Shkup, 1 tetor 2020
Është shumë e rëndësishme që përmes masave të deritanishme të Bankës Popullore gjatë Kovid krizës u parandalua ulja e mbështetjes së kredisë për të ndihmuar ekonominë reale, theksoi guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska në intervistën për emisionin „Aktuelno“ të Radios Maqedonase.
„Në kushte krize, një nga efektet e pritura është ulja e mbështetjes së kredisë - për shkak të rënies së kërkesës ose përmbajtjes së bankave. Mirëpo, këtë herë, masat monetare ndihmuan të mos ketë një ulje të mbështetjes së kredisë, gjegjësish ajo të mbahet në një nivel shumë të qëndrueshëm. Në fund të vitit të kaluar, rritja e kredisë ishte 6%, ndërsa tani, sipas të dhëanve të fundit deri në muajin gusht, ajo është 8.8%, me tendenca pozitive edhe në kreditimin e sektorit të korporatave.“ - theksoi guvernatorja.
Përkundër faktit që në tregjet financiare globale, çmimi i financimit u rrit, siç theksoi Angelovska-Bezhoska, në vendin tonë ka një tendencë të butë në rënie të nivelit të normave të interesit të mbështetjes së kredisë. Duke pasur parasysh kushtet aktuale, në periudhën e ardhshme pritet rritje e kostos së kredive.
„Është e njohur që faktori më i rëndësishëm për rritjen e ekonomisë janë faktorët strukturorë, megjithatë, kostoja e financimit dhe sigurimi i mbështetjes financiare për projektet të ndryshme që mund të jenë nxitës të rritjes mund të japin një kontribut shumë të rëndësishëm. Prandaj, fokusi ynë edhe gjatë kësaj krize është që të mos shtrëngohen kushtet financiare dhe t’i mbajmë ato të favorshme.“ - theksoi guvernatorja.
Në intervistë, duke iu referuar efekteve nga Kovid kriza mbi ekonominë maqedonase, ajo foli edhe për pritjet për pjesën e mbetur të këtij viti.
„Për tremujorin e tretë akoma nuk ka të dhëna, mirëpo treguesit afatshkurtër ekonomikë që i monitorojmë tregojnë për një rënie më të favorshme të ekonomisë në krahasim me tremujorin e dytë. Sidoqoftë, pasiguria është e pranishme, pasi ajo që do të ndodhë në ekonomi varet nga gjendja me pandeminë dhe efektiviteti i politikave makroekonomike - dhe politika monetare dhe fiskale janë relaksuese në këtë periudhë, në mënyrë që të kompensojnë efektin negativ të goditjes me të cilën ballafaqohemi nga Kovid kriza.“ - theksoi Angelovska-Bezhoska.
Për norma të qëndrueshme më të larta të rritjes ekonomike në vazhdim, siç theksoi guvernatorja, është shumë e rëndësishme të vazhdohet me zbatimin e reformave strukturore, sepse vetëm atëherë rritet potenciali afatgjatë i ekonomisë.
„Nevojitet vazhdimi i reformave strukturore që ndikojnë mbi tre faktorët kryesorë të rritjes ekonomike - fuqinë punëtore, vëllimin fizik të kapitalit dhe produktivitetin. Është veçanërisht e rëndësishme të punohet në rritjen e produktivitetit. Nëse produktiviteti rritet, natyrshëm krijon hapësirë për rritje të pagave dhe standardit më të lartë të jetesës së qytetarëve. Në mënyrë që të rritet produktiviteti, nevojitet investim i mëtejshëm në cilësinë e institucioneve, në teknologji të reja dhe inovacione.“ - porositi Angelovska-Bezhoska.
Në përfundim të intervistës, guvernatorja foli edhe për çështjen e sigurisë kibernetike të sektorit financiar.
Videon incizimin e intervistës mund ta gjeni këtu.