Shkup, 8 korrik 2026
Pavarësia e bankës qendrore është parakusht kyç për stabilitetin e çmimeve dhe të sistemit financiar, si dhe për zbatimin efektiv të politikës monetare. Ajo është një faktor i rëndësishëm për mbrojtjen nga ndikimet e jashtme dhe për ruajtjen e një kuadri të qëndrueshëm makroekonomik, veçanërisht në periudha të sfidave ekonomike globale dhe të procesit të integrimit europian.
Në këtë kontekst, më 7 dhe 8 korrik 2026, në Shkup po zhvillohet TAIEX (Technical Assistance and Information Exchange), misioni peer review me iniciativë të Komisionit Europian, kushtuar vlerësimit dhe forcimit të pavarësisë së Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut. TAIEX është një instrument i Komisionit Europian, përmes të cilit ofrohet mbështetje ekspertësh dhe shkëmbim përvojash, duke angazhuar ekspertë nga sektori publik i të 27-të shteteve anëtare të Bashkimit Europian, me qëllim avancimin e harmonizimit me legjislacionin europian dhe praktikat më të mira në vendet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Misioni përbëhet nga Sis Ularsma, drejtuese e Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Bankën Qendrore të Holandës, Willem Bovenschen, këshilltar i lartë juridik në Bankën Qendrore të Holandës, dhe Hans Veenink, këshilltar i lartë për çështje të bankës qendrore.
Në kuadër të misionit, guvernatori dr. Trajko Sllaveski dhe viceguvernatorët Ana Mitreska, Igor Veliçkovski dhe Fadil Bajrami zhvilluan takim me delegacionin e ekspertëve, ku u shqyrtuan çështje që lidhen me pavarësinë institucionale dhe financiare të Bankës Popullore, marrëdhëniet me Qeverinë dhe Kuvendin, kuadrin ligjor që garanton pavarësinë, si dhe perceptimin publik për rolin dhe efektivitetin e saj. Theks i veçantë iu kushtua gjithashtu harmonizimit të rregullativës kombëtare me të drejtën e Bashkimit Europian, si dhe forcimit të mëtejshëm të garancive institucionale në kuadër të integrimit europian.
Banka Popullore theksoi përkushtimin e saj të vazhdueshëm për avancimin e transparencës dhe llogaridhënies në punën e saj, me qëllim forcimin e mëtejshëm të besimit të publikut dhe të të gjitha palëve të interesuara.