
I nderuar kryeministër, të nderuar ministra të financave dhe zyrtarë tjerë të institucioneve qeveritare, guvernatorë dhe zyrtarë tjerë të bankave qendrore, drejtorë ekzekutivë, nënkryetarë në Grupin e Bankës Botërore, drejtorë në Fondin Monetar Ndërkombëtar, profesor Zingales, delegatë të Konstituencës, ekselenca, kolegë, përfaqësues të medieve,
Në fillim të fjalës time do të dëshiroja të them se është një nderë i madh që këtë vit kemi mundësinë të jemi nikoqir i këtij takimi të rëndësishëm të Konstituencës tonë. Kaluan gjashtëmbëdhjetë vjet nga Takimi i fundit i Konstituencës në Shkup dhe për ne është një kënaqësi e madhe që të gjithë ju jeni përsëri bashkë me ne gjatë këtyre tre ditëve.
Fatmirësisht, kohëve të fundit hasa në një libër të cilin nuk e kisha gjetur në rininë time të hershme, libër i cili fillon me një mesazh shumë të fuqishëm - „Të gjithë familjet e lumtura i ngjajnë njëra tjetrës, çdo familje e pakënaqur është e pakënaqur në mënyrën e vet“; ndoshta u kujtohet tashmë - „Ana Karenina“ e Tolstoit. Disa ditë më vonë, gjatë përcjelljes së diskutimeve më të reja për çështjet e ndryshme lidhur me kapitalizmin, pabarazinë dhe shpërndarjen e pasurisë, në një nga kërkimet lexova mendimin e njëjtë, të cilën e citon autori i kërkimit duke e lidhur atë me të gjithë llojet e ndryshme të pabarazisë, si simbol i mungesës globale të lumturisë. Treguesit standardë për nivelin e pabarazisë tregojnë një përhapje në rritje të këtij fenomeni. Vlen të përmendet se pabarazia mbështet përhapjen e populizmit, duke reflektuar një pakënaqësi globale me një sistem që nuk ofron mundësi të barabarta për të gjithë dhe në të cilin përparimi nuk bazohet në punën e investuar, një sistem që gradualisht evoluon në të ashtuquajturin kapitalizëm i kronizimit. Prandaj, jam e sigurt që kemi zgjedhur temën e duhur dhe më të përshtatshme për diskutim në këtë takim të Konstituencës.
Më lejoni të shoh nëpërmjet thjerrëzave të historisë - deri në lëkundjen e themeleve të kapitalizmit dhe paraqitjen e Marksizmit çuan ngecja e rritjes së pagave dhe koncentrimi i pasurisë në një numër të vogël njerëzish nga fazat e herëta të revolucionit industrial. Siç qartësonte „Marksi modern“, Tomas Piketi në librin e tij „Kapitali në shekullin e XXI“, devijimi i vetëm nga tendenca e rritjes së pabarazisë në nivel global paraqitet ndërmjet viteve 1914 dhe 1970 - periudhë që paraqet një përjashtim historik.
Sipas të dhënave, rritja e pabarazisë së të ardhurave, duke filluar nga viti 1980 është një fenomen global pothuajse gjithkund, edhe pse me një ritëm të ndryshëm në vende të ndryshme. Kjo kthesë historike shpesh shoqërohet me përfundimin e të ashtuquajturit „regjim post-egalitar“ në plan global. Mbështetje e këtij konstatim janë edhe të dhënat nga Raporti për Pabarazi Globale nga viti 2018, sipas të cilit pjesa e 10% më të pasurve në totalin e të ardhurave në Evropën Lindore, Amerikën Veriore, Kinë dhe Indi, në vitin 1980 ishte 30-35%. Në vitin 2016, kjo përqindje u rrit në 35-40% në Evropën Perëndimore, ndërsa rrija në rajonet tjera është më e fortë dhe arrin 45-50% nga totali i të ardhurave. Mospërputhja në përqendrimin e të ardhurave në Evropën Perëndimore dhe SHBA është e dukshme, duke çuar në përfundimin e një ndarje të konsiderueshme të pabarazisë së të ardhurave në këto rajone gjatë katër dekadave të fundit.
Padyshim, është pikërisht kjo valë „moderne“ dhe mospërputhja e pabarazisë së të ardhurave që çon në nevojën për të sqaruar arsyet e këtyre dallimeve brenda një sistemi siç është kapitalizmi. Nga këndvështrimi i situatës në Evropë dhe SHBA, mund të shihet se shkalla e zhvillimit ekonomik nuk është gjithmonë shkaku kryesor i dallimeve në shpërndarjen e të ardhurave. Në fakt, ndryshimet në politika dhe ndryshimet në vlerat themelore në këto shoqëri mund të ndikojnë dukshëm në formën e kurbës së shpërndarjes. Në fund të fundit, shumë autorë e lidhin divergjencën në pabarazinë e të ardhurave midis Evropës Perëndimore dhe SHBA-së me pabarazinë më të madhe në qasjen në arsim. Në Evropën Perëndimore, sistemi arsimor dhe politikat e përcaktimit të pagave janë relativisht të favorshme për grupet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Prandaj, mundësitë e barabarta për qasje në arsim me cilësi më të lartë, veçanërisht në kohët e sotme kur teknologjia po përparon shumë shpejt, mund të jetë një nga zgjidhjet për problemin e pabarazisë së të ardhurave në rritje. Kjo do t'u jepte të rinjve me të ardhura më të ulët qasje më të lehtë në punë me pagë më të mirë dhe mund të nivelizonte kurbën e shpërndarjes së të ardhurave.
Në rajonin tonë, pavarësisht kalimit në ekonomitë e orientuara drejt tregut, gjë që ka çuar në një rritje të pabarazisë, pjesa e 10% më të pasurve në të ardhurat totale është rreth 29%, që është më pak se Evropa Perëndimore.
Natyrisht, çështja e pabarazisë së të ardhurave nuk është një risi dhe bota nuk është e mbrojtur nga ndryshimet tektonike të sistemeve, siç është tranzicioni në Evropë, i cili ishte „tokë pjellore“ për rritjen e pabarazisë. Por kjo çështje është fokus i hulumtimeve dhe debateve në qarqet akademike dhe politike, ku shkaqet dhe pasojat e pabarazisë janë diskutuar në dhjetë vitet e fundit. Shfaqja e krizës globale financiare ka sjellë çështjen e pabarazisë në plan të parë. Jo rastësisht, disa autorë e lidhin thellësinë e kësaj krize me zhvillimin e shoqërive të pabarabarta. Kështu, në librin „Vijat e gabuara“, Raguram Raxhan thekson se rritja e pabarazisë në tre dekadat e kaluara rriti presionin politik për rishpërndarje, i cili në fund u shpreh në formë të subvencioneve për tregun e pasurive të patundshme, që ishte një aktor i rëndësishëm në krizën financiare globale.
Në kontekstin e çështjes së pabarazisë së të ardhurave, dilema është nëse bankat qendrore përmes politikave të tyre mund të ndikojnë në shpërndarjen e të ardhurave. Duke pasur parasysh që amvisëritë janë heterogjene për sa i përket burimit të të ardhurave parësore - kapitalit ose punës - ose pozicionit të tyre neto - kursimtar ose huamarrës - politika monetare mund, të paktën në një afat të shkurtër, të ketë një efekt të ndryshëm mbi këto grupe amvisërish të ndryshme. Masat makroprudenciale, si rregull, janë të synuara dhe përdoren në mënyrë selektive për të trajtuar dobësitë e identifikuara, ndërsa blerja e llojeve të ndryshme të instrumenteve financiare nga banka qendrore çon në një ndryshim në formimin e çmimeve në tregjet financiare. Por pavarësisht kësaj, duke pasur parasysh objektivat e bankës qendrore, siç thotë edhe Ben Bernanke (2015): „...në krahasim me faktorët afatgjatë, efektet e politikës monetare mbi pabarazinë janë pothuajse me siguri më të vogla dhe me një efekt të përkohshëm“. Grupi i faktorëve afatgjatë përfshin faktorë të tillë si globalizimi, zhvillimi teknologjik, tendencat demografike dhe ndryshimet institucionale në tregun e punës.
Natyrshëm shtrohet pyetja - si ta zgjidhim këtë problem kronik të pabarazisë së të ardhurave, që duket se është simptomë e një numri të konsiderueshëm të dobësive në funksionimin e sistemit aktual? Si të kthehen dhe theksohen përfitimet e përparimit të shoqërisë moderne? A është e ardhmja në një rregullimin më të fortë të tregut, në rishpërndarjen më të madhe nga ana e shtetit apo, siç thotë prof. Zingales, në nxitjen e konkurrencës së tregut? Si ekonomistë, ne e dimë që ekonomia e tregut çon në mënyrë të pashmangshme në pabarazi, por kur pabarazia kapërcen kufijtë e pranueshëm, fuqia e saj subversive është shumë e fortë, veçanërisht për përparimin e një shoqërie. Aktualisht, në kushte të ngadalësimit të rritjes ekonomike globale, duket e pashmangshme të aplikohet politikë aktive për të inkurajuar dhe ulur pabarazinë.
Jam e sigurt se në prezantimet dhe diskutimet që pasojnë këtë takim do të shqyrtojmë politikat e mundshme që mund të përdoren për të trajtuar këtë sfidë në plan global. Politikat që do të nënkuptojnë rritjen e qasjes në tregje, rritjen e përfshirjes financiare, investim në kapitalin njerëzor, reforma financiare dhe rregulluese që do të forcojnë zbatimin e ligjeve dhe do të promovojnë një mjedis të drejtë dhe konkurrues të tregut.
Në këtë kontekst, është me rëndësi të veçantë që ne, si politikë-bërës, të përqendrojmë vëmendjen tonë në hartimin dhe zbatimin e reformave për një rritje më të fortë dhe më gjithëpërfshirëse ekonomike, e cila nga ana tjetër do të çojë në një shpërndarje më të drejtë të të ardhurave në të gjithë botën.
Sinqerisht shpresoj se në të ardhmen e afërt do të jemi dëshmitarë të një zvogëlimi të hendekut të të ardhurave dhe një zvogëlimi të pabarazisë në shoqëritë tona, gjë që do kontribuojë për t’i bërë ata më të begata dhe më të drejta. Që kjo të ndodhë, nevojitet vendosmëri, angazhim dhe vizion i politikëbërësve. Më duket se mënyra më e përshtatshme për të përfunduar është mënyra se si fillova - me një citim nga Toltoi: „Ka vetëm një kohë që ka rëndësi - e tashmja! Ajo është koha më e rëndësishme sepse është e vetmja kohë kur kemi ndonjë fuqi“. Dhe ne, si politikë-bërës, tani kemi jo vetëm fuqinë, por edhe detyrën për të punuar dhe kontribuar në mirëqenien më të madhe të shoqërive tona.
Ju faleminderit.