtësuar monetare në periudhën e ardhshme, sepse është një faktor që ndikon mbi zhvillimet në tregjet financiare ndërkombëtare, të cilat kanë ndikim edhe mbi çmimet e kreditimit në ekonominë tonë.
„Për ne është shumë e rëndësishme se çfarë po ndodh në tregjet financiare ndërkombëtare. Sa më të relaksuar të jenë, aq më shumë hapësirë kemi për të ndjekur një politikë më të lehtësuar monetare. Ky është parakushti i parë, dhe cilat do të jenë normat e interesit në vendin tonë varet nga potenciali i këmbimit valutor, i cili tani për tani është në një nivel plotësisht të përshtatshëm sipas të dhënave të fundit në dispozicion dhe natyrisht nga inflacioni, i cili varet jo vetëm nga faktorët e jashtëm por edhe faktorët e brendshëm, kryesisht nga kërkesa e brendshme.“ - theksoi Angelovska-Bezhoska.
Lidhur me tendencat aktuale në mbështetjen e kreditimit të amvisërive, guvernatorja tha se rritja më e dukshme është në kreditë banesore prej rreth 13%, ndërsa ka një ngadalësim në kreditë konsumatore prej rreth 6-7%, gjë që tregon një ndryshim në strukturën e kreditimit.
Siç theksoi Angelovska-Bezhoska, pas miratimit të Ligjit të ri për Shërbime të Pagesave dhe Sisteme të Pagesave, në të cilin punuan ekipet e Bankës Popullore dhe Ministrisë së Financave, me inkurajimin e konkurrencës në fushën e pagesave me hyrjen e institucioneve më të vogla pagesore të cilët do të ofrojnë shërbime të reja për qytetarët me çmim më të ulët, pritet që të ketë një ulje të tarifave për shërbimet e pagesave.
Gjatë intervistës, guvernatorja, ndër të tjera theksoi se të dhënat tregojnë se lehtësimi rregullator me të cilin u mundësua shtyrja e pagesave të kredive me kushte përkohësisht të ndryshuara për bankat kishte një kontribut pozitiv në trajtimin e krizës së deritanishme. Si rezultat i kësaj mase, rreth 44% e totalit të portfolios së rregullt i kredive në vendin tonë e përbëjnë kredi me kushte të lehtësuara për ripagim, që është më shumë se në BE.
„Aktualisht, si bankë qendrore, jemi duke bërë analiza të hollësishme për të parë efektivitetin e masës dhe segmenteve të cilave duhet t’u kushtohet vëmendje e veçantë. Në bazë të analizave, do të kemi bisedime me Asociacioni Bankar Maqedonas (ABM) për të vendosur mbi hapat e mundshëm të mëtejshëm. Por është e rëndësishme të kihet parasysh se nëse nuk ka ndryshime rregullatore, kjo nuk do të thotë që qytetarët mund t’u drejtohen bankave për të marrë një prolongim të pagesës së kredisë, në varësi të situatës së tyre financiare. Kur flasim për ndryshime rregullatore, nënkuptojmë ndryshime që do të stimulonin bankat për ta bërë këtë.“ - theksoi guvernatorja, duke vërë në dukje se në këtë segment, rregullat për rezervim të para krizës vlejnë për bankat.
Në intervistë, ajo theksoi se të dhënat tregojnë se ka përmirësime strukturore në deficitin tregtar, dhe se rënia e vitit të kaluar ishte për shkak të faktit se rënia e eksporteve ishte më e vogël se rënia e importit. Ajo theksoi se kjo nuk është një befasi dhe se ne episodet e tjera të krizës kishte një ulje të deficitit tregtar.
Duke iu përgjigjur pyetjes për borxhin publik, Angelovska-Bezhoska theksoi se borxhi publik në rritje është një fenomen global dhe rezultat i paketave fiskale për mbështetjen e ekonomive, por kjo thekson më tej nevojën për përdorim të mençur dhe racional të burimeve publike në të ardhmen.
„Paketat fiskale duhet të përqendrohen në kategoritë më të ndjeshme dhe shpenzimet që jo vetëm ndikojnë në periudhën afatshkurtër, por gjithashtu rrisin potencialin e rritjes ekonomike në plan afatgjatë, që do të thotë edhe të ardhura më të larta buxhetore. Kjo, në plan afatmesëm do të ndihmojë konsolidimin fiskal. Gjithashtu, për një konsolidim fiskal nevojitet zbatimi i mëtejshëm i reformave strukturore, nga të cilat varet norma e interesit të borxhit, sepse prejt tyre varen edhe perceptimet e investitorëve ndërkombëtare.“ - theksoi guvernatorja.
VIDEO