Jetëshkrim i shkurtër
Gadaf Rexhepi
Gadaf Rexhepi është profesor i çrregullt në Universitetin e Evropës Juglindore i cili ligjëron në studimet deridiplomike dhe postdiplomike. Lëndët të cilat ka ligjëruar/ligjëron janë: Bazat e kontabilitetit, Standardet ndërkombëtare të kontabilitetit, Menaxhmenti strategjik, Tregjet dhe institucionet financiare, Marketingu në sektorin bankar dhe Teori e lojës. Rexhepi ka diplomuar në Fakultetin Ekonomik në Shkup të Universitetit „Shën Kirili dhe Metodi“ ku edhe kreu magjistraturën në vitin 2007 dhe doktoraturën në shkurt të vitit 2011. Gjatë studimeve të doktoraturës, ai ka kryer një vizitë studimore një semestrale në Universitetin Vulverhamton, në Britaninë e Madhe si dhe një vizitë njëmujore në Universitetin Vrije, Bruksel, Belgjikë. Pas përfundimit të studimeve punësohet në ProCredit Bank në Shkup dhe ndjek një trajnim gjashtëmujor në Kosovë. Pas një leksioni dyjavor mbi sektorin bankar nga ekspertë nga Gjermania, ai pajiset me certifikatë për analist kredie. Pas një viti ai punësohet në Universitetin e Evropës Juglindore, ku ende është aktiv.
Gadaf Rexhepi është shumë aktiv në fushën e kërkimit duke botuar në mbi 60 revista të njohura të shkencës së ekonomisë, përfshirë Sustainable Development journal me FN prej 4.1, Industrial Marketing Management me FN prej 4.7, Corporate Social Responsibility and Environmental Management me FN prej 4.5 që janë revista të renditura lart në fushën e shkencës së ekonomisë. Në vitin 2016 ai fiton çmimin „Award for Excellence – Outstanding Paper by Emerald Group Publishing“ për punimin më të mirë shkencor nga revista e njohur „Journal of Enterprising Communities: People and Places in the Global Economy. Ai gjithashtu ka botuar dhjetë libra, përfshirë Rolin e institucioneve në rritjen ekonomike të vendeve me theks të veçantë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Sistemi financiar dhe bankar në Islam, si dhe Teoria e Lojës me botues Springer, Emerald, Tejlor dhe Francis etj. Ai gjithashtu ka qenë bashkautor i tetë kapitujve me emra shumë të njohur dhe është autor i librit „Rutledge Handbook of Social Finance“, ku si bashkautorë paraqiten profesorë nga Kembrixhi dhe Oksfordi. Ai ka marrë pjesë në shumë konferenca shkencore, përfshirë këtu edhe në Universitetet në Kembrixh dhe Oksford.
Gadaf Rexhepi është shpesh i ftuar si folës kryesor në konferenca të ndryshme shkencore dhe profesionale, përfshirë edhe në Universitetin Lampung në Indonezi. Nga viti 2012 deri në vitin 2015 ka qenë prodekan për mësimdhënie në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të UEJL-së, si dhe ushtrues detyre dekan në vitin 2018. Ai ka qenë anëtar i Komisionit për Kontroll Financiar dhe Auditim të Universitetit. Aktualisht është këshilltar i rektorit për zhvillim të universitetit. Ai gjithashtu ka qenë kryetar i Komisionit për Administratorë Falimentimi si dhe është një nga themeluesit dhe autor i Metodologjisë për vlerësim të ndërmarrjeve, institucioneve shtetërore, pasurive të patundshme, makinerive dhe pajisjeve. Ai gjithashtu ka qenë anëtar i Bordit të parë të Odës së Vlerësuesve të Maqedonisë së Veriut për një mandat.