Fjala e guvernatores së Bankës Popullore me rastin e 29-të vjetorit të pavarësisë monetare
Shkup, 26 prill 2021
Të nderuar,
Sovraniteti monetar është një nga përbërësit themelorë të sovranitetit të çdo shteti. Sot, kanë kaluar saktësisht 29 vite nga hedhja e themeleve të pavarësisë sonë monetare - dita kur denari e zëvendësojë dinarin jugoslloven, dhe Banka Popullore filloi të funksionojë si bankë e pavarur qendrore, duke u përballur me sfidat e shumta në ato kohë të trazuara të ndarjes nga ish-shteti jugosllav.
Duke u kthyer në të kaluarën, lirisht mund të themi se pavarësia monetare ndodhi në një periudhë jashtëzakonisht të vështirë, tipari kryesor i së cilës ishte paqëndrueshmëria e lartë makroekonomike. Zhvlerësimet e shpeshta të kursit të këmbimit, kur pothuajse nuk kishte rezerva valutore, bashkë me problemet strukturore, ndezën inflacionin i cili arriti nivele katërshifrorë, dhe e gjithë kjo pati efekte të forta mbi ekonominë dhe standardin e jetesës së qytetarëve. Ekonomia shënonte rënie deri në vitin 1996, kur për herë të parë pas pavarësisë u shënua një rritje prej 1,2%.
Prandaj, padyshim, vendosja e një ambienti të qëndrueshëm makroekonomik kërkonte guxim, përkushtim dhe profesionalizëm të ekipit të atëhershëm të Bankës Popullore. Përpjekjet e Bankës Popullore, bashkë me bartësit tjerë të politikave dhe komunitetit akademik, luajtën një rol kyç në ndërprerjen e spirales së inflacionit dhe stabilizimin e kursit të këmbimit të monedhës së brendshme. Në vitin 1995, u zyrtarizua strategjia monetare e kursit stabil të këmbimit të denarit - një strategji për të cilën atëherë dhe tani ekziston një konsensus i gjerë se është një nga shtyllat kryesore të stabilitetit të ekonomisë maqedonase.
Tashmë 24 vjet, po gëzohen përfitimet e stabilitetit makroekonomik. Ekonomia e jonë është e vogël, tregtare dhe e hapur financiarisht dhe si pasojë i nënshtrohet goditjeve të jashtme. Pavarësisht goditjeve të shumta të jashtme dhe të brendshme, Banka Popullore vazhdimisht ka arritur të mbajë inflacionin në nivel të moderuar, të ngjashëm me nivelin evropian. Inflacioni i ulët është jashtëzakonisht i rëndësishëm për mbrojtjen e fuqisë reale blerëse të qytetarëve, por edhe për ruajtjen e konkurrencës së eksportit tonë pa të cilin ekonomitë e vogla siç është e jona nuk mund të arrijnë në rritje më të larta dhe të qëndrueshme. Një kontribut të rëndësishëm për ruajtjen e inflacionit të ulët dhe stabil, si qëllim kryesor i bankës qendrore, jepet nga kursi i qëndrueshëm i këmbimit të monedhës vendase në raport me euron. Politika e kujdesshme monetare, si dhe koordinimi i mirë me politikat tjera makroekonomike, çuan në një rritje pothuajse të vazhdueshme të rezervave valutore, të cilat sot janë në nivel më të lartë historik dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë e forcojnë stabilitetin e kursit të këmbimit. Konfirmim i qëndrueshmërisë së politikave që i zbaton Banka Popullore është hapi historik me sigurimin e qasjes në likuiditet në valutë të huaj nga Banka Qendrore Evropiane.
Çelësi i arritjes së suksesshme të qëllimeve të Bankës Popullore deri më tani është kapaciteti i saj i fortë institucional i cili është ndërtuar me vite. Vetëm një institucion shumë profesional dhe i pavarur mund të merret me sukses me „kohët e vështira“, të cilat shpesh i kemi. Shembulli i fundit i kësaj është pandemia Kovid-19, e cila edhe pse është një betejë për shëndetin dhe jetën e njeriut, është gjithashtu një betejë për politikëbërësit për të ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe për të zvogëluar ndikimin në ekonomi.
Prandaj, dua të shpreh mirënjohjen time për të gjithë kolegët dhe bashkëpunëtorët aktualë dhe të mëparshëm, të cilët me mundin e tyre kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë në atë që jemi sot - një bankë moderne qendrore që operon në përputhje me standardet më të fundit dhe më të larta ndërkombëtare dhe praktikat më të mira ndërkombëtare dhe veçohet si një shembull pozitiv në komunitetin e bankave qendrore.
Urime 29-të Vjetorin e Pavarësisë Monetare!