Duke u nisur nga objektivat dhe parimet themelore të ndërhyrjes mbi banka, Ligji i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme mbi Banka parashikon katër instrumente ndërhyrjeje:

1. Shitje të veprimtarisë

2. Institucion kalimtar

3. Ndarje të pasurisë dhe

4. Ndarje të brendshme të humbjeve 

Qëllimi i të gjitha këtyre instrumenteve është që të kryhet ndërhyrja mbi bankën në periudhën më të shkurtër të mundshme (më shpesh gjatë fundjavës), dhe në ditën e parë pasuese, banka, pra blerësi i ri (që do të thotë subjekti të cilit i janë transferuar aksionet, mjetet, detyrimet, të drejtat, që përfshinë edhe institucionin kalimtar dhe kompaninë e menaxhimit të aseteve) të jetë në gjendje të vazhdojë të kryejë funksionet kritike të bankës në të cilën ndërhyhet. Transferimi i aksioneve, mjeteve, të drejtave dhe detyrimeve kryhet pa kërkuar pëlqimin e aksionarëve dhe kreditorëve të bankës në të cilën ndërhyhet apo nga person tjetër.

Shitja e veprimtarisë është instrument me anë të të cilit Banka Popullore mund t’i transferojë blerësit që nuk është institucion kalimtar ,aksionet, instrumentet vetanake, të gjitha ose një pjesë të aseteve, të drejtat ose detyrimet e bankës mbi të cilën ndërhyhet. Nëse, gjatë transferimit, blerësi ka fituar mjete, të drejta dhe detyrime nga banka që ndërhyhet, ai duhet të ketë pëlqimin e autoritetit mbikëqyrës kompetent përkatës për të kryer aktivitete financiare që lidhen me mjetet, të drejtat ose detyrimet e transferuara. Nëse, gjatë transferimit, blerësi ka fituar aksione që përfaqësojnë pjesëmarrje kualifikuese në bankën mbi të cilën ndërhyhet, ai duhet të ketë pëlqimin paraprak nga Banka Popullore si autoriteti mbikëqyrës kompetent për dhënien e pëlqimit për fitimin e një pjesëmarrjeje kualifikuese në bankë.

Institucioni kalimtar është instrument i ri që futet me Ligjin e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme mbi Bankat. Bëhet fjalë për subjekt juridik që tërësisht apo pjesërisht është në pronësi të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, dhe që është themeluar me qëllim blerjen e përkohshme të të gjitha ose të një pjese të aksioneve, mjeteve, të drejtave dhe detyrimeve të bankës, me qëllim ruajtjen e qasjes së papenguar në funksionet kritike të bankës mbi të cilën po ndërhyhet. Banka Popullore kontrollon aktivitetin e institucionit kalimtar. Institucioni kalimtar mund të themelohet si shoqëri aksionare kalimtare ose si bankë kalimtare. Banka kalimtare duhet të përmbush kushtet që vlejnë për nxjerrjen e lejes për themelim dhe operim të bankës në pajtim me Ligjin e Bankave. Periudha për të cilën krijohet institucioni kalimtar, si rregull, nuk mund të kalojë dy vjet nga data në të cilën është bërë transferimi i fundit i aksioneve ose instrumenteve të tjera vetanake, si dhe i të gjitha ose një pjese të mjeteve, të drejtave dhe detyrimeve të bankës mbi të cilën ndërhyhet.

Ndarja e aseteve është instrument me anë të të cilit mjetet, të drejtat dhe detyrimet e bankës mbi të cilën ndërhyhet ose të institucionit kalimtar transferohen te një kompani menaxhimi asetesh që është tërësisht ose pjesërisht në pronësi të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe kontrollohet nga Banka Popullore. Kompania e menaxhimit të aseteve nuk mund të kryejë aktivitete bankare, por duhet të menaxhojë mjetet, të drejtat dhe detyrimet e transferuara në mënyrë që të rrisë vlerën e tyre për shitje ose arkëtim të mëtejshëm. Instrumenti i ndarjes së aseteve zbatohet gjithmonë së bashku me një nga mjetet e tjera për ndërhyrje. 

Shpërndarja e brendshme e humbjeve është instrument i ri që përcakton kryesisht thelbin e Ligjit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme mbi Bankat dhe qëllimi i të cilit është që humbjet të mbulohen kryesisht nga aksionarët dhe kreditorët e tjerë të bankës. Ky instrument zakonisht përdoret nëse Banka Popullore vlerëson se ekziston mundësi reale, me zbatimin e tij, së bashku me zbatimin e masave të tjera, duke përfshirë masat e parashikuara në planin e riorganizimit, për të siguruar funksionim të qëndrueshëm dhe afatgjatë të pandërprerë të bankës. Ky instrument përdoret për shkak të:

  • rritjes së fondeve vetanake të bankës në një nivel që do të mundësojnë funksionimin e pandërprerë të bankës dhe do të ruajnë besimin e tregut në bankë ose
  • konvertimit të aksione ose uljen e principalit të kërkesave ndaj bankës dhe instrumenteve të borxhit të bankës që transferohen: 1) te institucion kalimtar me qëllim sigurimin e kapitalit bazë, pra kapitalit fillestar të këtij institucioni, ose 2) nëpërmjet shitjes së biznesit ose nëpërmjet ndarjes së aseteve.

Instrumenti për ndarje të brendëshme të humbjeve mund të zbatohet për detyrimet që nuk përjashtohen nga shtrirja në këtë instrument, në pajtim me Ligjin e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme mbi Banka (p.sh.: depozitat e mbuluara përjashtohen). Përderisa në procesin e ndërhyrjes mbi banka zbatohet instrumenti për ndarje të brendëshme të humbjeve, Bordi Udhëheqës i bankës mbi të cilën ndërhyhet apo personat kompetent nga Banka Popullore, më së vonë në periudhë prej një muaji detyrohen të përgatisin plan për riorganizim të bankës mbi të cilën ndërhyhet dhe ta dorëzojnë te Banka Popullore.