Në emër të bankës qendrore, më lejoni t'ju falënderoj për ftesën dhe mundësinë për të qenë pjesë e kësaj ngjarjeje! Si institucion, ne i çmojmë, vlerësojmë dhe mbështesim shumë iniciativat që mbështesin përfshirjen më të fortë të të rinjve në shoqërinë e përgjithshme.
Rreth çështjes së të rinjve dhe sipërmarrjes, ajo që mendoj se është roli ynë si shoqëri, është të lidhim hapësirën midis preferencave dhe mundësive. Të dhënat statistikore tregojnë se papunësia e të rinjve pësoi ndryshime pozitive të konsiderueshme në dekadën e fundit. Në BE, ajo ra nga rreth 20% në vitin 2013, në rreth 11% vitin e kaluar. I ngjashëm është trendi edhe në ekonominë maqedonase, ndonëse norma është akoma dukshëm mbi normën e BE-së, duke qëndruar në rreth 25%. Ajo çfarë u zbulua nga të dhënat e anketave (EC/OECD Survey 2021) është se 45% nga të rinjtë planifikojnë të bëhen sipërmarrës pas diplomimit, duke preferuar të jenë të vetëpunësuar, sesa të jenë të punësuar. Megjithatë, vetëm 5% e të rinjve aktivisht fillojnë me hapjen e bizneseve fillestare (start-up). Statistikat tregojnë se përqindja e të rinjve që janë të vetëpunësuar në BE, është në nivel të ulët dhe rrotullohet rreth 6%. Përqindje të ngjashme ka edhe në vendin tonë, ku pjesëmarrja e të rinjve të vetëpunësuar ka rënë me kalimin e viteve.
Hendeku midis preferencave të të rinjve dhe gjendjes aktuale të tregut të punës është tregues i ekzistencës së problemeve thelbësore. Disa nga hulumtimet e fundit tregojnë se të rinjtë përballen me sfida të veçanta gjatë qasjes në financa, mbështetjen e zhvillimit të biznesit dhe njohuritë dhe aftësitë. Qasja në tregjet, strukturat mbështetëse institucionale dhe aspektet ligjore janë gjithashtu me rëndësi të madhe për autonominë e biznesit të të rinjve. Nga humultimet e OECD-së[1] më shumë se tre të katërtit e të anketuarve pajtohen se të rinjtë janë veçanërisht të prekur nga të paktën një nga këto sfida. Sfidat më të shpeshta të lartpërmendura janë qasja në financa (76%), qasja në tregje (67%) dhe strukturat mbështetëse institucionale (65%).
Nëse i krahasojmë këto përgjigje me ato të politikëbërësve, zona që ka mbivendosje pothuajse perfekte të perceptimeve është pikërisht qasja e kufizuar në financa. Ndodh shpesh që bizneset e reja, përfshirë ato të të rinjve, të ngelen jashtë perimetrit të financimit tradicional bankar, për shkak të mungesës së historikut të kredisë, mungesës së kolateralit, kostove të larta të transaksionit dhe mungesës së instrumentit financiar të zgjedhur prej tyre.
Në këtë drejtim, aspekti që meriton vëmendje të veçantë është edukimi financiar. Qasja në financa për të rinjtë kërkon gjithashtu nivel më të lartë të edukimit financiar, si bazë për përfshirje më të madhe financiare. Hartimi i këtij ekosistemi nxjerr në pah se të rinjtë në rajon, përfshirë edhe vendin tonë, kanë nevojë për mbështetje shtesë në këtë drejtim. Studimi i OECD-së mbi Edukimin Financiar të të Rinjve në Europën Juglindore tregon se vetëm 40% e të rinjve kanë marrë rezultat të lartë për njohuritë në fushën e financave. Me depërtimin e fuqishëm të teknologjisë digjitale në botën e financave, jo vetëm edukimi financiar konvencional është i rëndësishëm, por edhe digjital. Promovimi i përfshirjes financiare digjitale po bëhet një nga prioritetet kryesore globalisht. Për shembull, Partneriteti Global i G20-tës për Përfshirjen Financiare, në fundin e vitit 2020, vendosi përfshirjen financiare digjitale si një nga prioritetet kryesore në planin e saj të veprimit për përfshirjen financiare. Shërbimet financiare digjitale njihen si mundësi për të thelluar përfshirjen financiare dhe për të zgjeruar qasjen në sistemin financiar për grupet që më parë nuk kanë qenë të shërbyera, përfshirë të rinjtë. Të dhënat tregojnë se hapësira për përmirësim në rajon, përfshirë edhe në ekonominë maqedonase, është mjaft e madhe. Për shembull, përqindja e të rinjve që realizojnë ose pranojnë pagesa digjitale (si tregues bazë i edukimit digjital), sipas të dhënave nga Baza e indeksit të Bankës Botërore, 64% është në Maqedoninë e Veriut, e cila është më e ulët se pjesa tjetër e mostrës (76%), dhe shumë më e ulët në krahasim me eurozonën, ku kjo përqindje është 93% dhe ku hendeku në moshë pothuajse nuk egziston.
U fokusova vetëm në një, por vlerësoj aspekt shumë të rëndësishëm, i cili është kryesor për përfshirje më të fortë të të rinjve në fillimin e një biznesi. Si bankë qendrore, ne identifikuam nevojën për të siguruar arsimim dhe përfshirje më të madhe financiare, veçanërisht për kategoritë më të cenueshme. Për këto qëllime, në mesin e vitit 2020, rregullatorët financiarë përgatitën Strategjinë Kombëtare për Edukimin Financiar dhe Përfshirjen Financiare, si qasje gjithëpërfshirëse, e koordinuar dhe e synuar për të adresuar çështjet e edukimit financiar dhe përfshirjes. Të rinjtë janë target grup i veçantë dhe në bankën qendrore investohen burime të konsiderueshme për të mbështetur dhe promovuar njohuritë e tyre financiare.
Për t’a përmbyllur, të gjithë janë dakord se duhet të sigurohet përfshirje më e madhe e të rinjve në biznes. Duke ditur se qasja në financa, aftësitë dhe njohuritë janë barrierat më të mëdha për përfshirjen, nevojiten përpjekje të përbashkëta nga palët e interesuara. Në këtë kuptim, programet gjithëpërfshirëse, si ajo e BERZH-it, që i bashkojnë financat dhe ekspertizën janë të rëndësishme për inkurajimin e të rinjve në biznes, zhbllokimin e potencialit të tyre dhe potencialit të ekonomisë në tërësi.
Ju faleminderit!
[1] Unlocking the potential of youth-led social enterprises, OECD 2022.