Shkup, 28 shtator 2020
Për këtë dhe vitin e ardhshëm, madje edhe në plan afatmesëm nuk priten presione të konsiderueshme inflacioniste, theksoi guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska në një intervistë për Televizionin Maqedonas.
„Në kushte të rënies së parashikuar të aktivitetit ekonomik këtë vit, nuk priten presione infalcioniste të shkaktuara nga kërkesa. Prandaj, banka qendrore, me parashikimet e saj të muajit prill parashikoi inflacion prej rreth 0%, pasuar nga një rritje graduale e çmimeve që do të arrinte rreth 2% në afat të mesëm. Pra, ne flasim për një inflacion të moderuar, të ulët dhe të qëndrueshëm. Nëse i shikojmë arritjet për tetë muaj e parë të këtij viti, inflacioni është mesatarisht 0,8%, me një kontribut pozitiv në çmimet e ushqimit, dhe një kontribut negativ në çmimet e energjentëve, me një rënie të mprehtë në çmimet e energjentëve në bursat botërore, posaçërisht në çmimet e naftës. Prandaj, për këtë, por edhe për vitin e ardhshëm dhe në plan afatmesëm nuk duhet të ketë presione të konsiderueshme inflacioniste.“ - theksoi Angelovska-Bezhoska.
Sa i përket aktivitetit ekonomik, guvernatorja theksoi se arritjet në ekonominë maqedonase në tremujorin e dytë të këtij viti janë në pajtim me pritjet e Bankës Popullore.
„Është shumë e rëndësishme se çfarë ndodh më pas. Jo vetëm nga pikëpamja shëndetësore, por edhe zhvillimet në ekonomitë që janë partnerë tregtarë të ekonomisë tonë, si dhe efikasiteti i politikave makroekonomike në zbutjen e efekteve negative nga kriza e Koronës janë të rëndësishme.“ - porositi Angelovska-Bezhoska.
Ndryshe, siç tha ajo, cikli i tetorit i parashikimeve makroekonomike sapo ka filluar dhe pasi të ketë përfunduar, Banka Popullore do të shpallë pikëpamjet dhe pritjet specifike për periudhën e ardhshme.

Gjatë intervistës, guvernatorja foli edhe për qasjen në likuiditet në valutë të huaj në euro, e cila i është mundësuar Bankës Popullore përmes një instrumenti të veçantë të Bankës Qendrore Evropiane dhe është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse nënkupton qasje të shpejtë në likuiditet në euro nëse është e nevojshme. Aktualisht, norma e interesit për përdorimin e fondeve të mundësuara nga BQE-ja është 0%.
„Kjo lë hapësirë për një politikë më të relaksuar monetare, e cila natyrisht jep kontribut në ruajtjen e kushteve më të favorshme financiare - një politikë monetare që ndihmon për një mbështetje kreditore si për amvisëritë ashtu edhe për kompanitë, dhe lejon që huadhënia të realizohet në kushte të favorshme financiare.“ - tha Angelovska-Bezhoska.
Në kushte të rritjes së qëndrueshme të depozitave të cilat janë burimi kryesor për financimin e kredive, siç theksoi guvernatorja, vazhdon tendenca e rritjes solide të kredisë me një përqendrim më të madh të bankave në sektorin e korporatave.
„Kështu, nuk ka shtrëngim të kushteve të interesit, përkundër shtrëngimeve në tregjet e huaja financiare - norma mesatare e interesit këtë vit vazhdon të ndjekë një trajektore të moderuar në rënie.“ - theksoi Angelovska-Bezhoska.
Videon incizimin e intervistës mund ta gjeni këtu.