Përkufizimi, fushëveprimi dhe qëllimet e politikës makroprudenciale në Republikën e Maqedonisë së Veriut
Politika makroprudenciale përfaqëson grup aktivitetesh që kontribuojnë në arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit financiar. Fokusi i interesit të politikës makroprudenciale është sistemi financiar në tërësi, por edhe lidhjet me ekonominë reale. Politika makroprudenciale përfshin aktivitete për monitorimin dhe vlerësimin e rrezikut sistemik, ndërmarrjen e masave makroprudenciale për parandalimin ose reduktimin e rrezikut sistemik dhe forcimin e rezistencës së institucioneve financiare dhe në këtë mënyrë ruajtjen e stabilitetit financiar.
Stabiliteti financiar përfaqëson një gjendje në të cilën të gjitha segmentet e sistemit financiar funksionojnë pa çrregullime dhe kanë kapacitet për të përballuar goditjet e mundshme, gjegjësisht sistemi financiar mund të absorbojë pasojat e goditjeve të forta ekzogjene ose endogjene, pa përdorur fondet e tatimpaguesve. Ruajtja e sistemit financiar të shëndetshëm dhe stabil e zvogëlon paraqitjen e çrregullimeve në ndërmjetësimin financiar, të cilat, nëse materializohen, do të kishin pasoja të forta negative në aktivitetin real ekonomik.
Qëllimi kryesor i politikës makroprudenciale të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i përcaktuar me ligj, është të kontribuojë në arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit të sistemit financiar në tërësi duke parandaluar dhe reduktuar akumulimin e rrezikut sistemik, forcimin e rezistencës së sistemit dhe sigurimin e kontributit të qëndrueshëm në sistemin financiar për rritjen ekonomike. Realizimi i qëllimit kryesor arrihet nëpërmjet qëllimeve të ndërmjetme të politikës makroprudenciale duke përdorur instrumentet makroprudenciale të disponueshme që synojnë në rrezikun sistemik. (shih Strategjinë për zbatimin e politikës makroprudenciale në Republikën e Maqedonisë së Veriut). Politika makroprudenciale dhe instrumentet dhe masat e saj nuk mund të eliminojnë në tërësi rrezikun sistemik, por ato veprojnë në mënyrë parandaluese në lidhje me akumulimin e tepërt të rreziqeve dhe e zvogëlojnë probabilitetin e realizimit të atyre rreziqeve.
Rreziku sistemik përfaqëson rrezik të çrregullimeve në sistemin financiar që mund të shkaktojnë pasoja serioze negative për sistemin financiar dhe gjithë ekonominë. Rreziku sistematik mund të paraqitet në dy dimensione: dimension ciklik dhe strukturor. Dimensioni ciklik i rrezikut sistemik shoqërohet me prociklikitetin e institucioneve financiare, gjegjësisht, me tendencën për të marrë rreziqe më të larta kur ekonomia po zgjerohet dhe për të rritur refuzimin ndaj rrezikut pasi të ndodhë recesioni. Grumbullimi dhe materializimi i rrezikut zhvillohet në kohë, që e përfaqëson dimensionin kohor të rrezikut sistemik. Dimensioni ciklik i rrezikut sistematik përfshin rreziqet që lidhen me rritjen e madhe të kredisë, rreziqet që lidhen me rritjen e çmimeve të pasurive të paluajtshme dhe aktiveve financiare, rritjen e borxhit, mospërputhjet e maturitetit në bilanset e institucioneve financiare dhe të tjera. Grumbullimi i këtyre rreziqeve zakonisht paraqitet në kushte të rritjes ekonomike dhe rritjes së optimizmit, që mund të çojnë në disbalansa dhe në materializimin e rreziqeve tek institucionet financiare pas kthimit të fazës së ciklit financiar. Prandaj, është e rëndësishme në “kohët e mira” institucionet financiare t'i forcojnë kapacitetet për të absorbuar goditjet, që do t'u sigurojë atyre gatishmëri më të mirë për t'u përballur dhe rezistencë më të madhe në kohët e krizës. Dimensioni strukturor i rrezikut sistemik i referohet shpërndarjes së rreziqeve brenda kuadrit të sektorit financiar. Zhvillimi dhe materializimi i këtij dimensioni të rrezikut zhvillohet në moment të caktuar kohor duke përfshirë segmente të ndryshme të sektorit financiar, që e përfaqëson dimensionin ndërsektorial të rrezikut sistemik. Dimensioni strukturor i rrezikut sistemik lidhet me ekzistencën e institucioneve financiare me rëndësi sistemike, të cilat janë të mëdha dhe/ose reciprokisht/ndërsektoriale të lidhura, në mënyrë që goditjet në një ose disa institucione financiare mund të kërcënojnë stabilitetin e të gjithë sektorit financiar. Rreziku strukturor sistemik materializohet nëpërmjet ekspozimeve të ndërsjella të institucioneve financiare, të drejtpërdrejta ose të tërthorta. Kështu, për ta parandaluar atë, është e domosdoshme të reduktohet përqendrimi i rreziqeve, të pengohen mekanizmat e infektimeve dhe transmetimit të goditjeve dhe të forcohet rezistenca e institucioneve financiare me rëndësi sistematike.
Politika makroprudenciale e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka për qëllim monitorimin dhe parandalimin/zvogëlimin e të dy dimensioneve të rrezikut sistematike.
Duke pasur parasysh natyrën komplekse të rrezikut sistematik, për të realizuar qëllimin bazë të politikës makroprudenciale (ruajtjen e stabilitetit financiar), Komiteti i Stabilitetit Financiar përcakton qëllimet e ndërmjetme të politikës makroprudenciale. Në pajtim me rekomandimet e Bordit Europian të Rrezikut Sistemik dhe strukturë dhe karakteristikat e sektorit financiar të brendshëm, qëllimet e ndërmjetme të politikës makroprudenciale të Republikës së Maqedonisë së Veriut janë si vijojnë:
1) Parandalimi dhe zvogëlimi i rrezikut të rritjes së madhe të kredisë dhe borxhit të madh. Rritja e tepërt e kredisë përfaqëson një nga shkaqet kryesore të disbalancave financiare, dhe rreziku i shfaqjes së krizave financiare është edhe më i madh nëse një rritje e tillë e kredisë financohet nga burime të paqëndrueshme financimi, që e rrit rrezikun e borxhit të institucioneve financiare;
2) Parandalimi dhe zvogëlimi i rreziqeve nga mospajtueshmëria e tepërt e maturitetit në bilanset e institucioneve financiare dhe ekspozimi i rrezikut të likuiditetit. Mbështetja e lartë në burime afatshkurtra dhe të paqëndrueshme të financimit mund të shkaktojë probleme likuiditeti për institucionet financiare dhe bartje të rrezikut brenda sistemit gjatë goditjeve dhe ndryshimeve në fazën e ciklit financiar;
3) Parandalimi dhe zvogëlimi i rrezikut të përqendrimit të ekspozimeve, direkte dhe indirekte. Prania e përqendrimit të lartë të ekspozimeve rrit ndjeshmërinë e sistemit financiar ndaj goditjeve. Kanalet e transmetimit të goditjeve mund të jenë direkte, nëpërmjet ekspozimeve në bilancet e institucioneve financiare, ose indirekte, nëpërmjet pronësisë dhe lidhjes tjetër në kuadër të sistemit.;
4) Parandalimi dhe zvogëlimi i rrezikut të sjelljes së papërshtatshme dhe rrezikut moral (ang. misaligned incentives and moral hazard). Ky objektiv i ndërmjetëm synon reduktimin e rreziqeve që lidhen me institucionet financiare me rëndësi sistematike dhe rritjen e rezistencës së tyre ndaj goditjeve.
5) Përforcimi i rezistencës së infrastrukturës së tregjeve financiare. Ky objektiv i ndërmjetëm synon kryesisht reduktimin e rrezikut të kredisë, likuiditetit operacional në sistemet pagesore dhe shlyerjes së letrave me vlerë.
6) Ulja e normës së euroizimit. Niveli i lartë i euroizimit në bilanset e institucioneve financiare rrit ekspozimin ndaj rrezikut valutor tek klientët e bankave dhe rreziku i kredisë i shkaktuar nga valutat në banka.
Komiteti për Stabilitet Financiar mund t’i ndryshojë dhe plotësojë synimet e ndërmjetme të politikës makroprudenciale në pajtim me lëvizjet në sistemin financiar, ndryshimet në strukturën e tij, modelin afarist të institucioneve financiare, nivelin e zhvillimit të sistemit financiar, paraqitjen e rëndësisë së re ose rënien e rreziqeve të caktuara, si dhe ndryshimet në standardet përkatëse ndërkombëtare (BE).