Shkup, 8 janar 2022
Zhvillimi i sektorit fintek do të kontribuojë në rritjen e konkurrencës, e cila nga ana tjetër do të çojë në akses më të madh dhe më të lehtë të qytetarëve në lloje të reja të shërbimeve financiare, por edhe në shërbime financiare më të lira. Banka Popullore ndërmerr aktivitete për të krijuar mjedis në të cilin do të zhvillohet sektori fintek, duke përfshirë zhvillimin e një platforme për bashkëpunim me komunitetin inovativ të biznesit – Porta e inovacionit, strategjia e parë kombëtare fintek dhe kuadri i duhur rregullator, tha Guvernatorja e Bankës Popullore Anita Angelovska-Bezhoska, në një deklaratë për TVM.
“Ne si bankë qendrore ndërmarrim disa lloje aktivitetesh. Para disa vitesh hapëm Portën e Inovacionit, një platformë komunikimi ndërmjet Bankës Popullore, komunitetit inovativ të biznesit dhe organeve të tjera rregullatore të lidhura me to. Qëllimi është që të gjitha kompanitë që synojnë të prezantojnë lloje të reja produktesh financiare në tregun vendor, të kenë mundësi për akses të thjeshtë dhe të marrin të gjithë informacionin e nevojshëm në fushën e rregullativës. Ky kanal komunikimi është i dobishëm jo vetëm për kompanitë, por edhe për ne, si bankë qendrore, sepse na lejon të ndjekim tendencat më të fundit në industrinë financiare, të identifikojmë barrierat rregullatore për nxitjen e inovacionit dhe të inicojmë ndryshimet e duhura ligjore." tha guvernatorja.
Angelovska-Bezhoska thekson se kompanitë janë shumë të interesuara për sektorin fintek. Sipas një sondazhi të kryer nga Banka Popullore ndërmjet bankave dhe institucioneve financiare, si dhe organeve të tjera rregullatore, rreth 90% e të anketuarve janë të vetëdijshëm për përfitimet e shumta të digjitalizimit në financa, ndërsa rreth 70% e institucioneve tashmë po investojnë në digjitalizim dhe ndryshim të mënyrës së funksionimit të shërbimeve financiare.
Sipas të anketuarve, pengesat kryesore për zhvillimin më të shpejtë të sektorit fintek janë tregu i vogël dhe korniza rregullative. Në pjesën e kornizës rregullative theksohen tre segmente, përkatësisht rregullorja në pjesën e mbrojtjes së të dhënave personale, rregullorja për parandalimin e shpëlarjes së parave dhe rregullorja që rregullon sistemin e pagesave dhe shërbimet e pagesave.
“Sa i përket rregullimit të sistemit të pagesave, do të mbulohet me Ligjin e ri për Shërbimet e Pagesave dhe Sistemin e Pagesave, i cili tashmë është në fazën përfundimtare dhe presim që së shpejti të miratohet. Tashmë kemi filluar të punojmë në strategjinë kombëtare për sektorin fintek. Ky projekt mbështetet nga Fondi Evropian i Evropës Juglindore (EFSE), dhe jemi duke punuar së bashku me rregullatorë të tjerë financiar. Presim që në gjysmën e parë të vitit të miratohet strategjia e parë kombëtare, e cila do të identifikojë qartë fushat dhe do të përfshijë masa dhe aktivitete për të mbështetur inovacionin financiar, nga i cili përfitojnë të gjithë qytetarët”, tha guvernatorja e Bankës Popullore.