E nderuara ministre Angelovska, e nderuara z-nja Stevkova-Shterieva, i nderuari z. Haxhiev, të nderuar punonjës të bankave afariste, zonja dhe zotërinj,
Kënaqësia është e imja t'ju drejtohem në ngjarjen e sotme që shënon Ditën Botërore të Kursimit dhe në të njëjtën kohë është një mundësi e mirë për të kujtuar rëndësinë dhe përfitimet e shumta që sjell kursimi për çdo ekonomi.
Festimi i këtij viti vjen në një kohë kur ekonomia globale po përballet me sfidën e vazhdimit të mbajtjes së normave të ulëta të interesit dhe mes një valë të re të lehtësimit monetar nga FED-i dhe BQE-ja si banka qendrore me ndikim global. Kjo përsëri shkaktoi debate për efektet e mundshme negative të kamatave të ulëta dhe negative mbi bilancet e bankave evropiane, stabilitetin e fondeve të pensioneve dhe kompanitë e sigurimeve, dhe natyrisht, mbi kursimet e qytetarëve në banka. Debatet që në mënyrë të përsëritur janë mbështetur në shqetësimet se normat e ulëta ose madje edhe ato negative në disa vende të caktuara mund të zvogëlojnë prirjen e familjeve për të kursyer në formën e depozitave. Ose, shkaktojnë marrje të tepruar të rrezikut në kërkim të rendimenteve më të larta, të cilat mund të ndikojnë negativisht në stabilitetin financiar. Nga këtu rrjedh edhe pyetja se sa reale janë frika të tilla. Dhe nëse dhe deri në çfarë mase mund të priten zhvendosje më të mëdha në bazën e depozitave të bankave si rezultat i normave të ulëta të interesit?
Performanca e deritanishme në euro zonë tregojnë se depozitat e amvisërive janë vazhdimisht në rritje, pavarësisht normave të ulëta të interesit pas krizës globale ekonomike dhe financiare. Kjo rritje është përshpejtuar në tre deri në katër vitet e fundit dhe, sipas të dhënave më të fundit, ka arritur pothuajse 6% në vit. Brenda BE-së, depozitat bankare (së bashku me monedhën në qarkullim) përbëjnë rreth një të tretën e totalit të aktiveve financiare të amvisërive dhe kjo pjesë është relativisht e qëndrueshme në krahasim me periudhën para krizës. A është kjo një ndjeshmëri e ulët interesi ndaj kursimeve, apo ka edhe faktorë tjerë që kanë kontribuar për lëvizje të këtilla? Një analizë e banës qendrore Gjermane 1. nga viti 2015 tregon se normat e interesit ndikuan, por nuk ishin një faktor vendimtar, për vendimet e amvisërive për kursim në periudhën pas krizës globale ekonomike dhe financiare. Faktorë të tjerë, siç është niveli dhe dinamika e të ardhurave dhe pasurisë së disponueshme, struktura demografike dhe prirja e popullatës për të marrë rreziqe dhe disponimi i mjeteve likuide, kryesisht përcaktuan sjelljen e amvisërive se në çfarë mase dhe në çfarë forme të kursejnë. Kësaj mund t’ia shtojmë faktin që shumica e bankave evropiane, deri më tani, nuk kanë transferuar në thelb koston e normave negative të interesit tek depozituesit2.. Si pasojë, efektet e normave të ulëta të interesit mbi depozitat e bankave evropiane deri më tani janë vlerësuar si të moderuara, me më pak gjasa për zhvillime të rëndësishme edhe në periudhën e ardhshme.
Në ekonominë e vendit, normat e interesit kanë rënë për një periudhë më të gjatë, e cila është në përputhje me tendencat globale të normave të ulëta të interesit dhe relaksimin e kushteve monetare në vend. Rënia e çmimit të kredive kontribuon pozitivisht në rritjen ekonomike, duke lehtësuar mundësinë e qasjes në huadhënie për amvisëritë dhe sektorin e korporatave. Por, kjo gjithashtu sjell rendimente më të ulët të kursimeve pasi depozitat janë një burim kryesor i financimit për rritjen e kredisë dhe çmimi i tyre përfshihet në koston e kredive. Megjithatë, sipas dinamikës, ritmi i rregullimit është i ndryshëm, me ç ‘rast rënia e normave të interesit të depozitave është konsiderueshëm më e ngadalshme në periudhën e fundit. Për tre-katër vitet e fundit, ka pasur një rënie më të shpejtë të normave të interesit për kredi në krahasim me interesat e depozitave, gjë që kontribuon në ngushtimin e shtrirjes së normës së interesit.
Në krahasim me tregun evropian, rendimenti i kursimeve në sektorin e brendshëm bankar është ende kryesisht konkurrues, dhe në thelb janë relativisht më të larta në krahasim me normat e interesit të depozitave të kursimeve në vendet e tjera të rajonit. Banka Popullore ka ndërmarrë një sërë masash dhe aktivitetesh për të inkurajuar bankat që të ofrojnë rendimente më të larta për depozitat afatgjata, duke pasur parasysh rëndësinë e kursimeve afatgjata për stabilitetin e financimit të bankave, por edhe për ekonominë, si një burim i financimit të projekteve afatgjata të investimeve. Prirja tradicionale e popullatës sonë për të kursyer në depozitat bankare ka mbetur e njëjtë edhe në dekadën e fundit, gjë që dëshmohet nga rritja e vazhdueshme e depozitave të amvisërive, e cila në gusht arriti në 9% në nivel vjetor. Struktura e kursimeve është gjithashtu e favorshme. Trendi i denarizimit vazhdon, me rreth 60% të totalit të depozitave bankare tani të shprehura në monedhën vendase, që është një përmirësim i dukshëm gjatë periudhës së krizës globale kur Denari zinte rreth 40% të totalit të kursimeve.
Qytetarët tanë vazhdojnë të preferojnë të kursejnë depozitat në bankë, përpara instrumenteve të tjerë në dispozicion. Deri në fund të vitit të kaluar, depozitat bankare përbënin rreth dy të tretat e totalit të aktivit financiar të amvisërive dhe kjo pjesëmarrje është rritur krahasuar me periudhën pas krizës. Në vazhdim sipas vëllimit janë kursimet për pension, të cilat marrin pjesë me 17%, ndërsa pjesëmarrja e përbashkët në investimet në letra me vlerë dhe pjesë në fondet e investimit është 8%, ndërsa për polisat e sigurimit është diçka mbi 1%. Sipas Raportit të Nismës Vjeneze3. , arsyet e qëndrimit konservator të amvisërive ndaj alternativave tjera investuese, dhe në kushte të rënies së normave të interesit mund të lokalizohet në kulturën akoma të pa ndërtuar plotësisht të investimeve që çon në interes të dobët për investime në tregun e kapitalit. Ndikimet ka gjithashtu edhe cektësia në treg, përvojat e pakëndshme të rënies së çmimeve të aksioneve nga e kaluara jo aq e largët dhe furnizimi i kufizuar i instrumenteve të investimeve që nuk plotësojnë plotësisht nevojat e diversifikimit të investitorëve. Një faktor i rëndësishëm për zhvillimin e tregut të kapitalit, i cili gjithashtu theksohet në këtë Raport, është ngritja e nivelit të kulturës financiare të depozituesit mesatar, i cili përcakton prirjen ndaj rrezikut dhe aftësinë për të marrë vendime të informuara investuese. Duke njohur përfitimet e një shoqërie të arsimuar financiarisht, Banka Popullore mbetet e angazhuar për të punuar në edukimin financiar të popullatës, duke forcuar kështu kapacitetet e saj për investime të përgjegjshme dhe menaxhimin e rrezikut, me efekte pozitive mbi ruajtjen e stabilitetit financiar.
Si përmbledhje, mjedisi i normave të ulëta të interesit që ka qenë realiteti ynë për një kohë të gjatë, duket se ka gjasë të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme. Rënia e normave të interesit deri më tani nuk ka ndikuar ndjeshëm në prirjen e qytetarëve tanë për të kursyer në banka, gjë që është e rëndësishme për mirëmbajtjen e sektorit të përgjithshëm financiar.
Duke pasur parasysh që depozitat janë burimi kryesor i financimit për aktivitetet tona bankare në ekonominë tonë, është e rëndësishme që bankat vendase të ruajnë kushtet e kursimit konkurrues në periudhën e ardhshme. Nëse merret parasysh stabiliteti i bilancave të sektorit të brendshëm bankar, unë mendoj se kjo edhe realisht mund të pritet. Ruajtja e performancës së qëndrueshme për një kohë të gjatë, pa efektet de-stimuluese mbi kursimin, mund të arrihet duke rritur vëllimin e kreditimit të sektorit privat, duke përmirësuar produktivitetin dhe efikasitetin operacional, si dhe avancimin teknologjik dhe diversifikimin e të ardhurave.
Në nivelin e të gjithë sistemit, produktiviteti i sektorit 4. të brendshëm bankar është përmirësuar në periudhën e fundit dhe është e rëndësishme që kjo prirje të vazhdojë. Konsolidimi i mëtutjeshëm i sektorit të brendshëm bankar gjithashtu mund të japë një kontribut pozitiv në këtë drejtim, duke marrë parasysh efektet pozitive që lidhen me procese të tilla në drejtim të përmirësimit të efikasitetit dhe rritjes së konkurrencës në sektor.
Të nderuar,
Kursimi nuk është vetëm një fenomen ekonomik dhe një parakusht për rritjen dhe prosperitetin ekonomik, por është gjithashtu një faktor për zhvillimin personal të individit. Shpresoj që në kohën tonë, të gjithë së bashku, duke ngritur nivelin e arsimimit financiar dhe duke inkurajuar përfshirjen financiare, do të kontribuojmë në rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e kursimit për secilin individ. Siç ka thënë studiuesi i famshëm Torton T. Munger, krijimi i shprehive për kursim në vetvete është një proces arsimor - forcon virtytin, zhvillon ndjenjën e përgjegjësisë dhe respektit për ligjin dhe disiplinën, promovon kujdes dhe largpamësi në sjellje dhe në këtë mënyrë zgjeron njohuritë intelektuale.
Së fundmi, më lejoni t’ju përgëzoj juve dhe të gjithë punonjësit në sektorin bankar për Ditën Botërore të Kursimit, dhe t’ju uroj punë të suksesshme të mëtutjeshme, nga e cila varet mirëmbajtja e një të mire sociale kryesore - stabiliteti financiar.
Ju faleminderit për vëmendjen tuaj.
1. German households’ saving and investment behavior in light of the low-interest rate environment, Deutsche Bundesbank Monthly Report, October 2015.
[2] Përjashtim janë banka të caktuara të cilat imponuan norma negative për klientët me pasuri më të mëdha dhe provizione më të larta për avancimin e llogarive të depozitave të korporatave.
[3] Vienna Initiative, Report by the Working Group on Capital Markets Union, 2018.
[4] Matur sipas aktivit për punonjës.