I nderuari Kryeministër i Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev
E nderuara Drejtoreshë e Përgjithshme e Eurostat, Mariana Koceva
I nderuari Ambasador i Bashkimi Evropian, Samuel Zhbogar,
I nderuari Ministër i Financave, Dragan Tevdovski
I nderuari Kryetar i AMSHA, Taki Fiti
I nderuari Rektor, Nikolla Jankullovski
I nderuari Dekan i Fakultetit Ekonomik në Shkup, Ljubomir Drakullevski
I nderuari Drejtor i ESHS, Apostol Simovski
Të nderuar të pranishëm,
Ditën Evropiane të Statistikës këtë vit e shënojmë pikërisht dhjetë vite pas fillimit të krizës globale. Fuqia dhe kohëgjatësia e saj ishin aq të theksuara, sa që në dhjetë vitet e fundit u bë e zakonshme që të gjithë analizat të bëhen përmes prizmit “para dhe pas krizës”, dhe kjo ndoshta nuk është e habitshme, duke pasur parasysh se goditjet e mëdha në mënyrë të pashmangshme çojnë në rishqyrtimin e paradigmave konvencionale. Dhe, në këtë pikëpamje, statistika nuk është një përjashtim. Ashtu siç depresioni i madh e nxori në pah nevojën për zhvillim të statistikës së llogarive nacionale, dhe kriza aziatike nevojën për analizë më të mirë të lidhjeve ndërmjet sistemeve financiare vendore dhe flukseve kapitale duke çuar në zhvillim të më shumë standardeve të reja statistikore, kriza globale e vitit 2008 përsëri e vendosi fokusin në sistemin financiar.
Kriza qartë tregoi se si rregullimi joadekuat dhe ndërmarrja e tepërt e rreziqeve në sektorin financiar në ekonomitë e zhvilluara mund të çojë në pasoja të paparashikueshme në sektorin real, nacional, por edhe në korniza globale, duke theksuar nevojën për njohje më të mirë të lidhjes ndërmjet sektorit financiar dhe real, si dhe lidhjeve ndërkufitare në kontekst të globalizimit në rritje. Fakti që rrënjët e krizës globale ishin pikërisht në sektorin financiar sugjeron se shumica e nevojave pas krizës për ndryshime në statistikë prekin pikërisht bankat qendrore.
Edhe pse shpërthimi i krizës globale nuk mund t’i atribuohet mungesës së të dhënave statistikore, megjithatë, u paraqiten qartë zbrazëtira të konsiderueshme të të dhënave të rëndësishme statistikore të cilat më së miri pasqyrohen përmes Iniciativës së vendeve të G-20 nga viti 2009 (G-20 Data Gaps inititative) për identifikimin e rekomandimeve për plotësimin e këtyre zbrazëtira statistikore. Rekomandimet janë kryesisht të vendosura në katër segmentet kyçe në vijim:
- Segmenti i parë është njohja më e mirë e rritjes së rreziqeve në sektorin financiar. U zbulua se identifikimi në kohë është shumë i rëndësishme për mbrojtje nga krizat. Në këtë fushë, theksi vihet në zhvillimin e një baze më të gjerë të treguesve për stabilitet financiar, të cilët ne i përgatisim në bazë të rregullt. Në fakt, në periudhën pas krizës, përmes këtij rekomandimi, në mënyrë dramatike u rrit numri i bankave qendrore të cilat i përgatisin këto tregues. Gjithashtu, në kontekst të sistemeve dhe tregjeve financiare, theks i madh u vendos në të dhënat e detajuara për letra me vlerë, në mënyrë që të sigurohet një infrastrukturë më e mirë analitike për zbulimin e rreziqeve e ekspozimeve individuale dhe grafullimit ndërsektorial. Banka Popullore filloi me aktivitetet e këtilla që në vitin 2014 kur krijoi statistikë për investime në letra të huaja me vlerë, të cilën më pas e plotësoi me të dhëna për letrat vendore me vlerë. Gjithashtu, kriza tregoi se rritje e madhe e rreziqeve mund të paraqitet jo vetëm në sistemin bankar, por edhe në segmentet e sistemit financiar të cilët nuk janë mjaftueshëm të rregulluar ose nuk janë aspak të rregulluar (ang. shadow banking). Prandaj nevojitet përmirësim i statistikave me të dhëna jo vetëm për institucionet depozituese por edhe për të gjithë institucione tjera financiare. Duke përcjellë këto trende nga viti 2012, edhe ne filluam të përgatisim statistika për institucionet më të rëndësishme jo-bankë duke mundësuar monitorim të vazhdueshëm të aktiviteteve të tyre dhe të rreziqeve të mundshme. Kohëve të fundit kemi bërë edhe harmonizimin e kësaj statistike me Udhëzuesin më të ri të FMN-së për statistikë monetare dhe financiare.
- Segmenti i dytë është avancimi i bazave të të dhënave për lidhje ndërkufitare të sistemeve financiare. Pasojat nga kriza globale e shprehën qartë rrezikun nga integrimi financiar ndërkombëtar, dhe në veçanti lidhshmërinë globale të institucioneve të rëndësishme sistemike. Konteksti i këtillë kishte pasoja të mëdha mbi kërkesat për rritjen e volumit dhe strukturës së të dhënave statistikore të cilat do të japin pasqyrë më të mirë për këto lidhje globale me theks të veçantë në statistikën mbi pozicionin ndërkombëtar të investimeve, si dhe statistika më të detajuara për portfolio investimet dhe investimet direkte. Banka Popullore në bazë të rregullt i përgatit të gjithë këto hulumtime, edhe pse në pjesën e pozicionit ndërkombëtar ka hapësirë për përmirësim të mëtejshëm.
- Segmenti i tretë është përcaktimi më i mirë i ndjeshmërisë së ekonomisë ndaj goditjeve, që arrihet me krijimin e llogarive sektoriale dhe në kornizat e tyre llogari financiare, përmes së cilave do të shihen lidhjet ndërmjet të gjithë sektorëve në ekonomi, dhe përmes kësaj edhe mundësitë për grafullim të goditjeve nga njëri në një sektor tjetër. Në vitin 2017, Banka Popullore për herë të parë përgatiti llogari financiare për të gjithë sektorët e ekonomisë të cilët në format eksperimental u parashtruan deri te Eurostat.
- Segmenti i katërt është përmirësimi i procesit të komunikimit në lidhje me statistikat. Në këtë kontekst, ne në bazë të rregullt përpiqemi për përmirësimin e komunikimit me publikun, përfshi këtu edhe realizimin e sondazheve për kënaqësinë e raportuesve dhe përdoruesve, duke krijuar mundësi për komunikim elektronik direkt për të gjithë çështjet lidhur me statistikën dhe ndërmarrjen e aktiviteteve për edukim financiar. Në vitin 2016, filluam me publikim të rregullt të njoftimeve statistikore për shtyp për publikun, si dhe projekt, i cili është në fazën përfundimtare, për ndërtimin e internet-portalit statistikor për përdorues të jashtëm të të dhënave.
Megjithatë, në bazën e të gjithë këtyre kërkesave statistikore gjendet nevoja për sigurim të të dhënave granulare në vend të atyre agregate. Kriza nuk i vuri në dyshim statistikat ekonomike agregate tradicionale, por tregoi se nuk janë të mjaftueshme. Për shembull, që të kuptohet pse likuiditeti i lartë të cilin BQE-ja e futi në sistemin bankar nuk rezultoi në rritje më të fortë kreditore, nevojiteshin të dhëna granulare përmes të cilave më mirë kuptohet çka është ajo që i lëviz agregatet, duke mundësuar përmirësim të efektivitetit të politikës monetare.
Të gjithë pikat statistikore të përmendura deri tani në një ose mënyrë tjetër janë lidhje në kuadër të Iniciativës Statistikore të G-20, të cilat, edhe pse janë një kornizë formale për ne, janë një drejtues në të cilin po lëvizim. Përveç kësaj, kjo iniciativë është në sinergji me standarde tjera statistikore të rëndësishme, si dhe kriteret statistikore evropiane, të cilët ne si bankë qendrore përpiqemi t’i përcjellim. Një iniciativë e atillë është SDDS plus, si shtyllë e tretë më e lartë e standardeve statistikore të FMN-së. Me krenari mund të them se ne si shtet treguam gatishmëri të kyçemi në këtë iniciativë, në të cilën aktualisht janë të kyçura 14 vende, duke punuar në mënyrë aktive me ESHS dhe FM në përgatitjen e të gjithë të dhënave të kërkuara, me çka përgatitjet për hyrje në këtë standard më të lartë janë në fazën përfundimtare.
Një aspekt shtesë që sjellë sfida të reja për statisticientët është procesi i digjitalizimit, i cili merr vrull më të madh edhe në industrinë financiare. Digjitalizimi dhe risia e shërbimeve financiare imponojnë sfida të reja për përcjelljen dhe matjen e tyre statistikore. Në të njëjtën kohë, në botën statistikore vazhdon të rritet numri i iniciativave për përdorim aktiv të të ashtuquajturave “të dhëna të mëdha” (ang. big data), një paradigmë e re e cila i ndryshon profilet e bartësve të statistikave, proceseve statistikore, por edhe analizës së përgjithshme ekonomike dhe financiare.
Të nderuar,
Në fund, ne, si dhe bartësit tjerë të statistikës në RM, në vitet e kaluara ndërmorëm një hap të madh në avancimin e hulumtimeve ekzistuese statistikore dhe prezantimit të të rejave me qëllim të plotësimit të boshllëqeve statistikore në korniza globale. Megjithatë, statistika nuk është një qëllim në vetvete. Duke siguruar një set të pasur, kualitativ, në kohë dhe të harmonizuar ndërkombëtarisht, kontribuojmë për qëllime më të larta shoqërore, dhe ajo është miratimi i vendimeve bazuar mbi fakte me qëllim të rritjes së mirëqenies shoqërore. Duke pasur parasysh botën dinamike në të cilën jetojmë dhe ndryshimet që i sjell, sfida kryesore për statisticientët vazhdon të jetë mbajtja e ritmit me këto ndryshime dhe përgatitja e statistikave kredibël, si një e mirë publike me të cilën mundësohet njohje më e mirë e realitetit dhe ndërmarrja e politikave adekuate nga të gjithë faktorët e jetës shoqërore.
Ju faleminderit.