Guvernatori i Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut përfaqëson Bankën Popullore, menaxhon dhe drejton operacionet e përditshme të Bankës Popullore, është përgjegjës për ekzekutimin e vendimeve të Këshillit të Bankës Popullore dhe kryen punë të tjera që nuk janë në kompetencë të Këshillit të Bankës Popullore dhe të Bordit Ekzekutiv. 

Kompetencat dhe detyrat e Guvernatorit të Bankës Popullore janë të përcaktuara në nenin 48 të Ligjit të Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut.



JETËSHKRIMI


Anita Angelovska-Bezhoska


Dr. Anita Angelovska-Bezhoska mori postin guvernator i Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut në muajin maj të vitit 2018. Ajo është guvernator i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bordin e Guvernatorëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe anëtare e Bordit Mbikëqyrës të Nismës së Vjenës 2, si përfaqësuese e gjashtë vendeve të rajonit të Evropës Juglindore që nuk janë anëtarë të Bashkimit Evropian (BE). Ajo mori postin e guvernatorit pas gati dhjetë vitesh eksperiencë pune në Bankën Popullore, edhe atë, fillimisht si ekonomist kryesor, dhe më vonë, gati tetë vjet si viceguvernator përgjegjës për fushën e politikës monetare, hulumtimit dhe statistikës, dhe ishte zëvendësguvernator i Republikës së Maqedonisë në Bordin e Guvernatorëve të FMN-së. Deri në fund të vitit 2019, ajo ishte anëtare e Komitetit për Statistika të Bankingut Qendror “Irving Fisher” në Bankën për Shlyerje Ndërkombëtare në Bazel.

Para se ti bashkohet ekipit të bankës qendrore, ajo kishte përfunduar një angazhim dy-vjeçar në FMN, Uashington, SHBA, fillimisht si ekonomist në Departamentin për Politika Makroekonomike në Vendet Evropiane, dhe një periudhë të shkurtër në Departamentit për Politika Fiskale. Njëkohësisht, ka qenë anëtare e më shumë misioneve ngeciuese të FMN-së për nënshkrimin e marrëveshjeve me vendet anëtare. Që nga viti 2006, si një ekspert, ajo është vazhdimisht e angazhuar në ekipet e FMN-së për ofrimin e asistencës teknike për më shumë vende në Evropë.

Karrierën e saj e ka filluar si bashkëpunëtor profesional për sistemin financiar në Ministrinë e Financave, në të cilën, në pozita të ndryshme kalon tetë vjet të karrierës së saj. Fillimisht si udhëheqës i projektit për krijimin e një sistemi të thesarit në vendin tonë dhe më vonë si udhëheqës i Sektorit të Thesarit në kuadër të kësaj Ministrie, ajo jep një kontribut jashtëzakonisht të rëndësishëm në zbatimin e reformave kyçe në sistemin e financave publike në vend: krijimi i një llogarie të vetme të thesarit, krijimi i një sistemi për projeksione të rregullta të likuiditetit të buxhetit dhe menaxhimit të likuiditetit, avancimin e kontabilitetit buxhetor, zhvillim i tregut të letrave shtetërore me vlerë dhe avancim të raportimit buxhetor në pajtim me standardet ndërkombëtare. Kontributi i saj për zhvillimin e financave publike në vendin tonë është i valorizuar me një çmim nga Ambasada e SHBA-së në vendin tonë, që i është dhënë në vitin 2004.

Gjatë viteve 2003 dhe 2004 punoi si Sekretar Shtetëror në Ministrinë e Financave, ku ishte përgjegjëse për: koordinimin e aktiviteteve të të gjithë sektorëve në kuadër të Ministrisë, koordinimin e proceseve lidhur me integrimin evropian, reformat buxhetore dhe negociatat me institucionet financiare ndërkombëtare. Njëkohësisht, në vitin 2004 është edhe udhëheqës i ekipit për përgatitjen e emetimit të rejtingut të parë kreditor në vendin tonë.

Është autore e më shumë punimeve profesionale dhe shkencore në fushën e politikës monetare dhe politikës makroekonomike në përgjithësi, por edhe e punimeve në fushën e politikës fiskale dhe menaxhim të financave publike. Gjatë karrierës së saj, ka qenë e angazhuar edhe si ligjërues në më shumë institucione arsimore dhe shkencore të vendit dhe të jashtme. Ajo e mbrojti disertacionin e saj të doktoratës në vitin 2015, në Fakultetin Ekonomik në Lubjanës, Republika e Sllovenisë, në temë “Koordinimi i politikës monetare dhe fiskale në Republikën e Maqedonisë”.